Vdekjet nga aksidentet rrugore dhe mbidozat e drogës shënuan rritje dramatike në Shtetet e Bashkuara gjatë vitit 2021. Korrespondenjta e Zërit të Amerikës, Dora Mekouar i hedh një vështrim ndikimit që mund të ketë pandemia në sjelljet e rrezikshme të amerikanëve.
Një rritje dramatike e vdekjeve në aksidente rrugore dhe numër rekord i mbidozave të drogës. Ndërsa pandemia COVID-19 ende vazhdon të jetë e pranishme, ka tregues shqetësues se më shumë amerikanë po angazhohen në sjellje të rrezikshme.
“Ka një efekt nga pandemia që po shfaqet në mënyrën se si paraqitemi në punë, familje, ngarjen e makinës, dhe sigurisht vendimet që marrim kur kemi zgjedhjen për të konsumuar substanca të dëmshme për shëndetin”, thotë Jane Terry nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë.
Më shumë se 38 mijë vetë vdiqën nga aksidentet rrugore në Shtetet e Bashkuara gjatë vitit të parë të pandemisë. Kjo është shifra me lartë që nga viti 2007.
“Ne po shohim më pak përdorim të rripave të sigurisë dhe norma më të larta shpejtësie në rrugë. Ne po shohim përdorim më të madh të substancave që ndikojnë në mënyrën se si njerëzit ngasin makinën dhe rreziqet që ata marrin kur janë në rrugë”, thotë Shannon Frattaroli nga Qendra për Studimin e Lëndimve dhe Politikave në Universitetin Johns Hopkins.
Pandemia ka rritur pasigurinë e vendit të punës dhe atë ekonomike për shumë amerikanë. Ajo ka ndikuar edhe në marrëdhëniet ndërpersonale.
“Aftësia për të komunikuar dhe për t’u shoqëruar me njerëz të tjerë në prani fizike ka qenë e kufizuar. Jemi bërë gjithnjë e më të izoluar”, thotë zonja Frattaroli.
Një numër rekord njerëzish, mbi 96 mijë, vdiqën nga mbidoza në Shtetet e Bashkuara në vitin 2021. Kjo është një rritje prej 30 për qind krahasuar me vitin e paraprak.
“Ne e dimë se abuzimi me substancat u rrit gjatë pandemisë. Shumë njerëz përdorin alkool dhe drogë për të përballuar stresin që po përjetojmë. Pra, disa njerëz tashmë kishin probleme përpara pandemisë, që u përkeqësuan më tej. Dhe më pas disa njerëz, të cilët nuk kishin probleme më parë, përjetuan nivele kaq të larta të stresit saqë përdorën substanca për ta përballuar atë”, thotë psikologia Maria Espinola.
Ka mundësi për të gjetur zgjidhje për këto probleme. Për shembull, Qendra për Studimin e Lëndimeve dhe Politikave në Universitetin Johns Hopkins thotë se vdekjet në trafikun rrugor mund të zbuten nëse paratë e ndara për infrastrukturën përdoren për të trajtuar edhe arsyet e gabimeve të ngasësve të makinës. Për shembull, kryqëzimet me katër drejtime të prirura për aksidente mund të zëvendësohen me unaza për të lehtësuar trafikun.
Kur bëhet fjalë për abuzimin me substancat, Këshilli Kombëtar i Sigurisë thotë se punëdhënësit amerikanë duhet të rrisin përfitimet e punës, duke përfshirë ofrimin e më shumë shërbimeve për trajtim dhe rikuperim nga abuzimi me substancat.
Por, për momentin, kjo epidemi në këtë kohë pandemie nuk po tregon shenja të ngadalësimit.