Mediat ruse cituan të martën ministrinë e Mbrojtjes të ketë thënë se disa trupa të vendosura afër Ukrainës po kthehen në bazat e tyre, pas përfundimit të stërvitjeve.
Agjencia ruse e lajmeve, Interfax, citoi ministrinë të ketë thënë se ndërsa stërvitjet në shkallë të gjerë në gjithë vendin po vazhdojnë, disa njësi të qarqeve ushtarake jugore dhe perëndimore përfunduan stërvitjet dhe filluan të kthehen në bazë.
Raportimet për lëvizjen e trupave bien ndesh me paralajmërimet nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania, se Rusia mund të jetë e gatshme të pushtojë Ukrainën në çdo kohë.
Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, tha se Britanisë do t'i duhet të shohë një largim të plotë të trupave ruse nga kufiri me Ukrainën, për të besuar se Moska nuk ka plane për një pushtim.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba, tha se Kievi do të "besojë në shtensionim”, vetëm pasi të shohë tërheqjen e Rusisë, njoftuan agjencitë ukrainase të lajmeve.
"Ne dëgjojmë vazhdimisht deklarata të ndryshme nga federata ruse, kështu që ne kemi një rregull ... besojmë atë që shohim. Nëse shohim tërheqjen, ne do të besojmë në ulje tensionesh", citohet te ketë thënë ministri Kuleba.
Pamjet e ministrisë së Mbrojtjes, të publikuara nga agjencia ruse e lajmeve RIA, shfaqën disa tanke dhe automjete të tjera të blinduara duke u ngarkuar në vagonë trenash.
Ministria tha se do të përdorte kamionë për të lëvizur disa pajisje, ndërsa disa trupa do të marshojnë vet drejt bazave të tyre.
Rusia ka grumbulluar mbi 100,000 trupa pranë kufijve të Ukrainës, përfshirë edhe një kontingjent të madh për stërvitjet e përbashkëta në Bjellorusi deri më 20 shkurt, që do të thotë se Ukraina është pothuajse e rrethuar nga ushtria ruse.
Moska e ka mohuar vazhdimisht se po planifikon të sulmojë Ukrainën, por po kërkon garanci ligjërisht të detyrueshme nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja që Kievi nuk do të lejohet të bashkohet me bllokun ushtarak. Uashingtoni dhe Brukseli deri më tani kanë refuzuar të bëjnë premtime të tilla.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, pritet të takohet më vonë të martën në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin, në një përpjekje për të shmangur luftën.