Lidhje

Ndikimi i pandemisë tek mënyra e shfaqjes së filmave të rinj


Ndikimi i pandemisë tek mënyra e shfaqjes së filmave
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:50 0:00

Ndikimi i pandemisë tek mënyra e shfaqjes së filmave

Ndërsa kompanitë kinematografike po rifillonin të shfaqnin përsëri filma në kinema në fund të vitit të kaluar, varianti Omicron po përhapej me shpejtësi, duke detyruar një rikthim tek modeli hibrid, duke i nxjerrë filmat në qarkullim njëkohësisht në kinema dhe në platforma transmetimi me bazë internetin. Tani që mënyra tradicionale e shikimit të filmave të ri ka ndryshuar, industria e filmit përballet me pyetjen se si duhet matur suksesi i një filmi në kohën e pandemisë së COVID-19.

Filmi “Spider-Man: No Way Home” i tejkaloi të gjitha pritshmëritë financiare pas debutimit në kinema. Sipas Forbes.com, historia e tretë e serisë së filmave ekskluzivë të Spider-Man-it, ku personazhet kryesore luhen nga aktorët Tom Holland, Zendaya dhe Benedict Cumberbatch, solli një fitim të jashtëzakonshëm prej 1.63 miliardë dollarësh në mbarë botën që kur filloi të shfaqej në kinema në dhjetor, duke e bërë atë filmin më të suksesshëm nga fitimet të kompanisë Sony. Filmi ende nuk është shfaqur në Kinë. Përgjegjësi për çmimet i kompanisë Variety, Clayton Davis thotë se ka më shumë se një arsye për suksesin e filmit të ri Spider-Man.

"Nuk mund të fitoni 260 milionë dollarë në fundjavën e parë të shfaqjes së një filmi vetëm nga grupet e moshave të reja. Mendoj se të gjithë shkuan për ta parë këtë film sepse njerëzit ishin të lodhur nga izolimi në shtëpi", thotë ai.

“Njerëzit kishin pritshmërinë se kjo do të ishte një përvojë e mrekullueshme, shikimi i një filmi në ekranin e madh, me cilësi të lartë dhe aktrim të mirë", thotë Richard Craig, nga Universiteti George Mason.

Richard Craig, profesor i komunikimit në Universitetin George Mason, gjithashtu thotë se suksesi financiar i filmit Spider-Man është nxitur nga audienca e tij që tani përbëhet nga breza të ndryshëm.

“Shumë njerëz si unë u rritën duke parë serinë e filmave Spider-Man, dhe tani kemi brezat e rinj që ndjekin serinë e këtyre filmave. Djali im është një adhurues i filmit Spider-Man. Historia e filmave Spider-Man është paraqitur në tre versione të ndryshme së fundmi. Pra, ajo kalon shumë linja të ndryshme, duke reflektuar ndryshimet në identitetin tonë si njerëz”, thotë ai.

Sipas Insider.com, tre filmat më të suksesshëm vitin e kaluar ishin prodhuar nga kompania Marvel, “Spider-Man: No Way Home”, “Shang-Chi and the Legend of Ten Rings” dhe “Venom: Let there be Carnage”. Të gjithë këta filma u shfaqën në kinema, pavarësisht ndryshimit të situatës me pandeminë.

Nga ana tjetër, filmat e shumëpritur si "The Matrix Resurrections" i regjisores Lana Wachowski dhe filmi “Dune” i regjisorit Denis Villeneuve u shfaqën në mënyrë hibride, në kinema dhe platformat në internet dhe patën një paraqitje më të dobët. Sipas Variety.com, regjisori Denis Villeneuve fajësoi vendimin e kompanisë Warner Bros për ta transmetuar filmin në platforma hibride, pra në kinema dhe internet, për paraqitjen e tij të dobët. Por Angela Watercutter e kompanisë Wired.com thotë se nuk ka një matës të vetëm të saktë që mund të tregoj se sa i suskseshëm ka qenë një film i shfaqur në platformat hibride, sepse nuk është e qartë se sa njerëz kanë parë filmin në shtëpi, pasi llogaritë e shërbimeve të shfaqjes së filmave në internet shpesh ndahen mes anëtarëve të një familje dhe miqve.

Ndërsa të tjerët mund t'i shikojnë filmat falas në faqe të internetit, që kanë siguruar filmin në mënyrë të paligjshme përmes grupeve të piraterisë.

Richard Craig thotë se Hollywood-it do t'i duhet të gjejë mënyra të reja për të matur suksesin dhe për të siguruar fitime nga transmetimi në internet i filmave, sepse, ai beson se kjo platformë transmetimi nuk do të largohet, duke marrë parasysh që ka një kosto të lartë për funksionimin e kinemave, veçanërisht gjatë pandemisë:

“Edhe pas COVID-it, a ka më kuptim që ata të na dërgojnë në kinema dhe të na detyrojnë të kemi qasje në këta filma vetëm për shtatë deri në tetë javë në këtë vend të veçantë? Apo është më fitimprurëse për ta që të na lejojnë t’i shikojmë filmat në kohën tonë të lirë, qoftë kjo nëpërmjet abonimit apo një lloj mekanizmi tjetër reklamues që ata mund ta krijojnë?"

Kjo mbetet për t'u parë në një industri që vazhdon të ndryshojë.

XS
SM
MD
LG