Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike të OKB-së, Rafael Mariano Grossi, tha se një "predhë" ruse goditi një qendër trajnimi, jo ndonjë nga gjashtë reaktorët e saj.
Inspektorati bërthamor i Ukrainës tha se personeli po vazhdon të operojë në mënyrë të sigurt objektin. Zyrtarët ukrainas thanë se zjarrfikësit arritën të vënë zjarrin nën kontroll.
Enerhodari që shtrihet në buzë të lumit Dnjepër, afro 700 kilometra në juglindje të Kievit, është një qytet i rëndësishëm për prodhimin e energjisë. Centrali prodhon rreth 25 për qind të energjisë së Ukrainës.
Sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë, presidenti amerikan, Joe Biden, foli me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, për t’u informuar mbi zjarrin në centralin bërthamor.
Presidenti Zelenskyy akuzoi të premten Rusinë për bombardimin e centralit, duke thënë se "ky është terror në një nivel të pashembullt”.
Ai gjithashtu u bëri thirrje civilëve rusë që të shprehin zemërimin për sulmin e uzinës. “Rrezatimi nuk e di se ku është Rusia, ku janë kufijtë e vendit tuaj”, tha presidenti Zelenskyy.
Rreziqet që paraqet goditja e centralit Zaporizhia
Sulmi shkaktoi shqetësim në mbarë botën dhe ngjalli kujtimet e fatkeqësisë më të rëndë bërthamore në botë, atë të Çernobilit të Ukrainës në vitin 1986.
Ukraina është shumë e varur nga energjia bërthamore, me 15 reaktorë në katër stacione, që ofrojnë rreth gjysmën e energjisë elektrike të vendit.
Pas sulmit në Zaporizhia, Presidenti amerikan Joe Biden, Kryeministri britanik Boris Johnson, si dhe të tjerë udhëheqës të tjerë botërorë bënë thirrje për t'i dhënë menjëherë fund luftimeve atje.
Sipas ekspertëve problemi më i madh megjithatë është furnizimi me energji elektrike i centralit.
Nëse impianti do të mbetej pa energji, ai do të detyrohej ta siguronte atë nëpërmjet gjeneratorëve me naftë, të cilët janë shumë të pasigurt, pasi mund të dalin jashtë funksionit, apo t'u mbarojë karburanti. Mbetja e centralit pa enegji, do të bënte që uji që nevojitet për ftohjen e reaktorëve të mos qarkullonte. Ekspertët thonë se edhe mbyllja e reaktorëve nuk do të ndihmonte nëse sistemi i ftohjes do të dështonte në një mënyrë të tillë.
Ata thonë se shqetësimi i vërtetë nuk është një shpërthim katastrofik siç ndodhi me Çernobilin, por dëmtimi i sistemit të ftohjes, i cili është i domosdoshëm edhe kur reaktori është i mbyllur.
Sipas David Fletcher, ish ekspert i Energjisë Atomike në Mbretërinë e Bashkuar, ishte ky lloj dëmtimi që çoi në aksidentin në centralin bërthamor të Fukushimës.