Lidhje

SHBA: Arrin në 900 mijë numri i vdekjeve nga COVID-19


Numri i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara nga COVID-19 arriti të premten në 900,000, më pak se dy muaj pasi arriti shifrën 800,000, sipas Universitetit Johns Hopkins. Rritja i atribuohet pjesërisht variantit shumë ngjitës Omicron.

Kjo shifër vjen pas më shumë se 13 muajsh që kur filloi fushata e vaksinimit që është shoqëruar me përhapje të informacioneve të rreme dhe përplasjesh politike e ligjore, megjithëse injeksionet kanë rezultuar të sigurta dhe shumë efektive në parandalimin e rasteve të rënda dhe vdekjes.

"Është një numër jashtëzakonisht i lartë. Po t'u kishe thënë shumicës së amerikanëve dy vjet më pare kur pandemia filloi se ajo do të shkaktonte vdekjen e 900,000 amerikanëve në vitet pasuese, mendoj se shumica e njerëzve nuk do ta kishin besuar," thotë Dr. Ashish K. Jha, dekan i Fakultetit të Shëndetit Publik në Universitetin Brown.

Ai shtoi se është për të ardhur keq që shumica e vdekjeve kanë ndodhur pasi vaksinat e morën autorizimin.

"Ne dështuam në mënyrën se si t'i ndihmonim njerëzit të vaksinohen, të luftonim disinformimin, të mos ta politizonim këtë çështje," tha zoti Jha. "Në këtë drejtim dështuam si Amerikë."

Vetëm 64% e popullsisë është plotësisht e vaksinuar, ose rreth 212 milionë amerikanë, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Dr. Jha parashikon numri i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara do të arrijë në1 milion deri në prill.

Megjithatë rastet e reja ditore me COVID pothuajse janë përgjysmuar që nga mesi i janarit, kur arritën shifrën rekord prej më shumë se 800,000.

Rastet kanë qenë në rënie në 49 nga 50 shtete gjatë dy javëve të fundit, sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins, dhe shteti i 50-të, Maine, njofton se infeksionet e konfirmuara po bien edhe atje.

Po ashtu numri i amerikanëve të shtruar në spital me COVID-19 ka rënë me 15% që nga mesi i janarit në rreth 124,000.

Zyrtarët e shëndetit publik kanë shprehur shpresën se periudhës më të keqe të Omicronit po i vjen fundi dhe disa shtete po shqyrtojnë mundësinë e lehtësimit të masave paraprake.

XS
SM
MD
LG