Lidhje

Rusia zgjat afatin e stërvitjeve mes tensioneve për një sulm të mundshëm


Rusia zgjati afatin e stërvitjeve ushtarake pranë kufijve veriorë të Ukrainës të dielën, ndërsa intensifikohen shqetësimet se bombardimet e vazhdueshme të dy ditëve të fundit përgjatë vijës së kontaktit midis ushtarëve dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore, mund të nxisin një sulm rus ndaj fqinjit të vet.

Stërvitjet, që fillimisht ishin planifikuar të përfundonin të dielën, përfshinë dërgimin e një kontigjenti të konsiderueshëm të forcave ruse në Bjellorusinë fqinje, e cila kufizohet me Ukrainën në veri. Prania e trupave ruse ngriti shqetësimin se ato mund të përdoren për sulmuar kryeqytetin ukrainas, Kiev.

Njoftimi erdhi nga ministri i mbrojtjes i Bjellorusisë, i cili tha se të dy vendet "do të vazhdojnë të testojnë forcat e reagimit".

Ukraina është tashmë e rrethuar nga tre anët nga rreth 150,000 ushtarë, avionë luftarakë dhe pajisje ruse. Rusia mbajti stërvitje bërthamore të shtunën, si dhe stërvitje konvencionale në Bjellorusi, dhe bën stërvitje të vazhdueshme detare në brigjet e Detit të Zi.

Udhëheqësit separatistë në Ukrainën lindore të shtunën urdhëruan një mobilizim të plotë ushtarak dhe dërguan më shumë civilë në Rusi, e cila ka lëshuar rreth 700.000 pasaporta për banorët e territoreve të kontrolluara nga rebelët. Pretendimet se shtetasit rusë po rrezikohen mund të përdoren si justifikim për veprime ushtarake. Zyrtarët në territoret separatiste akuzuan forcat ukrainase për disa sulme artilerie gjatë ditës së kaluar dhe thane se dy civilë u vranë në një sulm të pasuksesshëm në një fshat pranë kufirit rus. Ukraina ka mohuar këto akuza.

XS
SM
MD
LG