Në Shtetet e Bashkuara është shtuar së tepërmi interesi për automjetet elektrike ndërsa në mbarë botën po shtohen shqetësimet e rritjes së çmimit të karburantit dhe pasojave të ngrohjes globale nga emetimet e dioksidit të karbonit. Para pak ditësh në kryeqytetin amerikan u zhvillua panairi vjetor i makinave, ku doli në pah interesi i konsumatorëve dhe drejtuesve të industrisë së automobilëve për një të ardhme ku do të mbizotërojnë makinat tërësisht elektrike.
Makinat luksoze dhe futuristike japin idenë se si mund të duken ato në të ardhmen. Por, vëmendja e panairit vjetor të makinave në kryeqytetin amerikan është përqendruar kryesisht tek pavioni i automjteve elektike.
“Një nga arsyet që jam këtu është për të parë nga afër se çfarë planesh kanë për të ardhmen kompanitë e automjeteve lidhur me makinat elektrike apo hibride”, thotë për Zërin e Amerikës Jim Eastery, i cili po viziton panairin.
Tregu i makinave elektrike u rrit në shkallë globale me 41% gjatë vitit 2020. Kompanitë e mëdha si Tojota dhe Fordi aktualisht po prodhojnë më shumë modele elektrike, të cilat nuk janë vetëm efikase, por edhe miqësore për mjedisin.
“Vitet e fundit ka një kërkesë më të madhe për këto lloj automjetesh sesa në të kaluarën. Duket se konsumatorët, me të vërtetë duan të ulin ndotjet që shkakton dora e njeriut”, thotë për Zërin e Amerikës Maggie Clark, përfaqësuese e firmës Tojota.
Në hulumtimet për të zëvendësuar makinën e tij, Mark Spencer udhëtoi tre orë me djalin dhe babain e tij për të parë nga afër makinat elekrike. Ai dëshiron një makinë që përshkon distanca më të largëta dhe çmim më të përballueshëm, por ka edhe shqetësime të tjera.
“Duhet të ulin çmimin e makinave elektike në mënyrë që të gjithë të mund t’i përballojnë. Gjithashtu, nevojitet infrastruktura për t’i mbështetur këto automjete. Nuk mund të presësh 30 minuta për të karikuar makinën.”
Panairi i makinave në kryeqytetin amerikan, pas një viti pezullimi për shkak të pandemisë, ka në qendër të vëmendjes makinat elektrike dhe infrastrukturën e tyre.
Pavioni i makinave elektrike sponsorizohet nga rrjeti i stacioneve të karikimit të shpejtë “Electrify America” me qendër në Uashington që shtrihet në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Me temën “E ardhmja është Elektrike”, qëllimi i rrjetit “Electrify America” është që ta bëjë sa më të lehtë për konsumatorët transformimin tek makinat elektrike.
"Tesla ka tregtuar makina elektrike prej një kohe të gjatë. Problemi qëndron tek çmimi i lartë, kryesisht për njerëz të pasur. Nëse heqim firmën Tesla nga ekuacioni, dhe shtojmë kompanitë Nissan, General Motors, Toyota ose Hyunday, të cilat kanë tregje masive, vendi mund të përshtatet më shpejt, me një çmim më të përballueshëm.”
Presidenti i panairit, John O’Donnell, thotë se konsumatorët amerikanë kanë një mendje më të hapur për transformimin tek makinat elektrike ndërsa qeveria do të ofrojë subvencione dhe stimuj përmes planit të Presidentit Biden për infrastrukturën.