NATO njoftoi këtë javë se do të përforcojë forcat në rajonin e Detin Balltik dhe Shtetet e Bashkuara kanë urdhëruar 8,500 trupa në gadishmëri për dislokim të mundshëm në Evropë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine, përpjekjet diplomatike vazhdojnë ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja shtojnë përgatitjet e tyre ushtarake.
Grumbullimi ushtarak i Rusisë përgjatë kufirit të saj me Ukrainën dhe Bjellorusinë po vazhdon, tha presidenti Joe Biden para gazetarëve në Uashington të martën, duke shtuar se ai tani është gati të rrisë praninë amerikane dhe të NATO-s në Evropën Lindore, por nuk do të dërgojë trupa amerikane në Ukrainë.
“Ia bëra të qartë presidentit Putin se nëse do të shkonte në Ukrainë, do të kishte pasoja të rënda, përfshirë sanksione të rëndësishme ekonomike. Ndihem i detyruar të forcoj praninë tonë, praninë e NATO-s, në frontin lindor, Poloni, Rumani etj“, tha presidenti Biden.
I pyetur nëse do të konsideronte sanksione personale ndaj Presidentit rus Vladimir Putin, Bideni tha se PO, do ta bënte.
Shtetet e Bashkuara, Britania, Australia dhe Gjermania kanë urdhëruar familjet e diplomatëve që jetojnë në Kiev të largohen nga Ukraina.
Disa zyrtarë ukrainas thonë se kjo është e nxituar.
"Ne duhet të qëndrojmë të qetë sot. Në realitet, ne nuk e shohim situatën që po fryhet tani në media", tha Oleksiy Danilov, sekretar i Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare të Ukrainës.
E pyetur nëse Shtetet e Bashkuara pajtohem me vlerësimin e Ukrainës, sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha.
“Askush nuk mund të hyjë në mendjen e Presidentit Putin apo udhëheqjes ruse. Kemi parë një sërë përgatitjesh, përfshirë 100,000 trupat në kufi, retorikën luftarake dhe veprimet e tjera siç kemi folur këtu, përpjekjet për të përhapur dezinformata në të gjithë rajonin dhe madje edhe në botë, duke ngritur presupozimin për një pushtim”.
Të hënën, Presidenti Biden tha se pati një takim shumë të mirë dhe se Shtetet e Bashkuara janë në unitet të plotë me aleatët kryesorë evropianë.
Kancelari gjerman Olaf Scholz mirëpriti presidentin francez Emmanuel Macron në Berlin të martën dhe të dy ranë dakord se Rusia do të përballet me sanksione të rënda nëse pushton Ukrainën. Presidenti Macron tha se do të fliste me Presidentin Putin të premten.
Përpjekjet diplomatike vijnë pasi Rusia po dërgon trupa dhe pajisje ushtarake në Bjellorusi, duke shqetësuar vëzhguesit.
“Mendoj se trupat në Bjellorusi janë shqetësuese. Sigurisht kjo e pozicionon Rusinë më mirë nëse do të zgjidhte të hynte në Ukrainë. Vështirë të thuhet në këtë kohë nëse Presidenti Putin po bën bllof apo po përpiqet të arrijë atë që dëshiron pa luftë”, thotë William Hartung me Institutin Quincy.
Të shtunën, Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi një video të avionëve luftarakë rusë duke u nisur drejt Bjellorusisë për të marrë pjesë në stërvitjet e përbashkëta në shkurt. Rusia thotë se nuk po planifikon të pushtojë Ukrainën, pavarësisht nga grumbullimi i trupave dhe pajisjeve përgjatë kufirit dhe në Bjellorusi, dhe po akuzon Shtetet e Bashkuara për "përshkallëzimin e situatës”.