Lidhje

TI: Shqipëria, një pikë rënie në Indeksin e Korrupsionit, Kosova, përmirësim me tre pikë


Organizata Transparency International nxorri të martën raportin e përvitshëm për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në botë ku arrin në përfundimin se 86 për qind e 180 vendeve dhe territoreve, kanë bërë pak ose aspak përparim në luftën kundër korrupsionit në 10 vitet e fundit.

Raporti që analizon zhvillimet e vitit të kaluar, e vë theksin tek lidhja mes korrupsionit dhe nivelit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, nga vendet me më shumë korrupsion e deri tek ekonomitë e përparuara.

TI: Shqipëria, një pikë rënie në Indeksin e Korrupsionit. Kosova, përmirësim me tre pikë
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:20 0:00

“Qasjet autoritare shkatërrojnë sistemin e pavarur të kontrolleve dhe balancave e pavarura dhe bëjnë që përpjekjet kundër korrupsionit të jenë të varura nga tekat e elitës. Garancia që njerëzit të mund të flasin lirshëm dhe të punojnë kolektivisht për ta vënë pushtetin para përgjegjësisë është e vetmja rrugë e qëndrueshme drejt një shoqërie pa korrupsion”, shprehet kryetarja e Bordit të Drejtorëve të organizatës Transparency International, në një koment lidhur me botimin e raportit.

Transparency International përdor një sistem llogaritjeje të indeksit nga zero në 100 pikë, ku zero është niveli më i lartë i korrupsionit dhe 100 pikë do të thotë mungesë korrupsioni.

Shqipëria ka pasur një rënie prej një pike në krahasim me vitin e kaluar, nga 36 në 35 pikë. Ndërsa Kosova ka shënuar përmirësim, me 39 pikë, tre pikë më lart sesa një vit më parë. Një përmirësim prej katër pikësh ka shënuar Maqedonia e Veriut, nga 35 në 39, ndërsa Mali i Zi është mes vendeve të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore me numrin më të lartë të pikëve, 46 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit.

Në krye të listës, me nivelin më të ulët të korrupsionit këtë vit janë Danimarka, Finlanda dhe Zelanda e Re, ndërsa Somalia, Siria dhe Sudani i Jugut kanë gjendjen më të keqe.

Për herë të parë, raporti ofron edhe një analizë krahasuese për gjendjen e korrupsionit në dhjetë vitet e fundit. Evropa Lindore dhe Azia Qendrore është i dyti në botë përsa i përket korrupsionit të lartë.

Vitin e kaluar, vazhdoi të binte në sy mënyra se si qeveritë e përdorën pandeminë e COVID-19 si pretekst për të ndrydhur liritë civile dhe për të vazhduar mungesën e transparencës.

“Mund të themi se këtë vit nuk po shohim ndonjë ndryshim të madh në rajonin e Ballkanit Perëndimor përsa i përket Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit. Dhe do të thosha se ky është lajm i keq, pasi që vendet të bëjnë përparim më të madh ekonomik, politik, social dhe që qytetarët të ndjejnë efektet e reformave dhe që jeta e tyre të përmirësohet, duhet të shohim rezultate shumë më të mira”, i tha Zërit të Amerikës Lidija Prokic, Këshilltarja për Evropën Lindore dhe Juglindore e Transparency International.

“Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, shohim kryesisht ngecje, por stanjacioni vjen pas një rënieje serioze dhe kjo nuk përcjell ndonjë mesazh shpresëdhënës”, shtoi ajo.

Shqipëria

Shqipëria ka pasur një rënie prej një pike në krahasim me vitin e kaluar, nga 36 në 35 pikë.

“Në Shqipëri gazetarët përballen me padi dhe frikësime, përfshirë kontrollin e tepruar të informacionit në lidhje me reagimet ndaj COVID-19. Për më tepër, shqetësime për dhunën e policisë gjatë protestave dhe shkelje të lirisë së grumbullimit janë regjistruar gjatë gjithë pandemisë”, thuhet në raport.

Zonja Prokic e konfirmon një gjë të tillë.

