Lidhje

Forcat ruse hyjnë në Kharkiv – vazhdon beteja për Kievin


Luftimet shpërthyen të dielën në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës dhe trupat ruse shtuan trysninë mbi portet strategjike në jug të vendit, pas një vale sulmesh ndaj aeroporteve dhe depove të karburantit, që duket se shënojnë një fazë të re të pushtimit.

Sipas Kremlinit, Rusia dërgoi një delegacion në Bjellorusi për bisedime të paqes me Ukrainën. Presidenti i Ukrainës sugjeroi vende të tjera, duke thënë se vendi i tij nuk është i gatshëm të takohet në Bjellorusi, sepse ajo shërbeu si një terren për fillimin e sulmeve.

Deri të dielën, trupat ruse kishin qëndruar në periferi të Kharkivit, një qytet me 1.4 milionë banorë, rreth 20 kilometra në jug të kufirit me Rusinë, ndërsa forcat e tjera vazhduan sulmet më thellë në Ukrainë.

Videot e postuara në mediat dhe rrjetet sociale ukrainase, shfaqën automjete ruse që lëviznin nëpër Kharkiv dhe trupat ruse që enden në qytet në grupe të vogla. Një video tregoi ushtarët ukrainas duke inspektuar automjetet e lehta ruse të dëmtuara nga granatimet dhe të braktisura nga trupat ruse në një rrugë.

Oleh Sinehubov, shefi i administratës rajonale të Kharkiv, u tha civilëve që të mos dalin nga shtëpitë e tyre.

Ndërsa Rusia po vazhdon sulmet, perëndimi po punon për të pajisur forcat ukrainase me armë dhe municione, ndërkohë që po ndëshkon Rusinë me sanksione të gjera, që synojnë të izolojnë më tej Moskën.

Shpërthimet ndriçuan qiellin herët të dielën pranë kryeqytetit, Kiev, ku njerëzit u mbyllën nëpër shtëpi, garazhe nëntokësore dhe stacione metroje, në pritje të një sulmi në shkallë të plotë nga forcat ruse.

Flakët u ngritën në qiell para agimit nga një depo nafte pranë një baze ajrore në Vasylkiv, ku ka pasur luftime intensive, sipas kryebashkiakut të qytetit. Zyra e presidentit Volodymyr Zelenskyy tha se një tjetër shpërthim ndodhi në aeroportin civil, Zhuliany.

Zyra e presidentit Zelenskyy tha gjithashtu se forcat ruse hodhën në erë një tubacion gazi në Kharkiv, duke bërë që qeveria të paralajmërojë njerëzit që të mbrohen nga tymi, duke mbuluar dritaret e tyre me lecka të lagura ose garza.

“Ne do të luftojmë për aq kohë sa duhet, për ta çliruar vendin tonë”, tha presidenti Zelenskyy.

Më shumë se 150,000 ukrainas u larguan për në Poloni, Moldavi dhe vende të tjera fqinje dhe Kombet e Bashkuara paralajmëruan se numri mund të rritet në 4 milionë nëse luftimet përshkallëzohen.

Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk i ka bërë të ditura planet e tij përfundimtare, por zyrtarët perëndimorë besojnë se ai është i vendosur të përmbysë qeverinë e Ukrainës dhe ta zëvendësojë atë me një regjim të tij, duke rivizatuar hartën e Evropës dhe duke ringjallur ndikimin e Moskës të epokës së Luftës së Ftohtë.

XS
SM
MD
LG