Lidhje

Agresioni në Ukrainë, Turqia rrit kritikat ndaj Rusisë


Ministri i Mbrojtjes i Turqisë Hulusi Akar i bëri sot thirrje homologut të tij rus Sergei Shoigu për nevojën e një armëpushimi urgjent në Ukrainë. Ndërsa Rusia intensifikon sulmin e saj ndaj Ukrainës, Turqia po i ashpërson kritikat ndaj Rusisë. Dje Turqia njoftoi se u kishte kërkuar gjithë shteteve që të mos kalonin ngushticën turke në Detin e Zi, në bazë të një traktati të vitit 1936, që do të kufizojë lundrimin e disa anijeve ruse, siç njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones.

Agresioni në Ukrainë, Turqia rrit kritikat ndaj Rusisë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:44 0:00


Ndërsa sulmet ruse në Ukrainë po shtohen dhe numri i viktimave po rritet, nga ana e Turqisë kritikat janë bërë më të ashpra për Rusinë, duke e cilësuar operacionin ushtarak si “luftë”.

Kjo deklaratë i lejon Ankarasë të zbatojë Konventën e “Montreux” (Montrou) , një traktat i vitit 1936, që rregullon hyrjen në Detin e Zi nëpërmjet rrugës ujore të Bosforit dhe që ndalon hyrjen e anijeve luftarake ruse, që nuk janë me bazë në Detin e Zi.

Ambasadori ukrainas në Turqi i kërkoi Ankarasë të marrë masa për ta zbatuar taktatin. Edhe disa analistë në Turqi thonë se qeveria duhet ta aplikojë këtë masë.

“Pikëpamja e Turqisë është se kjo është një luftë dhe se traktati i Montreux (Montrou) duhet të zbatohet si duhet. Ndërsa presidenti ynë po bën thirrje për paqe si pjesa tjetër e botës, për fat të keq, ne e kemi këtë luftë në pragun tonë”, thotë për Zërin e Amerikës Mesut Casin, këshilltar i Presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin “Yeditepe”.

Zbatimi i rregullave në Bosfor nga Ankaraja tani mund të shihet kryesisht si gjest simbolik. Rusia i dërgoi shumë nga luftanijet e saj në Detin e Zi, përpara se të sulmonte Ukrainën.

Turqia, një anëtare e NATO-s, nuk ka ndjekur aleatët e saj evropianë në mbylljen e hapësirës ajrore për avionët rusë. Por analistët sugjerojnë se ka pasur një ndryshim të rëndësishëm në qëndrimin e Turqisë ndaj Ukrainës.


“Tani Turqia është shumë e përfshirë në luftën në Ukrainë, ushtarakisht dhe gjithashtu nga ana e inteligjencës. Kështu ka qenë prej një kohe të gjatë. Dronët e Turqisë po luajnë një rol vendimtar në luftë, kështu që Turqia ka zgjedhur me vendosmëri anën e saj, mendoj unë”, thotë Sezin Oney, analiste në portalin “Politikyol”.



Ukraina ka publikuar disa video të dronëve të prodhimit turk që godasin forcat ruse. Moska ka kritikuar ashpër furnizimin që Ankaraja i ka bërë Ukrainës me dronët e sofistikuar.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka krijuar lidhje të ngushta me homologun e tij rus Vladimir Putin. Por ofertat e përsëritura të zotit Erdogan për të ndërmjetësuar në konfliktin ukrainas u injoruan nga Moska. Varësia e Turqisë nga energjia ruse dhe bashkëpunimi në Siri bëjnë që Ankaraja të vazhdojë ta trajtojë me kujdes Moskën.

Kështu mendon analisti Mustafa Aydin, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin “Kadir Has”.


“Turqia do të jetë kritike ndaj Rusisë, mund të jetë gjithashtu mbështetëse e qeverisë dhe forcave të Ukrainës dhe do të vazhdojë të shesë dronë, pavarësisht nga të gjitha kritikat ruse. Pra, shihni, ka nivele të ndryshme të mbështetjes së njërës palë ose mospërkrahjes dhe marrjes së alternativave të ndryshme. Mendoj se Turqia do të përpiqet të gjejë një rrugë të mesme”, thotë ai.


Por nëse konflikti ukrainas vazhdon të përshkallëzohet dhe bashkë me të, mbështetja në rritje e Turqisë për Kievin, marrëdhënia e presidentit Erdogan me homologun e tij rus thonë disa analistë, mund të bëhet një pikë tjetër fërkimi në konflikt.

XS
SM
MD
LG