“Ka pasur përpjekje për të miratuar ligje që frenojnë seriozisht lirinë e shprehjes. Dhe këto mund të mos duken direkt të lidhura me anti-korrupsionin, por në të vërtetë janë. Që mekanizmat kundër korrupsionit të funksionojnë mirë, që vendet të kenë sukses në luftën ndaj korrupsionit, ato kanë nevojë për media të lirë, kanë nevojë për shoqëri të lirë civile”, thotë ajo.

Po ashtu zonja Prokic thotë se janë vënë re “disa reagime joproporcionale të forcave të rendit kur bëhet fjalë për protesta publike, protesta të qytetarëve”.

Në raport thuhet se pandemia u përdor gjithashtu si një justifikim për të reduktuar mbikëqyrjen dhe llogaridhënien për prokurimet publike dhe shpenzimet e ndihmës së huaj, duke lejuar që korrupsioni të përhapet gjerësisht.

“Shqetësimi ynë lidhur me prokurimet publike në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë është fakti se qeveritë kanë përdorur pandeminë e Covid-it si pretekst për të mos dhënë informacione për shpenzimet publike”, thotë ajo.

Zonja Prokic e pranon se ndryshimet në ligjin për prokurirmet publike, shkojnë në drejtimin e duhur, por ajo thekson se ato duhet të zbatohen “në mënyrë konsistente, të paanshme dhe pa asnjë përjashtim”.

Zonja Prokic thotë se më e rëndësishme se sa rënia ose rritja me një pikë në Indeksin e Perceptimit për Korrupsionit, është prirja e përgjithshme.

“Kur flasim për Shqipërinë këtë vit, rezultati është 35 pikë, ndërsa për shembull, dhjetë vjet më parë, rezultati i Shqipërisë ishte 33 pikë, kështu që mund të themi vetëm se ka pasur shumë pak përparim në këtë periudhë 10 vjeçare. Dhe kjo sigurisht nuk është diçka për të cilën mund të jemi optimistë”, thotë zonja Prokic.

Ajo thotë se hapa të tillë si miratimi i reformës zgjedhore janë të rëndësishme, por zbatimi është më i rëndësishëm.

Në dekadën e fundit, niveli më i ulët ka qenë në vitin 2013, ndërsa më i larti në vitin 2016 kur u miratua reforma në drejtësi.

Zonja Prokic thotë se në të gjithë Ballkanin Perëndimor, përfshirë sigurisht edhe në Shqipëri, qeveritë kanë prirjen ta trajtojnë anti-korrupsionin duke miratuar rregullore dhe duke ndryshuar ligje.

“Reforma në drejtësi në Shqipëri ka bërë një përparim domethënës deri më tani dhe ajo që ne e shohim si veçanërisht pozitive është se disa raste po trajtohen nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion”, thotë ajo.

Por…

“Ajo që mungon është vullneti politik për ndryshim real, ndryshim praktikash, ndryshim të sjelljes institucionale, në të njëjtën kohë që miratohen ndryshime në ligje dhe ndërmerren rregullore të reja”.

Lexoni në fund të artikullit intervistën e plotë me zonjën Prokic.

Në kushtet e një kontrolli të konsiderueshëm nga partia në pushtet dhe një opozite të dobësuar nga lufta e brendshme, zonja Prokic thotë se “përqendrimi i pushtetit është një problem serioz kur bëhet fjalë për efektivitetin e luftës kundër korrupsionit, por është gjithashtu problem nga pikëpamja e demokracisë dhe përsa i takon shoqërisë në përgjithësi”.

“Sigurisht që çdo qeveri duhet të vihet para përgjegjësisë dhe kjo vlen ndoshta akoma më shumë për qeveritë që kanë qenë në pushtet për një kohë shumë të gjatë. Qeveria e Shqipërisë thotë shpesh se vendi është i gatshëm të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Megjithatë, kjo nuk është shoqëruar me ndryshime demokratike që janë të rëndësishme për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, por edhe sepse qytetarët kanë nevojë për këto ndryshime thjesht për një jetë më të mirë”, thotë ajo.

Kosova

Kosova ka shënuar përmirësim, me 39 pikë, tre pikë më lart sesa një vit më parë.

