Lidhje

Situata në Ukrainë para një takimi të mundshëm Biden-Putin


Oficerët e rojës kufitare ukrainase patrullojnë kufirin shtetëror Ukrainë-Bjellorusi në një pikë kontrolli në Novi Yarylovychi, Ukrainë, të hënën, 21 shkurt 2022
Oficerët e rojës kufitare ukrainase patrullojnë kufirin shtetëror Ukrainë-Bjellorusi në një pikë kontrolli në Novi Yarylovychi, Ukrainë, të hënën, 21 shkurt 2022

Udhëheqësit botërorë po bëjnë një tjetër përpjekje diplomatike me shpresën se do të parandalojnë një sulm rus ndaj Ukrainës, megjithëse vazhdon ndërkohë bombardimi i rëndë me artileri në Ukrainën lindore dhe Kremlini thotë se Moska do të njohë rajonet separatiste në Ukrainën lindore.

Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Joe Biden kishte rënë dakord në parim për një takim me Presidentin rus Vladimir Putin, nëse ai heq dorë nga një sulm mbi vendin fqinj që zyrtarët amerikanë thonë se duket gjithnjë e më i mundshëm.

Një takim Biden-Putin do të ofronte një lloj shprese për shmangien e sulmit rus që zyrtarët amerikanë thonë se mund të fillojë në çdo moment nga 150 mijë forcat ruse të dislokuara pranë Ukrainës.

A DO TË TAKOHEN PRESIDENTËT BIDEN DHE PUTIN?

Presidenti amerikan dhe ai rus kanë ranë dakord në parim për një përpjekje diplomatike të minutës së fundit që do të shmangte sulmin e Moskës ndaj Ukrainës.

Shtëpia e Bardhë thotë se takimi do të ndodhë vetëm nëse Rusia nuk pushton Ukrainën, duke vënë në dukje se bombardimi i rëndë me artileri po vazhdon në Ukrainën lindore.

Nga ana e tij, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, tha të hënën se "është e parakohshme të flitet për plane konkrete për një samit".

Presidenti francez Emmanuel Macron u përpoq të ndërmjetësonte një takim të mundshëm mes Presidentit Biden dhe Presidentit Putin nëpërmjet një numri telefonatash që vazhduan gjatë orëve të vona të natës. Zyra e zotit Macron tha se të dy udhëheqësit kishin "pranuar në parim një samit të tillë", që do të pasohej nga një samit më i gjerë ku do të përfshiheshin edhe udhëheqës të tjerë.

Presidenti francez Emmanuel Macron
Presidenti francez Emmanuel Macron

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov do të përgatisin terrenin për samitin, gjatë një takimi ditën e enjte, u njoftua nga zyra e zotit Macron.

SI ËSHTË SITUATA NË FRONTIN LINDOR TË UKRAINËS?

Bombardimi i rëndë me artileri vazhdoi të shtohet ditëve të fundit përgjatë linjës së tensionuar të kontaktit mes forcave ukrainase dhe rebelëve separatistë pro-rusë në zonën industriale Donbas, në Ukrainën lindore.

Një ushtar ukrainas pranë qytetit Kharkiv, Ukrainë, të enjten, 10 shkurt 2022
Një ushtar ukrainas pranë qytetit Kharkiv, Ukrainë, të enjten, 10 shkurt 2022

Konflikti filloi në vitin 2014, kur Rusia aneksoi nga Ukraina Krimenë. Luftimet kanë marrë jetët e të paktën 14 mijë personave, por ishin fashitur për një periudhë të caktuar.

Zëdhënësi ushtarak ukrainas Pavlo Kovalchyuk tha se pozicionet ukrainase ishin goditur me artileri 80 herë gjatë ditës së djelë dhe tetë herë të hënën, duke vënë në dukje se separatistët "goditën në mënyrë cinike nga zona rezidenciale duke përdor civilët për t'u mbrojtur". Ai tha se forcat ukrainase nuk u përgjigjën me zjarr.

Sofia, 4 vjeç, shikon drejt fotografit brenda një shtëpie ku jeton me prindërit dhe anëtarët e familjes së saj, pas bombardimeve nga forcat separatiste në Novognativka, Ukrainën lindore, të dielën, 20 shkurt 2022.
Sofia, 4 vjeç, shikon drejt fotografit brenda një shtëpie ku jeton me prindërit dhe anëtarët e familjes së saj, pas bombardimeve nga forcat separatiste në Novognativka, Ukrainën lindore, të dielën, 20 shkurt 2022.

Në fshatin Novognativka në anën e kontrolluar nga qeveria, 60 vjeçarja Ekaterina Evseeva, tha se bombardimet janë bërë më të shpeshta se gjatë kulmit të luftimeve.

"Është më keq se 2014", tha ajo, ndërsa i dridhej zëri. "Jemi fare pranë tronditjes nervore. Dhe nuk kemi nga të shkojmë".

PRESIDENTI RUS SHQYRTON NJOHJEN E PAVARËSISË PËR RAJONET SEPARATISTE

Presidenti rus Vladimir Putin tha se do të njihte dy rajone separatiste të Ukrainës si entitete të pavarura.

Presidenti Putin mbajti një takim me zyrtarët më të lartë të hënën për të shqyrtuar njohjen e pavarësisë së rajoneve separatiste.

Takimi i Këshillit presidencial të Sigurisë u mbajt ndërsa Perëndimi mendon se Rusia mund të shfrytëzojë përplasjet në Ukrainën lindore si një pretekst për të sulmuar.

