Në Shqipëri, komisioni hetimor për impiantet e trajtimit të mbetjeve urbane vazhdoi edhe sot me pyetjet e dëshmitarëve, zyrtarë qendrorë e vendorë, që merren me administrimin e 3 inceneratorëve në Fier, Tiranë dhe Elbasan.
Po sot SPAK ka marrë në pyetje si dëshmitar edhe kryetarin e bashkisë së Fierit, Armando Subashi.
Kuvendi dhe SPAK po hetojnë njëkohësisht për dyshimet mbi aferën korruptive të incineratorëve, fondet për të cilat shkojnë deri në afro 430 milionë euro.
Komisioni hetimor pyeti sot sekretaren e përgjithshme e ministrisë së infrastrukturës dhe energjisë, Viola Haxhiademi, lidhur me planin e investimeve në incineratorin e Tiranës.
Ajo u pyet nga deputetët mbi raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe institucione të tjera shtetërore, sipas të cilave plani i investimeve nuk është zbatuar, e më pas pas shkeljes së afateve janë miratuar ndryshimet në këtë plan investimesh.
Po ashtu janë gjetur shkelje financiare dhe të afateve ligjore edhe gjatë ndërtimit të incineratorit të Fierit, për të cilat u pyet nga komisioni.
Zonja Haxhiademi theksoi se kontrata e inceneratorit të Tiranës ndyshon nga dy kontratat e tjera për incineratorët e Fierit dhe Elbasanit.
Ajo shpjegoi edhe mbi mospajtimet e Entit Regullator të Energjisë me Incineratorin e Elbasanit lidhur me çmimin e energjisë elektrike, që do të prodhohej në të.
Palët janë në proces gjyqësor, sepse ERE nuk shpall një çmim për energjinë elektrike të incineratorit të Elbasanit.
Përkundër deputetëve opozitarë që pyetjet i kanë përqendruar tek dyshimet mbi shkeljet dhe abuzimet financiare në këto incinerator, deputetët socialistë edhe sot i mëshuan më shumë ndikimit pozitiv që ato kanë patur në mjedisin e krahinave ku janë ndërtuar dhe përfundimit hap pas hapi të secilit impiant.
Partia Demokratike e kërkoi me ngulm këtë komision hetimor pas dyshimeve, qse me 3 incineratorët po ndodhnin abuzime të rënda me fondet publike dhe po shkeleshin procedurat ligjore me lejet, që i hapnin rrugën rryshfeteve.
Drejtuesit kryesorë të qeverisë dhe të partisë socialiste janë shprehur se PS nuk është zyra avokatie e askujt dhe se cdo zyrtar i dyshuar mund të mbajë përgjegjësi individuale para SPAK.
Kryeministri Edi Rama, i cili pritet të dëshmojë javën e ardhshme para komisionit hetimor, në përgjigje të komenteve të qytetarëve në Facebook, theksoi se lidhur me këtë temë ka zmadhime të qëllimshme mediatike dhe politike, dhe hetimet e SPAK do të zbulojnë të vërtetën.
Komisioni hetimor i parlamentit po punon paralelisht me SPAK, i cili arrestoi ish ministrin e mjedisit, Lefter Koka, nën akuzat për rryshfete deri 3.7 milionë euro, dhe pastrim parash dhe shpërdorim detyre lidhur me incineratorin e Elbasanit.
SPAK ka marrë sot në pyetje si dëshmitarë kryetarin e bashkisë së Fierit, Armand Subashi dhe dje deputetin socialist Alqi Bllako si ish sekretari i përgjithshëm në ministrinë e mjedisit.