Lidhje

SHBA: Raporti, thirrje për strategji të re në luftën kundër epidemisë së opioideve


Zjarrfikësi Jim Terrero trajton një viktimë të mbidozës në Nju Hempshir, në mars të vitit 2018.
Zjarrfikësi Jim Terrero trajton një viktimë të mbidozës në Nju Hempshir, në mars të vitit 2018.

Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për një strategji të shpejtë, të shumëanshme dhe një drejtues në nivel kabineti për të luftuar epideminë e mbidozës nga opioidet, thuhet në një raport të një komisioni dypartiak të Kongresit.

Me drogat sintetike jashtëzakonisht të forta si fentanoli që shkakton vdekje rekord nga mbidoza, pasojat e rënda të opioideve pritet të jenë në qendër të vëmendjes së ekspertëve të shëndetit publik pas përfundimit të pandemisë së COVID-19. Kjo zhvendosje e vëmendjes pritet në muajt e ardhshëm thonë ekspertët.

"Kjo është një nga sfidat tona më të ngutshme të sigurisë kombëtare, forcave të zbatimit të ligjit dhe shëndetit publik, dhe ne duhet të bëjmë më shumë si vend dhe qeveri për të mbrojtur burimin tonë më të çmuar, jetën e amerikanëve", tha Komisioni për Luftën kundër Trafikimit të Opioideve Sintetike. Raporti prej 70 faqesh u publikua të martën për Kongresin, Presidentin Joe Biden dhe popullin amerikan.

Raporti parashikon një strategji dinamike, që do të mbështetej në forcat e zbatimit të ligjit dhe diplomacinë për të ndërprerë burimet e paligjshme të kimikateve të përdorura për prodhimin e opioideve sintetike. Kjo përfshinë ofrimin e trajtimit dhe mbështetjes për njerëzit që bëhen të varur, duke krijuar rrugë që mund të çojnë në rikthimin e tyre tek një jetë produktive. Raporti propozon edhe investime në projekte studimi për të kuptuar më mirë ndikimin e varësisë tek opioidet në trurin e njeriut dhe për të zhvilluar trajtimet e nevojshme.

Pandemia globale e koronavirusit ka lënë në hije epideminë amerikane të opioideve në dy vitet e fundit, por njoftimet e fundit se vdekjet nga mbidoza arritën në mbi 100,000 brenda një viti tërhoqën vëmendjen e publikut. Legjislacioni federal për trajtimin e krizës së opioideve fitoi mbështetje dypartiake gjatë administratës së presidentit Obama dhe presidentit Trump.

Ligjvënësi demokrat David Trone, bashkë-kryetar i komisionit që nxorri raportin, tha se ai beson se ende ka mbështetje dypartiake për trajtimin e kësaj çështje dhe kjo përshtatet me qasjen pragmatike të presidentit Biden. “Presidenti ka qenë i qartë”, tha ligjvënësi Trone. "Këto janë dy çështje të mëdha në Amerikë: varësia tek opioidet dhe shëndeti mendor."

Qeveria amerikane në dekadat e fundit ka humbur në "luftën kundër drogës".

Kjo është bërë një çështje më urgjente tani që fentanoli, një qetësues sintetik 80 deri në 100 herë më i fuqishëm se morfina, është bërë gjërësisht i disponueshëm. Ky mund të përzihet me ilaçe të tjera të paligjshme dhe të paketohet si një qetësues kundër dhimbjes i dhënë me recetë ose si ilaç kundër ankthit. Lëndët e para kimike prodhohen kryesisht në Kinë. Rrjetet kriminale në Meksikë kontrollojnë prodhimin dhe shpërndarjen e tyre në Shtetet e Bashkuara.

30,000 pilula fentanoli të kapura nga forcat e rendit në Arizona, në gusht të vitit 2017.
30,000 pilula fentanoli të kapura nga forcat e rendit në Arizona, në gusht të vitit 2017.