“Në Kosovë ka pasur tranzicione paqësore pushteti mes qeverive në vitet e fundit.”, thuhet në raport.

Po ashtu sipas raportit, vendi tregoi një vullnet të sinqertë për luftuar korrupsionin, duke hetuar udhëheqës të akuzuar për korrupsion.

“Situata nuk është ende ideale por janë hedhur disa hapa në drejtimin e duhur përsa i takon financimit të partive politike dhe fushatave”, thotë zonja Prokic.

Kosova ishte i vetmi vend në rajon dhe një nga vetëm pesë vendet në Evropë që nuk i transferoi kompetencat vendim-marrëse tek ekzekutivi por i mbajti në parlament.

“Mund ta themi me siguri që fakti që janë bërë përpjekje për të pasqyruar vullnetin e qytetarëve edhe në kohët më të vështira, është një vendim i përgjegjshëm nga ana e qeverisë dhe për mendimin tonë është shumë e rëndësishme që edhe në rrethana të jashtëzakonshme institucionet të vazhdojnë të kryejnë rolin e tyre”, thotë zonja Prokic.

Në 10 vite, Kosova ka pasur një rritje prej pesë pikësh, nga 34 në vitin 2012, në 39 në vitin 2021.

Intervistë me Këshilltaren për Evropën Lindore dhe Juglindore në Transparency International, Lidija Prokic.

Zëri i Amerikës: Zonja Prokic, Transparency International thotë në raportin e fundit se rajoni ku ndodhet Ballkani Perëndimor (Evropa Lindore dhe Azia Qendrore), është i dyti me rezultatet më të ulëta për sa i përket korrupsionit. Cilat janë sfidat e vazhdueshme të këtij rajoni?

Lidija Prokic: Mund të themi se këtë vit nuk po shohim ndonjë ndryshim të madh në rajonin e Ballkanit Perëndimor përsa i përket Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit. Dhe do të thosha se ky është lajm i keq, pasi që vendet të bëjnë përparim më të madh ekonomik, politik, social dhe që qytetarët të ndjejnë efektet e reformave dhe që jeta e tyre të përmirësohet, duhet të shohim rezultate shumë më të mira.

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, shohim kryesisht ngecje, por stanjacioni vjen pas një rënieje serioze dhe kjo nuk përcjell ndonjë mesazh shpresëdhënës.

Zëri i Amerikës: Zonja Prokic, këtë vit shohim se Shqipëria ka një rënie prej një pike (nga 36 pikë vitin e kaluar në 35). A mund të na jepni një tablo për situatën ku ndodhet vendi dhe çfarë e ka shkaktuar këtë rënie?

Lidija Prokic: Po, është e vërtetë. Shqipëria ka një rënie prej një pike në rezultatin e Indeksit të Korrupsionit, ndërsa para një viti kishte një rritje me një pikë. Por mesazhi që ne përpiqemi të përcjellim vazhdimisht është se ky ndryshim i vogël, një pikë më shumë ose një pikë më pak, nuk është aq i rëndësishëm sa prirja e përgjithshme. Kur flasim për Shqipërinë këtë vit, rezultati është 35 pikë, ndërsa për shembull, dhjetë vjet më parë, rezultati i Shqipërisë ishte 33 pikë, kështu që mund të themi vetëm se ka pasur shumë pak përparim në këtë periudhë 10 vjeçare.

Dhe kjo sigurisht nuk është diçka për të cilën mund të jemi optimistë.

Zëri i Amerikës: A mund të na thoni konkretisht cilat janë problemet kryesore që po hasni në studimet tuaja në lidhje me Shqipërinë dhe nivelin e korrupsionit atje?

Lidija Prokic: Kemi vënë re disa ndryshime pozitive që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe (dhjetë vjeçare).

Janë miratuar disa ligje dhe po shkojnë në drejtimin e duhur. Po ashtu procesi i reformës në drejtësi ka filluar të marrë formë. Megjithatë, ajo që është më e rëndësishme është që këto reforma të zbatohen dhe të zbatohen në mënyrë të vazhdueshme dhe të paanshme, pavarësisht se kush do të fitojë dhe kush mund të humbasë nëse ligjet zbatohen në mënyrë të vazhdueshme.

