Lidhje

Ministra dhe ish ministra dëshmojnë për incineratorët


Në Tiranë, komisioni hetimor parlamentar për inceneratorët vazhdoi sot me dëshmitë e ministrave dhe ish ministrave mbi procedurat e lejeve të ndërtimit të 3 incineratorëve në Fier, Elbasan dhe kryeqytet.

Gjatë marrjes së dëshmive komisioni u përfshi në polemika të ashpra mbi shkeljet ligjore të secilës palë.

Ministra dhe ish ministra dëshmojnë për incineratorët
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:27 0:00

Ish ministri i financave, Shkëlqim Cani, dëshmoi mbi nisjen e procedurave për incineratorin e Elbasanit.

Ai tha se "kundërshtoi në fillim kërkesat e ministrisë së mjedisit në një projekt-vendim qeverie si të papërputhur me ligjin, por më pas kriteret ligjore u përmbushën".

Zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj tha se përgjigjet e shkresave të tij ndaj ministrisë së mjedisit për një projekt-vendim si ministër i zhvillimit ekonomik janë burokraci, që nuk kanë shkaktuar vendime dhe pasoja financiare, sepse nuk kishte tagër të marrë studime apo vendime për investime të kësaj natyre.

“Ministria e zhvillimit nuk është përgjegjëse për PPP dhe koncensione, por projekton politika zhvillimore. Institucioni përgjegjës e ka rrëzuar procedurën e një projekt-vendimi dhe shkresat kanë zero pasoja në financa. Për vendimin e marrë ministria e financave e miratoi projektin e dytë dhe ajo është autoriteti kryesor, ndërsa ministria e zhvillimit nuk është autoritet kontraktues” - tha zëvendës kryeministri Ahmetaj.

Një tjetër dëshmitare në komision ishte sot edhe Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila iu përgjigj deputetëve për mëse dy orë.

“Ministria ka qenë dhe mbetet shumë transparente, duke dorëzuar komisionit parlamentar të gjithë dokumentet e kërkuara, sepse nuk ka gjë për të fshehur, derisa janë ndjkeur procedurat e kërkuara ligjore” - tha ajo.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi, iu përgjigj pyetjeve të deputetëve për mëse dy orë lidhur me incineratorin e Fierit.

Ai dha shpjegime të detajuara për faktin që studimi për vend-ndodhjen e impiantit të mbetjeve urbane ishte bërë për në një adresë me pronësi publike, por më pas ai u ndërtua diku tjetër, duke shtuar edhe dëmshpërblime për pronarët e tokës.

Në seancën e sotme u pyetën një anëtare e komisionit të Prokurimit të Inceneratorit të Tiranës, si dhe Kryetarja e Bashkisë së Durrës, Emiriana Sako.

Kjo e fundit u largua nga seanca e pyetjeve, ndërsa kryetarja Tabaku njoftoi se do të bëjë një padi ndaj për saj për refuzim të dëshmive para ligjvënësve.

Kryetarja e Komisionit Hetimor Parlamentar për incineratorët, Jorida Tabaku, zhvilloi sot herët në mëngjes një takim me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme Arben Kraja, dy institucione që po hetojnë paralelisht aferën korruptive të tre incineratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë.

Zonja Tabaku tha se “puna e komisionit parlamentar është në mbështetje të hetimeve penale, dokumentet dhe provat e Komisionit do t’i vihen SPAK-ut n dispozicion dhe nuk ka mbivendosje të punëve midis tyre”.

Prokuroria e Posaçme deklaroi pas takimit se ajo është e vendosur të administrojë çdo fakt dhe çdo të dhënë që lidhet me hetimin e çështjes së inceneratoreve, ngado që të vijnë, aq më shumë nga Komisioni Hetimor i ngritur nga Kuvendi.

“Prokurorët janë të pavarur në veprimtarinë e tyre hetimore, në vendimmarrjen e tyre dhe do të analizojnë me paanësi çdo të dhënë apo provë që paraqitet nga të gjithë palët” - thuhet në deklaratën e SPAK-ut.

Por nënkryetarja socialiste e komisionit hetimor, Ermonela Felaj, bëri të ditur në emër të anëtarëve të shumicës se do të padiste kryetaren Tabaku për shkelje të ligjit dhe presion ndaj drejtësisë me atë takim tek SPAK.

Komisioni ka 25 shkurtin si afat ligjor për mbylljen e punës dhe mbeten ende për t’u pyetur si dëshmitarë kryeministri Edi Rama, disa ministra, deputetë dhe ish ministra.

Mospajtimet brenda komisionit janë të mëdha dhe nuk pritet të dalë me një raport të unifikuar.

Deputetët opozitarë theksojnë se dy nga anëtarët e komisionit kanë konfikt interesi në hetimet për inceneratorët ndërsa socialistët pohojnë se opozita po e përdor cështjen për konsum politik.

SPAK ka arrestuar ish ministrin e mjedisit Lefter Koka për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion me rryshfete deri në 3.7 milione euro në rastin e incineratorin e Elbasanit, ndërsa po heton lejet dhe procedurat edhe për incineratorët e Fierit dhe të Tiranës, investimet dhe fondet për të cilat vlerësohet se shkojnë në afro 430 milionë euro.

XS
SM
MD
LG