Strategjia federale në luftën kundër drogës tradicionalisht ka theksuar rëndësinë e forcave të zbatimit të ligjit dhe dënimet me burgim të gjatë. Por kjo tani shihet si një qasje me paragjykime racore dhe kundërproduktive, sepse përdorimi i drogës është i trajtueshëm. Vlera e trajtimit kohët e fundit ka fituar mbështetje më të gjërë për shkak të ilaçeve efektive kundër varësisë dhe strategjive më të vjetra si grupet mbështetëse që ndihmojnë përdoruesit të heqin dorë nga drogat.

Raporti mbështet përpjekjet e forcave të zbatimit të ligjit dhe trajtimin, por thekson nevojën e një sinkronizimi të përpjekjeve të tyre.

“Nëpërmjet punës së tij, komisioni arriti të kuptojë pamundësinë e zvogëlimit të disponueshmërisë së opioideve sintetike të paligjshme përmes përpjekjeve që përqëndrohen vetëm tek zingjiri i furnizimit”, thuhet në raport.

"Përparimi i vërtetë mund të arrihet vetëm duke bashkuar përpjekjet për ndërprerjen e furnizimit të paligjshëm me opioide sintetike me uljen e kërkesave të brendshme të Shteteve të Bashkuara për këto droga", thuhet në raport.

Raporti rekomandon ato që i quan pesë "shtylla" të veprimit që mund të ndërmarr qeveria:

— Ngritja e Zyrës së Politikave Kombëtare të Kontrollit të Drogës në Shtëpinë e Bardhë për të vepruar si qendër e përpjekjeve të qeverisë federale dhe ngritjen e postit të drejtorit të saj në nivel të anëtarit të Kabinetit të Presidentit.

— Ndërprerja e furnizimit të paligjshëm me drogë nëpërmjet veprimeve të koordinuara më mirë nga forcat e zbatimit të ligjit.

— Ulja e kërkesave për droga të paligjshme përmes trajtimit dhe përpjekjeve për të zbutur dëmin ndaj njerëzve të varur. Programet e trajtimit duhet të ndjekin "praktikat më të mira" të bazuara në shkencë.

— Përdorimi i diplomacisë për të kërkuar ndihmë nga qeveritë e tjera për të ndërprerë zingjirin e furnizimit me kimikate të paligjshme që rrjetet kriminale përdorin për të prodhuar fentanol.

— Zhvillimi i mjeteve të survejimit dhe analizimit të të dhënave për të dalluar prirjet e reja në përdorimin e drogave të paligjshme përpara se ato të shndërrohen në probleme të mëdha për shoqërinë.

Në punën e komisionit morën pjesë si anëtarë pa të drejtë vote, zyrtarë të nivelit të lartë të degës ekzekutive të qeverisë amerikane, duke përfshirë përfaqësues nga forcat e zbatimit të ligjit, departamentet e Shtetit, Thesarit dhe Sigurisë Kombëtare, komuniteti i inteligjencës dhe Shtëpia e Bardhë. Zyrtarët e administratës thanë se presidenti Biden ka lëshuar tashmë dy urdhra ekzekutivë për të luftuar trafikimin e fentanolit dhe i ka bër thirrje Kongresit të miratojë kërkesën e tij për 41 miliardë dollarë për të trajtuar epideminë e mbidozës.

Në deklaratat e përgatitura, anëtarët e komisionit republikanë theksuan përgjigjen e forcave të rendit. "Ne duhet të dyfishojmë përpjekjet tona për të siguruar kufirin kundër trafikimit të paligjshëm duke vënë në shënjestër grupet meksikane të trafikimit të drogës që përmbysin rrugët tona me opioide të paligjshme dhe të detyrojmë Kinën të godas industrinë e saj farmaceutike që furnizon kartelet me përbërës bazë të përdorur për prodhimin e opioideve sintetike", tha ligjvënësi republikan Fred Upton.

Ligjvënësi demokrat David Trone tha se për trajtimin e këtij problemi është i nevojshëm bashkëpunimi nga të dyja partitë politike. “Ne duhet të tejkalojmë këtë mjedis toksik në Uashington”, tha ai. “Sepse 100,000 njerëz që humbën jetën janë burra, motra, nëna, baballarë. Si vend, ne jemi më të mirë se kaq”.

XS
SM
MD
LG