Nga Moska në Siberi, aktivistë rusë kundër luftës dolën sërish në rrugë të dielën për të protestuar kundër agresionit rus ndaj Ukrainës, pavarësisht nga arrestimi i qindra protestuesve çdo ditë nga policia.
Demonstruesit marshuan në qendrat e qyteteve, duke brohoritur "Jo luftës!"
"Unë kam dy djem dhe nuk dua t'ia jap atij përbindëshi të përgjakshëm. Lufta është një tragjedi për të gjithë ne," i tha agjencisë Associated Press 48-vjeçari Dmitry Maltsev, në Shën Petersburg.
Protestat kundër pushtimit filluan të enjten në Rusi dhe nuk janë ndalur edhe pse policia ruse ka ndërhyrë me shpejtësi për të shtypur tubimet dhe për të arrestuar protestuesit. Kremlini është përpjekur të minimizojë protestat, duke këmbëngulur se një pjesë shumë më e madhe rusësh mbështesin sulmin ndaj Ukrainës.
Në Shën Petersburg, ku disa qindra u mblodhën në qendër të qytetit, policia po kapte protestues njëri pas tjetrit dhe po i fuste me forcë në furgonat e policisë, edhe pse demonstrata ishte paqësore. Pamjet nga Moska tregonin policinë duke rrëzuar disa protestuese femra në tokë përpara se t'i tërhiqte zvarrë.
Sipas grupit të të drejtave të njeriut që mbledh të dhëna për arrestime politike, deri të dielën në mbrëmje policia arrestoi të paktën 1,474 rusë në 45 qytete.
Në Moskë qytetarët dhanë mendimin e tyre për sulmin rus kundër Ukrainës. Shumë prej tyre të intervistuar nga agjencia Reuters janë kundër luftës.
"Është e tmerrshme. Nuk ka luftë të mirë. Është e tmerrshme për të gjitha palët. Është e vështirë ta imagjinosh se çfarë ndjejnë njerëzit e zakonshëm në Ukrainë tani", thotë Timofey.
Andrey thotë se pasojat e situatës së krijuar do të bien mbi brezin e ri.
"Është një situatë kritike për brezin e ri pasi tani po përjetojmë një tranzicion, nga brezi sovjetik tek ai më i riu. Po krijojnë probleme për brezin e ri pasi gjithçka do të bjerë mbi supet tona. Biden me sanksionet e tij, ne (Rusia) me ndërhyrjen, ne do të duhet të përballemi me pasojat”, thotë ai.
"Ishte e pritshme. Jam e sigurt se do të ndodhte herët a vonë. Nuk e di saktësisht se cilat do të jenë pasojat, por nuk ka dyshim që do të ketë pasoja", thotë Anastasia.
Alexey thotë se Presidenti Putin ka krijuar një situatë e cila do të zgjasë me vite.
“Më vjen keq për njerëzit atje, më vjen keq për ne. Është e vështirë dhe e dhimbshme. Çfarë duhet të bëjmë? Nuk e kam idenë. Prirja është drejt një errësire totale. Është herët që t’i dimë të gjitha por kjo mund të sjellë si pasojë mbylljen e vendit. Është e qartë se çfarë do të ndodhë me ekonominë. Nuk dua të jem i pasjellshëm, por personi që kemi në pushtet është i çmendur dhe kjo që po bën është krim", thotë ai.
Por ka edhe nga ana që e mbështesin luftën.
"Nuk ka nevojë për panik. Nëse ata përbëjnë kërcënim për njerëzit tanë, ne duhet të mbrohemi. Sulmet janë të përqendruara tek objektiva të caktuar. Gjithçka po shkon sipas planit, kështu që mendoj se ishte vendimi i duhur", thotë Maria.
Ndërsa ushtria ruse vazhdon agresionin, në Ukrainë pasojat shkatërrimtare të luftës janë të qarta dhe menjëherë të dukshme. Por Rusia dhe qytetarët e saj po ashtu do të ndjejnë efektin e sanksioneve dhe masave të tjera të ashpra që Perëndimi po ndërmerr për të frenuar Presidentin e vendit, Vladimir Putin.