Presidenti Joe Biden pritet të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv të premten për zhbllokimin e rreth 7 miliardë dollarëve të bankës qendrore afgane të ngrira në sistemin bankar të Shteteve të Bashkuara, për të financuar ndihmën humanitare në Afganistan dhe për të kompensuar viktimat e sulmeve të 11 shtatorit 2001 , sipas një zyrtari amerikan në dijeni të vendimit.
Sipas urdhrit, institucioneve financiare të SHBA-së duhet të bëjnë të mundur qasjen tek 3.5 miliardë dollarë për ndihmë dhe nevojat bazë të afganëve. 3.5 miliardë dollarët e tjerë do të mbeten në Shtetet e Bashkuara dhe do të përdoren për të financuar proceset gjyqësore të hapura nga viktimat amerikane të terrorizmit, tha zyrtari i cili foli në kushte anonimiteti, sepse vendimi nuk është shpallur zyrtarisht.
Financimet ndërkombëtare për Afganistanin u pezulluan dhe miliarda dollarë nga pronat e tij, që janë jashtë vendit, kryesisht në Shtetet e Bashkuara, u ngrinë pasi talebanët morën kontrollin e vendit në gusht.
Ekonomia e vendit që ka qenë gjithmonë në vështirësi, është zhytur edhe më shumë në krizë, që nga marrja e pushtetit nga Talibanët. Pandemia e COVID-19, mungesa e kujdesit shëndetësor, thatësira dhe kequshqyerja e ka bërë gjendjen edhe më të dëshpëruar.
Zyrtari amerikan tha se ndërkohë gjykatat amerikane, ku viktimat e 11 shtatorit kanë paraqitur padi kundër talebanëve do të duhet të marrin vendime për kompensimin e tyre.
Urdhëri ekzekutiv pritet të nënshkruhet nga presidenti Biden gjatë ditës së premte.
Talebanët i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të zhbllokojë fondet dhe të ndihmojë në parandalimin e një fatkeqësie humanitare.
Afganistani ka më shumë se 9 miliardë dollarë rezerva, përfshirë pak më shumë se 7 miliardë dollarë të mbajtura në Shtetet e Bashkuara. Pjesa tjetër është kryesisht në Gjermani, Emiratet e Bashkuara Arabe, Zvicër dhe Katar.
Talibanët pritet të jenë kundër vendimit të zotit Biden.