Lidhje

Kryeministrat maqedonas dhe bullgarë: Kemi vullnet për përparim të shpejtë në marrëdhëniet e ndërsjella


Takim i qeverive maqedonase dhe bullgare në Sofje
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:28 0:00

Takim i qeverive maqedonase dhe bullgare në Sofje

Kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski me një pjesë të kabinetit të tij qëndroi të hënën dhe të martën për takime në Sofje, ku u zhvillua një takim i përbashkët i qeverive të të dy vendeve. Ndonëse të dyja palët shprehën vullnet për t’i çuar përpara marrëdhëniet, ende nuk ka përparim për bllokimin që Bullgaria i ka bërë Shkupit për çeljen e negociatave me BE-në.

Brenda një jave, kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë me gjithë anëtarët e kabineteve të tyre u takuan për të dytën herë, kësaj radhe në Sofje. Dy vendet që kanë një çështje të madhe të hapur midis tyre, si ajo e historisë dhe mosnjohjes së gjuhës së fqinjit më të vogël, duket se po krijojnë hapësirë për përparimin në fusha të tjera të bashkëpunimit.

Anëtarët e dy qeverive nënshkruan tre memorandume bashkëpunimi në fushën e bujqësisë; për bashkëpunim midis kompanive të vogla dhe të mesme dhe për një linjë të përbashkët hekurudhore Shkup-Sofje. Dje dhe sot grupet e punës të formuara menjëherë pas vizitës së zotit Petkov në Shkup kanë paraqitur detyrat dhe projektet në takimet midis dy qeverive.

Kryeministri bullgar Kiril Petkov dhe ai maqedonas Dimitar Kovaçevski folën në një konferencë për gazetarë duke u përqendruar tek ekonomia.

“Ne me Dimitarin vërejtëm një nivel tjetër entuziazmi të punës dhe përcaktimeve për një regjim të ri të punës së komisioneve”, tha zoti Petkov, ndërsa bëri të ditur se në katër muajt e ardhshëm do të mbahen tre takime zyrtare dhe shumë punë intensive ndërmjet këtyre takimeve.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski shpreson se përmes këtyre takimeve do të arrihet deri tek konferenca ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, përkatësisht hapjen e bisedimeve për anëtarësim.

“Sa i përket çështjeve politike, kriteri i suksesit është nëse me anë të dialogut në të gjitha këto komisione dhe me dialog politik midis dy qeverive, arrijmë marrëveshje dhe brenda një afati të shkurtër të hapim konferencën ndërqeveritare me Bashkimin Evropian”, u shpreh ai.

Qeveria bullgare është e interesuar që Korridori 8 të kthehet si çështje me përparësi e Bashkimit Evropian.

Kryeministri bullgar Kiril Petkov, i cili e mori drejtimin e qeverisë në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar shikohet si një politikan i moderuar, por për shkak të koalicionit qeveritar, sipas analistëve bullgarë dhe maqedonas, është i kufizuar për t’i lëshuar pé Shkupit.

Bullgaria ka vënë veton ndaj Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian ku bën pjesë, duke kërkuar nga fqinji lindor që të njohë rrënjët bullgare të maqedonishtes; të njohë identitetin bullgar të një pjese të figurave historike apo heronjve të cilët kujtohen nga të dy kombet; të heqë dorë nga pretendimet për pakicë maqedonase në rajonin e Pirinit në Bullgari dhe së fundmi ka theksuar kërkesën për njohjen me kushtetutë të pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut.

Megjithëse Shkupi në këto javët e fundit shikon tone konstruktive në Sofje, një pjesë e kërkesave bullgare këtu konsiderohen si synim për rrënimin e identitetit maqedonas për çka nuk ka gatishmëri të bisedohet.

Vetoja bullgare po mban peng edhe Shqipërinë, teksa shumica e vendeve të BE-së ngulin këmbë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të mos ndahen në këtë periudhë të rrugëtimit drejt integrimit evropian.

XS
SM
MD
LG