Një drejtim tjetër që është shumë problematik në Shqipëri dhe në vendet e tjera të rajonit është marrëdhënia që ka qeveria me median dhe sjellja e zyrtarëve të qeverisë.

Ka pasur përpjekje për të miratuar ligje që frenojnë seriozisht lirinë e shprehjes. Dhe këto mund të mos duken direkt të lidhura me anti-korrupsionin, por në të vërtetë janë. Që mekanizmat kundër korrupsionit të funksionojnë mirë, që vendet të kenë sukses në luftën ndaj korrupsionit, ato kanë nevojë për media të lirë, kanë nevojë për shoqëri të lirë civile. Duhet të lejohen këto organizata të shoqërisë civile të veprojnë lirshëm dhe të raportojnë për rastet e korrupsionit dhe të ngrenë shqetësime sa herë që gjejnë diçka që nuk është në përputhje me ligjin. Dhe pastaj është detyrë e institucioneve shtetërore t’i ndjekin këto shqetësime. Dhe nëse këto pretendime nuk janë të vërteta, institucionet do të ishin në gjendje ta konfirmonin një gjë të tillë.

Por për sa kohë frenohet liria e medias dhe për sa kohë që shoqëria civile nuk është e përfshirë në procesin e reformës, nuk themi dot që mekanizmat që janë vendosur janë plotësisht funksionale.

Zëri i Amerikës: Zonja Prokic, në raport thuhet se një nga shqetësimet e mëdha për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit, është se pandemia u përdor si pretekst për të dobësuar mbikqyrjen dhe llogaridhënien për prokurimet publike dhe shpenzimet e ndihmave të huaja. A mund të komentoni lidhur me këtë shqetësim?

Lidija Prokic: Shqetësimi ynë lidhur me prokurimet publike në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë është fakti se qeveritë kanë përdorur pandeminë e Covid-it si pretekst për të mos dhënë informacione për shpenzimet publike.

Në të njëjtën kohë, ne jemi të vetëdijshëm se Shqipëria ka vënë në fuqi ligjin e ri ose ndryshimet në ligj për prokurimet publike dhe këto ndryshime po shkojnë në drejtimin e duhur. Megjithatë, ato duhet të zbatohen, ashtu si çdo rregullore tjetër që ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit. Duhet të zbatohen në mënyrë konsistente, të paanshme dhe pa asnjë përjashtim.

Zëri i Amerikës: Çfarë mund të thoni lidhur me shqetësimet shkeljet e së drejtës për grumbullim dhe dhunës në prosta, gjatë kohës së pandemisë?

Lidija Prokic: Fatkeqësisht kemi parë disa reagime joproporcionale të forcave të rendit kur bëhet fjalë për protesta publike, protesta të qytetarëve. Dhe gjithashtu ka qenë shumë e qartë nga raportimet se edhe gazetarët kanë qenë objektiv i kësaj përgjigjeje joproporcionale nga policia. Kjo sigurisht që nuk është diçka inkurajuese Ndoshta mund të shtrohet pyetja se cila është lidhja me antikorrupsionin?

Në vendet ku gazetarët ngacmohen ose frikësohen, shohim se ato nuk kanë rezultate përsa i përket luftës kundër korrupsionit, ato nuk ecin mirë në asnjërin nga këto dy drejtime. Nga ana tjetër kur vendet dhe qeveritë respektojnë të drejtat e njeriut, lirinë e shtypit, lirinë e tubimit, lirinë e shprehjes, sigurisht që këto janë parakushte të mira për një luftë efektive kundër korrupsionit. Dhe në të kundërt, nëse shohim se policia po përdor forcë kundër demonstruesve paqësorë ose reagon në një mënyrë joproporcionale, dhe veçanërisht kur gazetarët bëhen objektiva të reagimit të policisë, edhe pse është shumë e qartë se janë gazetarë dhe se janë duke raportuar për këto zhvillime, kjo nuk është shenjë pozitive.

