Miliarda dollarë janë derdhur nga qeveria federale dhe ato shtetërore për të ndihmuar të pastrehët e Amerikës të mbijetojnë nga pandemia e koronavirusit. Dhe këto shpenzime po ndihmojnë - tani për tani. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias analizon nëse strategjitë e nxitura nga pandemia mund të jenë një zgjidhje afatgjatë për këtë problem kronik në Shtetet e Bashkuara.
Daniel Bow është mes më shumë se gjysmë milioni të pastrehë në Shtetet e Bashkuara. Një shitës gazetash, Danieli i kalon netët jashtë, shpesh në temperatura të ulta.
“Do të doja të merrja një shtëpi, por nuk është e lehtë. Kalon në disa prova dhe mundime. Duhet të nënshkruash disa letra apo dokumenta. Nuk do ta falin”, thotë Danieli
Por në këtë pandemi të COVID-19, jeta është përmirësuar për disa amerikanë të pastrehë.
Nga frika se virusi do të përhapej shpejt në strehimoret e mbushura me njerëz, qeveritë lokale dhe organizatat jofitimprurëse në të gjithë vendin nxituan të zhvendosnin të pastrehët në hotele, ku mund të izolohen dhe të marrin kujdes mjekësor.
Gjashtëdhjetë e dy vjeçarja Queenie Featherstone u kualifikua për këtë program në Uashington, D.C., që ka shkallën më të lartë të të pastrehëve për banorë në vend.
“Kam probleme shëndetësore dhe dëgjim të dëmtuar. Ndihem mjaft e sigurt. Strehimoret në të cilat kam qëndruar dhe kam fjetur nuk kanë qenë të mira.”
“Mundësia e të pastrehëve për të qëndruar në hotele e ka bërë shumë më të lehtë lidhjen e tyre me burimet. // Ne shohim norma më të larta të vaksinimit dhe qasje më të mirë në strehim të përhershëm për njerëzit që kanë mundur të hyjnë", thotë Brianne Nadeau me Këshillin e DC-së.
Në DC, autoritetet lokale tatuan të pasurit për të mbledhur 65 milionë dollarë për strehim të përhershëm. Dhe falë ndihmës të miratuar nga Kongresi për pandeminë, miliarda dollarë po derdhen për të ndihmuar amerikanët e pastrehë në mbarë vendin.
“Kjo përfshin 70,000 kupona strehimi emergjent që komunitetet mund t'i përdorin për të gjetur apartamente në tregun privat. // Si dhe pesë miliardë dollarë grante që ndihmojnë komunitetet të ndërtojnë njësi banimi”, thotë Richard Cho me Departamentin amerikan të Strehimit dhe Zhvillimit Urban.
Kjo është shumë, por edhe nevoja është e madhe.
Midis vitit 2019 dhe 2020 numri i individëve të pastrehë u rrit me 7%, nxitur nga mungesa e banesave dhe rritja e qirave veçanërisht në qytete si Los Anxhelesi.
“Vetëm strehimi nuk duket se rikthen stabilitetin mendor apo largon njerëzit nga droga dhe alkooli. //Kur rezultati duket modest, kjo çon në zhgënjim ose pasiguri nëse mund të vazhdosh të rrisësh financimin gjithnjë e më shumë", thotë Stephen Eide me Institutin për Kërkime të Politikave Publike.
Por strehimi i njerëzve në radhë të parë është ajo ku po përqëndrohet administrata e Presidentit Joe Biden. Kjo qasje ka qenë më pak e kushtueshme dhe më efektive, dhe komunitetet ofrojnë shërbime mbështetëse, thotë zoti Cho i Departamentit të Strehimit.
“Ne si taksapagues po shpenzojmë diku nga 40 deri në 60 mijë dollarë për shumë njerëz që kanë nevojë për strehim. Dhe zgjidhja aktuale, që ofron strehim dhe shërbime, shpesh nuk është më e shtrenjtë se 20 apo 25 mijë dollarë për person në vit dhe shpesh edhe shumë më pak se kaq“, thotë Richard Cho me Departamentin amerikan të Strehimit dhe Zhvillimit Urban.
Robert Warren, i cili drejton një grup mbrojtës, ka mbetur i pastrehë tre herë në jetën e tij. Ai thotë se mësimet nga pandemia COVID-19 duhet të qartësojnë një strategji afatgjatë për të pastrehët.
“Duhet të gatuajnë, pastrojnë, dhe të kujdesen për veten e tyre në një farë mënyre. Shumë nga këta njerëz duhet t'i mësojnë këto gjëra. Dhe burimet për t'i angazhuar ata nuk kanë qenë të mjaftueshme”, thotë Robert Warren me organizatën People for Fairness Coalition.
Për Queenie Featherstone, e cila u shërua nga COVID-19 në dhjetor, një dhomë më vete e bën atë më të qetë.
“Jam në gjendje për të punuar, sepse kjo është gjëja e duhur për të mbajtur një çati mbi kokë. Unë mund të jem një histori suksesi! Nuk jam e droguar, nuk jam alkooliste, nuk kam probleme mendore. Thjesht kam kaluar kohë të vështira”.
Ndërkohë, ajo planifikon të vazhdojë të shkojë çdo ditë në kampet e të pastrehëve për të mbështetur amerikanët me më pak fat, sado që të mundet.