Kryeministri rus Mikhail Mishustin tha të martën se qeveria ka përgatitur masa për të kufizuar përkohësisht investitorët e huaj nga shitja e pasurive që kanë në vend, duke thënë se kjo lëvizje do t'i ndihmonte ata të merrnin "një vendim të konsideruar" në vend që t'i nënshtroheshin presionit politik të sanksioneve.
Zoti Mishustin tha se është përgatitur një dekret presidencial që vendos “kufizime të përkohshme për tërheqjen nga pasuritë ruse.” Ai nuk dha hollësi të tjera dhe nuk tha nëse këto kufizime do të zbatoheshin për disa forma investimi apo për të gjitha llojet e investimeve të huaja në Rusi.
Korporatat e mëdha perëndimore janë nën presion për të tërhequr investimet e tyre në kompanitë ruse. Kompania e naftës “BP” tha të dielën se do të përpiqej të shiste aksionet e saj në prodhuesin rus të naftës “Rosneft” dhe kompania “Shell” tha të hënën se do të tërhiqej nga të gjitha bizneset e saj ruse. Kompani të tjera perëndimore me sasi të mëdha aksionesh në Rusi përfshijnë kompaninë “TotalEnergies” nga Franca, e cila zotëron 19.4% të kompanisë ruse të gazit natyror, “Novatek”.
Zyrtarët rusë kanë ndërmarrë hapa për të zbutur ndikimin e sanksioneve masive ekonomike të Perëndimit për shkak të sulmit ndaj Ukrainës, me bankën qendrore që ka rritur normat e interesit për të mbrojtur kursin e këmbimit të rublës dhe duke vënë në dispozicion kredi të pakufizuara afatshkurtëra për bankat.