Lidhje

Kryeministri kanadez urdhëra emergjence për të ndalur protestat


Justin Trudeau
Justin Trudeau

Kryeministri kanadez Justin Trudeau ka vendosur të ushtrojë autoritetin që i jep ligji në rrethana emergjencash për të ndalur demonstratat që kanë paralizuar kryeqytetin dhe kanë bllokuar pikat kufitare në formë proteste ndaj kufizimeve kundër COVID-19ës.

Zoti Trudeau e bëri njoftimin të hënën në një fjalim drejtuar kombit, pasi zhvilloi një takim virtual me drejtuesit e provincave të Kanadasë.

"Këto bllokada janë të paligjshme, dhe nëse jeni ende duke marrë pjesë, tani është koha që të shkoni në shtëpi", tha zoti Trudeau.

Protestat e "Autokolonës së Lirisë" u filluan nga shoferët kanadezë të kamionave, të cilët kundërshtonin urdhëresat e qeverisë për t'u vaksinuar ose karantinuar. Demonstratat kanë tërhequr tashmë protestues të zemëruar për kufizimet e tjera për pandeminë, si dhe për politikat e administratës së zotit Trudeau.

Gjatë protestave jashtë godinës së parlamentit në Otavë (12 shkurt 2022)
Gjatë protestave jashtë godinës së parlamentit në Otavë (12 shkurt 2022)

Kryeministri Trudeau ka vendosur aktivizimin e Ligjit për Emergjencat të miratuar në vitin 1988, i cili i lejon qeverisë federale të tejkalojë autoritetin e provincave të Kanadasë.

Një variant i mëparshëm i këtij ligji është përdorur vetëm një herë në kohë paqeje, nga babai i zotit Trudeau, ish-Kryeministri Pierre Trudeau. Ai përdori fuqitë e këtij ligji në vitin 1970, kur një grup militantësh nga Kebeku rrëmbyen një diplomat britanik dhe një ministër të qeverisë së provincës.

Kryeministri Trudeau tha se masa e re e emergjencës "do të jetë e kufizuar, gjeografikisht e përcaktuar, si dhe e arsyeshme dhe në përputhje me rreziqet me të cilat duhet të përballet".

Të dielën, policia kanadeze largoi një karvan automjetesh që bllokonin Urën Ambassador që lidh Kanadanë me Shtetet e Bashkuara, pasi provinca e Ontarios shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për të shpërndarë demonstratat.

Autokolona kamionësh dhe mjetesh të tjera kanë mbingarkuar rrugët e kryeqytetit kanadez, Otava, për mbi dy javë, dhe autokolona të tjera kanë bllokuar pika të tjera më të vogla kufitare me Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG