Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, hodhi poshtë të dielën pretendimet ruse për “rekrutim mercenarësh në Kosovë, Shqipëri e Bosnje” për t’u përfshirë në luftimet në rajonin e Donbasit në Ukrainë.
Mediat ruse cituan gjatë javës ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov të ketë thënë se autoritetet ruse po punojnë për të verifikuar informacionet për "mercenarët" nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnja që shkojnë në Ukrainë.
“Kosova dhe disa pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor po bëhen vatër krimi. Ka terroristë, tregtarë droge. Mercenarët rekrutohen atje për konflikte ushtarake të nxitura nga Shtetet e Bashkuara...”, citohet të ketë thënë ministri Lavrov.
Ministria e Jashtme e Kosovës hodhi poshtë të dielën “në mënyrë kategorike si të pavërtetë dhe tendencioz çdo pretendim të agjencisë së lajmeve ruse TASS dhe të ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov, se kinse “Kosova dhe disa pjesë tjera të Ballkanit Perëndimor po bëhen terren për krimin....”.
Në një komunikatë të kësaj ministrie theksohet se Kosova e ka të ndaluar me ligj pjesëmarrjen e qytetarëve të saj në luftëra jashtë vendit dhe ky ligj parasheh dënime të rrepta për secilin qytetar të saj që mund të jetë pjesë e veprimeve të tilla. Komunikata i referohet miratimit të këtij ligji në vitin 2015.
Ministria e Jashtme vlerëson se pretendimet e tilla “janë pjesë e një fushate të egër të propagandës ruse që kanë për qëllim tërheqjen e vëmendjes së gjithë botës demokratike nga ankthi që po krijon politika hegjemoniste dhe e diktatit rus mbi të drejtat e popujve për jetë të lirë e sovrane. Kjo fushatë e egër ruse kundër Kosovës dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, ndër të tjera, ka për qëllim edhe tensionimin e situatës në Kosovë dhe më gjerë në rajon përmes satelitit rus në Ballkan, Serbisë”.
Shqipëria ka hedhur poshtë pretendimet ruse për “prani mercenarësh” shqiptarë në Ukrainë
Pretendimet ruse janë hedhur poshtë edhe nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.
Në një komunikatë të kësaj ministrie hidhen poshtë “kategorikisht pretendimet e publikuara në agjencinë e lajmeve ruse TASS dhe dyshimet e ngritura nga ministri i Jashtëm Rus, Sergei Lavrov, për praninë e “mercenarëve shqiptarë” në Ukrainë. Në shenjë proteste është thërritur Ambasadori i Federatës Ruse të cilit i është kërkuar përgënjeshtrimi i lajmit”, thuhej në një komunikatë të diploamcisë shqiptare.
Rusia një aleate e vjetër e Serbisë, refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës, e cila të enjten kremtoi 14 vjet të shtetësisë së saj, që tashmë është njohur nga mbi 100 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian.
Moska nuk e sheh më sy të mirë zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, sikundër as në Evropën Lindore, që gjatë Luftës së Ftohtë ishte nën kontrollin e saj.
Javën e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin, gjatë një konference të përbashkët me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, kritikoi NATO-n, duke thënë se kishte nisur një luftë në Evropë duke bombarduar Serbinë në vitin 1999.
Kancelari Scholz u kundërpërgjigj, duke thënë se ndërhyrja e NATO-s kishte ndodhur për të parandaluar gjenocidin, një referencë për përndjekjen e shqiptarëve në Kosovë nga forcat serbe.
Presidenti rus tha më pas se Rusia e konsideronte trajtimin e rusëve etnikë në rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore si “gjenocid”, një pohim të cilin më pas kancelari Scholz e cilësoi “të gabuar”.
Rusia ka grumbulluar mbi 100 mijë trupa përgjatë kufirit me Ukrainën duke nxitur shqetësimin e perëndimit për pushtimin e saj.
Rusia mohon të ketë plane pushtimi, por kërkon nga perëndimi që t’i jap fund zgjerimit të NATO-s në lindje, kërkesa që NATO-ja i ka cilësuar të pazbatueshme.
Ministria e Jashtme e Kosovës, e cila javën e kaluar bëri thirrje që qytetarët e Kosovës të mos udhëtojnë në Ukrainë dhe ata që mund të jenë atje të largohen, të dielën shprehu “solidaritetin e plotë të popullit të Kosovës me popullin e Ukrainës për të drejtën për jetë të lirë e sovrane në shtetin e tyre”, ndërsa theksoi se Kosova “bën thirrje për ulje të tensionit dhe shmangie të konfliktit, i cili mund të marrë përmasa të paparashikueshme”.
Republika e Kosovës, përfundon komunikata “i bashkohet botës demokratike në dënimin e politikës hegjemoniste dhe ekspansioniste ruse në dëm të shtetit sovran e të pavarur të Ukrainës”.