Lidhje

Japonia do të dërgojë rezerva gazi natyror në Evropë


Japonia ka vendosur të dërgojë disa nga rezervat e saj të gazit natyror në Evropë mes shqetësimeve në rritje për ndërprerjen e furnizimit për shkak të krizës në Ukrainë, tha të mërkurën Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë i Japonisë, Koichi Hagiuda.

Vendimi u mor pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe synon të ndihmojë vendet evropiane në kushtet e pasigurive në lidhje me furnizimet me gaz, mes shqetësimeve për një ndërhyrje të mundshme ruse në Ukrainë, tha zoti Hagiuda pas takimit me ambasadorin amerikan Rahm Emanuel.

Japonia është një nga importuesit kryesorë të gazit natyror të lëngshëm (GNL). Zoti Hagiuda tha se po kontribuon me rezervat e tepërta të gazit, pasi Japonia ka siguruar një sasi të mjaftueshme për nevojat e brendshme për shkurtin, muajin më të ftohtë.

Më herët gjatë ditës, Ministri Hagiuda u takua veçmas me ambasadorin Emanuel dhe ambasadoren e BE-së në Japoni, Patricia Flor dhe iu përgjigj pozitivisht kërkesave të tyre për të ndihmuar me gaz natyror.

Ambasadori Emanuel, me anë të një deklarate, përshëndeti vendimin e Japonisë.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë janë të shqetësuar se Rusia mund të ndërpresë furnizimin me gaz natyror për Evropën në mes të dimrit, si përgjigje ndaj sanksioneve të mundshme perëndimore ndaj Moskës.

XS
SM
MD
LG