Lidhje

Sulm kibernetik ndaj faqeve kryesore në internet të qeverisë ukrainase dhe të bankave


Njerëzit marrin pjesë në një ceremoni në Kiev për të shënuar përvjetorin e tërheqjes së trupave sovjetike nga Afganistani (15 shkurt 2022)
Njerëzit marrin pjesë në një ceremoni në Kiev për të shënuar përvjetorin e tërheqjes së trupave sovjetike nga Afganistani (15 shkurt 2022)

KIEV, Ukrainë - Një sulm kibernetik goditi faqet e agjensive qeveritare ukrainase dhe të bankave kryesore të martën, njoftuan autoritetet ukrainase.

Sulmi, më i fundit ndër disa operacione hakerësh kundër Ukrainës, erdhi pas disa javësh frike në rritje se Rusia mund ta sulmojë këtë vend fqinj. Rusia dërgoi të martën sinjale se mund të jetë duke u tërhequr nga stadi pranë pragut të sulmit, por fuqitë perëndimore kërkuan prova.

Të paktën dhjetë faqe ukrainase ndaluan së funksionuari për shkak të sulmeve kibernetike të llojit DDOS, përfshirë faqet e Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Kulturës dhe dy nga bankat më të mëdha shtetërore të Ukrainës.

Klientët e bankës më të madhe shtetërore “Privatbank” dhe të bankës tjetër shtetërore “Sberbank” raportuan probleme me pagesat online dhe me aplikacionet e bankave.

"Nuk ka rrezik për fondet e depozituara", tha në një deklaratë Qendra për Komunikimet Strategjike, e Ministrisë ukrainase të Informacionit. Zëvendësministri Victor Zhora konfirmoi sulmin kibernetik.

Ministria sugjeroi se Rusia mund të fshihet pas këtij incidenti, pa dhënë detaje të mëtejshme. "Është e mundur që agresori të ketë përdorur taktika të vogla keqbërjeje, për shkak se planet e tij agresive nuk po funksionojnë", thuhet në deklaratë.

Në mesin e janarit, Ukraina akuzoi Rusinë për autorësinë e sulmit kibernetik që çaktivizoi përkohësisht në të njëjtën kohë rreth 70 faqe interneti të qeverisë ukrainase. Gjatë sulmit të muajit të kaluar, një njoftim i vendosur nga hakerët thoshte se ukrainasit "duhet të frikësohen dhe të presin më të keqen".

Rusia organizoi në vitin 2017 një nga sulmet kibernetike më shkatërrimtare ndaj Ukrainës, duke përdorur virusin “NotPetya”, dhe duke shkaktuar rreth 10 miliardë dollarë dëme në mbarë botën. Virusi, i kamufluar si një program pirat ransomware, ndërkohë fshinte plotësisht rrjete të tëra kompjuterike.

Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Moskën publikisht se po përgatit sulmin ndaj Ukrainës dhe nënvizojnë se siguria kibernetike vazhdon të jetë një shqetësim parësor.

XS
SM
MD
LG