Diçka tjetër që do të doja të theksoja është se ka pasur raste kur gazetarët janë bërë objekt i disa deklaratave frikësuese të zyrtarëve të qeverisë gjatë pandemisë. Dhe ka disa raporte që tregojnë se atyre nuk u është lejuar qasje në informacionin për trajtimin e pandemisë.

Kjo tregon qartë mungesën e transparencës nga ana e qeverisë, por gjithashtu krijon një atmosferë mosbesimi ndaj gazetarëve në shoqëri dhe i vë ata lehtësisht në shënjestër të kujtdo që ka diçka kundër raportimit të tyre. Pra, për të shënuar përparim të ndjeshëm, është sigurisht e rëndësishme që qeveria të krijojë një mjedis ku gazetarët të mund të operojnë lirisht, të raportojnë lirshëm, ku organizatat e shoqërisë civile dhe mediat të mund të kenë qasje të plotë në informacione me rëndësi publike dhe qytetarët të jenë të lirë të shprehin mendimin e tyre, edhe nëse bëhet fjalë për protesta paqësore.

Zëri i Amerikës: Siç e kemi parë ndër vite jo vetëm Transparency International, por edhe organizata të tjera, kanë vënë në dukje nivele të larta të korrupsionit në Shqipëri. Nga ana tjetër, qeveria thotë se po bën gjithçka për të luftuar korrupsionin. Si përgjigjeni ju, duke pasur parasysh mospërputhjen mes qëndrimeve të qeverisë dhe gjetjeve tuaja?

Lidija Prokic: Do të thoja se në të gjithë Ballkanin Perëndimor, përfshirë sigurisht edhe Shqipërinë, qeveritë kanë prirjen ta trajtojnë anti-korrupsionin duke miratuar rregullore dhe duke ndryshuar ligje. Dhe megjithëse kjo është sigurisht e rëndësishme dhe e nevojshme, është po aq e rëndësishme që të ketë një vullnet politik për të zbatuar të gjitha ato reforma. Dhe siç e kam përsëritur disa herë, ato ligje duhet të zbatohen në mënyrë konsistente dhe të paanshme, pavarësisht se kush vihet në shënjestër nga zbatimi i këtyre ligjeve.

Reforma në drejtësi në Shqipëri ka bërë një përparim domethënës deri më tani dhe ajo që ne e shohim si veçanërisht pozitive është se disa raste po trajtohen nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion.

Ajo që mungon është vullneti politik për ndryshim real, ndryshim praktikash, ndryshim të sjelljes institucionale, në të njëjtën kohë që miratohen ndryshime në ligje dhe ndërmerren rregullore të reja.

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri, partia e maxhorancës ka shumë pushtet dhe partia më e madhe opozitare është mbërthyer në luftë të brendshme politike, që ia dobëson pozitat për të bërë opozitë të fortë në parlament. Si mendoni se ndikon kjo tek përpjekjet për të përmirësuar demokracinë dhe për të luftuar korrupsionin, që raporti i organizatës i sheh të lidhura?

Lidija Prokic: Përqendrimi i pushtetit është një problem serioz kur bëhet fjalë për efektivitetin e luftës kundër korrupsionit, por është gjithashtu problem nga pikëpamja e demokracisë dhe përsa i takon shoqërisë në përgjithësi.

Sigurisht që çdo qeveri duhet të vihet para përgjegjësisë dhe kjo vlen ndoshta akoma më shumë për qeveritë që kanë qenë në pushtet për një kohë shumë të gjatë. Qeveria e Shqipërisë thotë shpesh se vendi është i gatshëm të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Megjithatë, kjo nuk është shoqëruar me ndryshime demokratike që janë të rëndësishme për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, por edhe sepse qytetarët kanë nevojë për këto ndryshime thjesht për një jetë më të mirë.

Një zhvillim dekurajues do të thoja është që në ndryshimet e fundit që Shqipëria ka miratuar në legjislacionin zgjedhor nuk janë përfshirë përmirësime lidhur me kërkesat për transparencën në financimin e partive politike dhe fushatave zgjedhore. Ky është jo vetëm një shans i humbur, por edhe tregues se në ç’nivel është synimi për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Zonja Prokic, Kosova përmendet në raport si një nga shembujt e vendeve që kanë shënuar përmirësim, duke shënuar një rritje prej tre pikësh. Cilëve faktorë u atribuohet kjo rritje?

