Lidhje

Frank-Walter Steinmeier rizgjidhet si president i Gjermanisë


Frank-Walter Steinmeier u zgjodh për një mandat të dytë pesëvjeçar si president i Gjermanisë të dielën pasi një asamble e posaçme votoi për politikanin veteran në postin e rëndësishëm por kryesisht ceremonial.

Ai shihet si simbol i konsensusit dhe vazhdimësisë.

Zgjedhja e zotit Steinmeier me votim të fshehtë nga shumica e asamblesë që përbëhej nga anëtarët e Bundestagut dhe përfaqësues të 16 shteteve të Gjermanisë ishte e pritshme, pasi mbështetej gjerësisht nga shumica e partive kryesore të Gjermanisë në një kohë trazirash globale dhe pas ndryshimit të fundit të qeverisë.

Në fjalën e tij pas rizgjedhjes, presidenti Steinmeier kritikoi grumbullimin e trupave të ushtrisë ruse pranë Ukrainës, duke thënë se e paralajmëronte Presidentin Vladimir Putin të mos e nënvlerësonte forcën e demokracisë.

Demokracia zuri një vend të rëndësishëm në fjalimin e tij.

"Përgjegjësia ime është ndaj të gjithë atyre që jetojnë në vendin tonë. Unë jam jopartiak, por nuk jam neutral kur bëhet fjalë për kauzën e demokracisë. Ata që luftojnë për të mbrojtur demokracinë do të më kenë në krah. Ata që e sulmojnë do të më kenë kundërshtar," tha ai.

Ai premtoi gjithashtu se do të shërojë plagët e shkaktuara nga koronavirusi.

Zoti Steinmeier është presidenti i 12-të i Gjermanisë që pas Luftës së Dytë Botërore. Ai ishte këshilltar i lartë i qeverisë për ish-kancelarin Gerhard Shrëder dhe ministër i Jashtëm nën qeverisjen e ish-kancelares Angela Merkel.

XS
SM
MD
LG