Lidhje

Benedikti XVI pranon se kishte bërë "gabime", kërkon falje lidhur me skandalin e abuzimeve seksuale


Papa Benedikti XVI kërkoi falje të martën për ato që ai i quajti "gabime" në mënyrën se si u trajtuan akuzat për abuzim seksual gjatë kohës që ai ishte arqipeshkv i Mynihut.

Megjithëse ai pranoi se ishin bërë gabime, avokatët e tij kanë argumentuar se ai nuk mban asnjë përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Benedikti, që ishte kreu i Kishës Katolike para Papa Françeskut, nuk kërkoi falje.

I njohur në atë kohë si Kardinali Joseph Ratzinger, Benedikti, tani 94 vjeç, ishte arqipeshkv nga viti 1977 deri në vitin 1982.

Ai e pranoi gabimin në një letër bashkëngjitur një raporti të bërë publik muajin e kaluar që analizonte abuzimet në Mynih nga viti 1945 deri në vitin 2019.

Raporti i kërkuar nga arqidioqeza, identifikon rreth 500 viktima të abuzimit. Sipas tij, Benedikti nuk mori masa në katër raste.

Letra është përgjigja e tij e parë ndaj raportit.

"Kam patur përgjegjësi të mëdha në Kishën Katolike. Aq më e madhe është dhimbja ime për abuzimet dhe gabimet që ndodhën në vende të ndryshme gjatë mandatit tim," shkruan ai.

Ai shprehu gjithashtu trishtimin për viktimat.

“Edhe një herë shpreh turpin dhe pikëllimin tim të thellë për të gjitha viktimat e abuzimit seksual. Kërkoj falje me gjithë zemër."

Letra e Benediktit u shoqërua me një analizë të raportit nga katër avokatët e tij.

"Si arqipeshkv, kardinali Ratzinger nuk ishte i përfshirë në asnjë mbulim të akteve të abuzimit," shkruajtën ata, duke shtuar se raporti nuk vërtetonte asnjë provë që Benedikti dinte për katër rastet.

Letra e Benediktit shkaktoi zemërimin e të mbijetuarve të abuzimit, të cilët thanë se kisha ishte përgjegjëse për "relativizimin e përhershëm të çështjeve të abuzimit – duke thënë se janë bërë gabime, por pa e marrë askush përgjegjësinë konkrete."

Ata shtojnë se "Joseph Ratzingeri nuk arrin të deklarojë se i vjen keq që nuk ka bërë më shumë për të mbrojtur fëmijët që i ishin besuar kishës së tij”. Kjo do të ishte një shprehje e sinqertë.

XS
SM
MD
LG