Lidija Prokic: Po është e vërtetë dhe ne jemi të inkurajuar nga përmirësimet në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.

Arsyet e këtij përmirësimi mund t’i atrubuohen kryesisht zhvillimit demokratik të vendit dhe kjo ka të bëjë me faktin se në Kosovë kohët e fundit pati tranzicion paqësor të pushtetit, fakti që qeveria që ka tani pushtetin fitoi në zgjedhje dhe që janë përmirësuar edhe disa elementë të tjerë të rëndësishëm për integritetin politik. Situata nuk është ende ideale por janë hedhur disa hapa në drejtimin e duhur përsa i takon financimit të partive politike dhe fushatave.

Zëri i Amerikës: Sipas raportit gjatë pandemisë Kosova ishte i vetmi vend në rajon dhe një nga vetëm pesë vendet në Evropë që nuk i transferoi kompetencat vendim-marrëse tek ekzekutivi por i mbajti në parlament. Cilat janë disa nga mësimet që mund të nxirren për rajonin dhe si e ndihmon kjo Kosovën të bëjë përpara?

Lidija Prokic: Mund ta themi me siguri që fakti që janë bërë përpjekje për të pasqyruar vullnetin e qytetarëve edhe në kohët më të vështira, është një vendim i përgjegjshëm nga ana e qeverisë dhe për mendimin tonë është shumë e rëndësishme që edhe në rrethana të jashtëzakonshme institucionet të vazhdojnë të kryejnë rolin e tyre. Kosova në këtë drejtim ka qenë një shembull shumë i mirë, duke lënë parlamentin të kryejë detyrat e veta gjatë periudhës së pandemisë.

Ndoshta kjo lidhet edhe me ndryshimin e qeverisë që ndodhi pothuajse në të njëjtën kohë.

Po ashtu Kosova po ndërmerr disa hapa në drejtim e duhur në luftën kundër korrupsionit.

Por pavarësisht këtij përmirësimi prej tre pikësh, ka ende shumë për të bërë, për shembull kur bëhet fjalë për transparencën lidhur me prokurimin publik si edhe me emërimet publike.

Zëri i Amerikës: Edhe Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi shënuan rritje. A mund t’i përmblidhni gjetjet për këto vende?

Lidija Prokic: Në Maqedoninë e Veriut (39 pikë nga 35 vitin e kaluar), qeveria e kaluar vuri në zbatim disa plane vërtet gjithëpërfshirëse për të luftuar korrupsionin, dhe ndryshoi shumë rregullore për shembull ato që kanë të bëjnë me nepotizmin në punësimin në institucionet publike. Kjo u bë kryesisht në konsultim me shoqërinë civile, përfshirë kolegët tanë në Maqedoninë e Veriut, si dhe Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Pra, është premtuese të shohim se qeveria ka ndjekur rrugën e përfshirjes së institucioneve të pavarura dhe shoqërisë civile në vendimet që ka marrë dhe ka miratuar këtë legjislacion. Sinjal tjetër pozitiv është që prokuroria po ndjek rastet e korrupsionit kur bëhet fjalë për zyrtarë të nivelit të lartë që akuzohen për vepra korruptive. Dhe kjo është diçka që duhet të vazhdojë jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por në mbarë rajonin.

Mali i Zi ka shënuar një rritje prej një pike (nga 45 në 46), pra nuk mund të them se është ë shumë domethënëse, por disa ndryshime pozitive që kemi vënë re janë për shembull që tani i gjithë informacioni për shpenzimet publike vihet në dispozicion në mënyrë proaktive.

Po ashtu një ndryshim tjetër i rëndësishëm janë përmirësimet në ligjin për lirinë e informacionit. Megjithatë, mbetet për t'u parë nëse këto ndryshime do të zbatohen në mënyrë konsistente.

XS
SM
MD
LG