Lidhje

Koreja e Veriut lëshon raketë me rreze të mesme veprimi


Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike me rreze të mesme veprimi të dielën herët, sipas ushtrisë së Koresë së Jugut, prova me rrezen më të gjatë të veprimit që Pheniani ndërmerr prej mbi katër vjetësh.

Ushtria koreano-jugore thotë se raketa koreano-veriore u lëshua nga provinca veriore e Jagangut - duke përshkuar një distance prej 800 kilometrash dhe duke arritur një lartësi prej rreth 2,000 kilometrash.

Qeveria japoneze njoftoi se raketa fluturoi për rreth 30 minuta.

Këto statistika të lënë të kuptosh se Koreja e Veriut mund të jetë në gjendje të testojë raketa me rreze më të gjatë veprimi.

Është raketa e 11-të që Koreja e Veriut lëshon këtë muaj, duke vendosur një rekord të ri mujor.

Në një deklaratë, Komanda Indo-Paqësore e ushtrisë amerikane dënoi testin dhe i bëri thirrje Koresë së Veriut që të mos ndërmarrë akte të mëtejshme destabilizuese.

Japonia dhe Koreja e Jugut mbajtën seanca urgjente të këshillave të tyre të sigurisë kombëtare.

Në një deklaratë, presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in dënoi provën si shkelje të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Me provat e shumta me raketa, Pheniani duket se synon të paktën pjesërisht të ushtrojë presion mbi Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut në mes të një pauze të zgjatur në bisedimet bërthamore.

XS
SM
MD
LG