Nënpresidentja amerikane Kamala Harris niset sot (të enjten) për në Gjermani për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë që mbahet në Mynih, ku do të përqëndrohet në konsultimin me aleatët mbi krizën Rusi-Ukrainë.
Zonja Harris pritet të takohet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg dhe udhëheqësit e Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë.
Të shtunën zonja Harris do të mbajë një fjalim ku pritet të nënvizohet uniteti që ekziston mes vendeve perëndimore dhe anëtarëve të NATO-s, në fushën diplomatike, atë ushtarake si dhe ekonomike.
“Nënpresidentja do të nënvizojë se uniteti është një burim force që do të na lejojë të përgjigjemi me shpejtësi dhe ashpër ndaj çdo agresioni të mëtejshëm rus”, u tha gazetarëve në një konferencë të mërkurën një zyrtar i lartë i administratës. “Fjalimi i saj do të përqëndrohet gjithashtu në garantimin e aleatëve dhe partnerëve tanë mbi përkushtimin tonë për të forcuar NATO-n dhe aleatët tanë përballë agresionit rus. Ajo do të flasë rreth asaj se si një sulm ndaj Ukrainës, do ta bëjë Rusinë më të dobët dhe jo më të fortë”, shtoi ai.
Zyrtarët thanë se synimi i përgjithshëm i udhëtimit është garantimi që aleatët perëndimorë të jenë plotësisht në një linjë si dhe që t'i dërgohet një mesazh i qartë Rusisë, rreth asaj që e pret në vazhdim.
Rusia ka mohuar se ka në plan të sulmojë Ukrainën dhe ditët e fundit ka njoftuar disa raunde tërheqjesh të trupave nga zonat përgjatë kufirit të saj me Ukrainën.
Shtetet e Bashkuara dhe NATO kanë thënë se nuk ka prova për ndonjë tërheqje dhe një zyrtar i lartë i administratës amerikane u tha gazetarëve të mërkurën se Rusia në fakt ka shtuar trupa në zonën kufitare.