MEKSIKË - Një gazetare është vrarë në qytetin verior kufitar Tihuana, e dyta në këtë qytet brenda një jave, dhe e treta në Meksikë brenda këtij muaji.
Presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador bëri thirrje të hënën për një hetim të plotë dhe paralajmëroi kundër daljes në konkluzione të parakohshme për motivin e vrasjes së Lourdes Maldonado Lopez, një gazetare nga Tihuana që dikur i kishte kërkuar ndihmë.
Zonja Maldonado u gjet e vrarë me armë në makinën e saj të dielën, sipas prokurorisë së zonës Baja California. Autoritetet konfirmuan se u njoftuan nëpërmjet një telefonate në numrat e urgjencës rreth orës 19:00 dhe e kanë gjetur zonjën Maldonado të vdekur. Në vitin 2019, zonja Maldonado kishte marrë pjesë në konferencën e përditshme për shtyp të zotit Lopez Obrador dhe kishte kërkuar ndihmën e tij pasi ishte e frikësuar për jetën e saj.
Zonja Maldonado ishte angazhuar në një përplasje shumëvjeçare me Jaime Bonillan, i cili një vit më vonë u zgjodh guvernator i rajonit Baja California, si kandidat i partisë së zotit Lopez Obrador, partia Morena. Ai u largua nga posti vitin e kaluar.
Zonja Maldonado kishte njoftuar rishtazi se pas nëntë vitesh kishte fituar procesin ndaj një kompanie mediatike në pronësi të zotit Bonilla.
Organizata e shtypit "Neni 19" tha përmes rrjetit social Twitter se zonja Maldonado mbulonte çështjet e korrupsionit dhe politikën në Tihuana dhe ishte përballur me agresion edhe më parë për shkak të punës së saj. Ajo ishte e regjistruar në sistemin shtetëror të mbrojtjes për gazetarët që janë kërcënuar, por nuk dihet se cilat ishin masat e sigurisë.
Të hënën, zoti Lopez Obrador tha se një hetim ishte i nevojshëm për të ditur "nëse ka një lidhje me ankesën e bërë për arsye të punës dhe për të parë se kush është përgjegjës".
"Nuk mund ta lidhësh automatikisht një padi pune me një krim. Nuk është e përgjegjshme të nxitosh për të gjykuar. Duhet të presësh", tha presidenti. Ai shtoi se pasi ajo erdhi në konferencën e tij për shtyp në vitin 2019, ai e ndihmoi atë, por nuk specifikoi se si.
Zonja Maldonado kishte bashkëpunuar me shumë media, por kohët e fundit po bënte një emision në internet, në radio dhe televizion, "Brebaje", i fokusuar tek zhvillimet lokale.
Një tjetër gazetar i Tihuanas, fotografi Margarito Martínez, u vra me armë jashtë shtëpisë së tij më 17 janar. Ai ishte i mirënjohur për raportimin e skenave të krimit në qytetin e rrënuar nga dhuna. Ai punoi për gazetën lokale të lajmeve "Cadena Noticias", si dhe për media të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare.
Nuk ka asnjë indicie se vrasjet janë të lidhura. Tihuana është shkatërruar nga dhuna e drogës, ndërsa kartelet rivale luftojnë për kontrollin e pikave fitimprurëse të kontrabandës kufitare dhe tregtinë e drogës në rrugët e Tihuanas.
Meksika është vendi më i dhunshëm në hemisferën perëndimore për gazetarët, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.