Deklarata e zotit Putin pasoi deklaratat televizive të udhëheqësve separatistë, të cilët i bënë atij thirrje t'i njohë këto rajone si shtete të pavarura dhe të nënshkruajë traktate miqësie ku do të parashikohet ndihma ushtarake, për atë që ata e përshkruajnë si një ofensivë e vazhdueshme ushtarake nga Ukraina. Dhoma e ulët e parlamentit rus bëri të njëjtën thirrje të hënën e kaluar.

Presidenti rus Vladimir Putin
Presidenti rus Vladimir Putin

Autoritetet ukrainase mohojnë të kenë nisur një sulm dhe akuzojnë Rusinë për provokime ndërsa është shtuar bombardimi përgjatë vijës së kontaktit.

FORCAT RUSE QËNDROJNË NË BJELLORUSI, DUKE SHTUAR KËSHTU FRIKËN

Forcat ruse që kanë qenë duke bërë stërvitje ushtarake në Bjellorusi, vendi fqinj në veri të Ukrainës, duhej të ishin rikthyer në shtëpi pasi përfunduan manovrat luftarake të djelën. Por, tashmë Moska dhe Minsku thonë se forcat ruse do të qëndrojnë pa afat.

Dislokimi i vazhdueshëm i forcave ruse në Bjellorusi shtoi shqetësimet se Rusia mund t'i dërgojë këto forca drejt kryeqytetit ukrainas Kiev, i cili ka 3 milionë banorë dhe ndodhet më pak se një orë larg me makinë nga kufiri bjellorus.

UKRAINA PËRPJEKJE PËR TË PËRCJELLË QETËSI

Megjithë bindjen e Presidentit Biden si presidenti rus ka marrë vendimin për të nisur forcat ruse drejt Ukrainës, zyrtarët ukrainas u përpoqën të shfaqin qetësi, duke thënë se nuk shohin mundësinë e një sulmi të menjëhershëm.

Ministri i Mbrojtjes Oleksii Reznikov tha të hënën se Rusia ka grumbulluar 147 mijë forca përreth Ukrainës, përfshirë 9 mijë në Bjellorusi, duke argumentuar se ky numër është i pamjaftueshëm për një sulm ndaj kryeqytetit ukrainas.

"Kur flitet për një sulm drejt Kievit nga ana bjelloruse, kjo tingëllon si diçka qesharake", tha ai, duke akuzuar Rusinë se po i përdor forcat e atjeshme për të ngjallur frikë.

Gjatë fundjavës, kufiri polak po kalohej nga shumë ukrainas që ktheheshin në shtëpi pas pazarit apo punës në vendin fqinj të BE-së. Disa thanë se nuk janë të frikësuar dhe u zotuan të marrin armët në rast se Rusia sulmon.

BE OFRON TË KËSHILLOJË UKRAINËN

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha të hënën se Bashkimi Evropian ka rënë dakort të ngrejë në këtë vend një mision këshillimi për formimin ushtarak.

Zoti Kuleba u tha gazetarëve në Bruksel pas takimit të ministrave të jashtëm, se një marrëveshje ishte arritur në parim për të filluar një mision këshillimor për trajnimin ushtarak.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba flet gjatë një konference për shtyp në premisat e një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel, të hënën, 21 shkurt 2022
Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba flet gjatë një konference për shtyp në premisat e një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel, të hënën, 21 shkurt 2022

"Këto nuk janë forca luftarake. Ky është një element i ri në bashkëpunimin mes Ukrainës dhe Bashkimit Evropian", tha ai, duke shtuar se detajet për këtë mision janë ende duke u përcaktuar. "Është jetësore që të fillojmë këtë kapitull të ri në marrëdhëniet tona".

Projekti mund të përfshijë dërgimin e oficerëve evropianë në shkollat ushtarake të Ukrainës për të ndihmuar në përgatitjen e forcave të armatosura. Do të duhen ndoshta disa muaj për të përgatitur një mision të tillë.

PARALAJMËRIMI MË I FUNDIT BRITANIK

Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss paralajmëroi se një sulm ndaj Ukrainës ka gjasa të ndodhë dhe se vendi i saj po përgatitet.

"Duhet ushtruar diplomaci, por një sulm rus ndaj Ukrainës duket shumë i mundshëm. Britania dhe vendet aleate po shtojnë përgatitjet për skenarin e rastit më të keq të mundshëm. Duhet t'i ngremë kostot shumë lart për Rusinë", shkruajti ajo në Twitter.

ITALIA U KËRKOI SHTETASVE TË SAJ TË LARGOHEN NGA UKRAINA

Italia ka përsëritur thirrjet që shtetasit e saj të largohen nga Ukraina.

Mediat italiane kanë transmetuar intervista me italianë në Ukrainë të cilët duket se ngurrojnë të largohen për shkak se kanë biznese, si p.sh. restorante, ose janë të martuar me shtetas ukrainas.

Ministri i Jashtëm Luigi Di Maio tha në Bruksel se ambasada italiane në Kiev po bën prova për evakuimin e personelit të saj, në rast se situata në vend e shtrëngon ta ndëmarrë këtë hap.

Për momentin, ambasada është plotësisht funksionale "pasi ne besojmë tek diplomacia dhe duam të japim një sinjal të qartë afrimiteti me popullin ukrainas", tha zoti Di Maio.

XS
SM
MD
LG