Në Shqipëri, të martën, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Delegacioni i Bashkimit europian, i bënë thirrje deputetëve shqiptarë, përmes një deklarate të përbashkët, që të mbështesin zgjatjen e mandatit të institucioneve të Vettingut. Deklarata vjen ndërsa të enjten, parlamenti do të duhet të shprehet me votë për propozimin e shumicës për ndryshimet në kushtetutë që mundësojnë që veprimtaria e Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Komisionerëve publik të shtyhet deri në fund të vitit 2024. Afati për këto dy institucione skadon në qershor të këtij viti, dhe sipas përllogaritjeve, deri në atë kohë, të paktën 30 përqind e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk do t’i jetë nënshtruar procesit të rivlerësimit.
Në deklaratën e përbashkët të ambasadës amerikane dhe Delegacionit të BE-së vihet në dukje se “gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka bërë përparime domethënëse në reformat e anëtarësimit në BE. Ndër hapat më të vështirë, por thelbësorë, ka qenë miratimi dhe zbatimi i reformës në drejtësi. Jemi në një moment të rëndësishëm pasi reforma në drejtësi po jep rezultate”. Deklarata thekson më tej se “Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një element themelor i reformës në drejtësi. Për t’u mundësuar institucioneve të vetingut të kryejnë misionin e tyre, është i nevojshëm ndryshimi i kushtetutës për ta zgjatur mandatin e tyre për një periudhë të kufizuar. Komisioni i Venecias konfirmoi se zgjatja e propozuar është në përputhje me standardet evropiane dhe është e nevojshme për të garantuar barazinë para ligjit dhe sigurinë juridike”.
Në bazë të legjislacionit në fuqi, pas përfundimit të mandatit të KPK-së, rivlerësimi të mund të bëhet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për gjykatësit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për prokurorët. Por në këtë fazë, siç shprehet në Opnionin e tij dhe Komisioni i Venecias, një gjë e tillë rrezikon të çojë në mospërputhje të standardeve dhe praktikave të ndjekura deri tani.
Dhe një analizë e kryer më herët nga Instituti për Studime Publike dhe Ligjore (ISPL) vlerëson se “vettingu duhet të përfundojë njëherësh me përfundimin e KPK-së, që është, arsyeja pse ligjvënësi vendosi të krijonte një organ me një pushtet të tillë, të vetëm dhe të specializuar. Kjo arsye vijon të jetë aktuale, pavarësisht nga ekzistenca e Këshillave”. Analiza e ISPL-së, shpjegon më tej se “rivlerësimi kalimtar është një proces që u vendos të realizohej në një moment të caktuar, për një grup të caktuar. Ky proces, me kushtet dhe standardet që vendosi, do të duhet ta përmbyllë misionin për të cilin është krijuar. Qëllimi i ligjvënësit, kur ka përcaktuar mandatin 5 vjecar të funksionimit të tij, nuk ka qenë që pas 5 viteve ky organ të zëvendësohej, por ka qenë që këto 5 vite të ishin të mjaftueshme që ky organ ta përmbushte këtë detyrë. Vetëm për të rregulluar raste përjashtimore, nëse do të ngeleshin pa u shqyrtuar, ligjvënësi parashikoi garancinë që procesi do të vijohej nga Këshillat”.
MIratimi i zgjatjes së mandateve kërkon dy të tretat e votave në parlament, ose mbështetjen e 94 nga 140 deputetëve. Demokratët kanë patur kritika të forta ndaj zbatimit të reformës në Drejtësi, dhe nuk kanë dalë ende me një vendim të prerë ndaj zgjatjes ose jo të mandatit.
Në deklaratën e të martës, ambasada amerikane dhe Delegacioni i BE-së nënvizojnë se “zgjatja e propozuar e vetingut mbështetet fuqishëm nga miqtë e Shqipërisë që dëshirojnë ta shohin Shqipërinë në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo nuk është çështje partiake. Shpresojmë që të gjithë deputetët – pavarësisht nga përkatësia partiake – ta shohin këtë si një çështje të interesit kombëtar dhe të votojnë në përputhje me të, ashtu siç kanë mbështetur gjithmonë rrugën evropiane të Shqipërisë. Vota për zgjatjen e vetingut është votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE”, përfundon deklarata.