Banorët e mbetur të një fshati të vijës së parë në Ukrainë thonë se po vazhdojnë të përpiqen të jetojnë normalisht, pavarësisht frikës se Rusia mund të jetë duke planifikuar një sulm ndaj rajonit të tyre. Banorët e mbetur nuk i kanë parë për një kohë të gjatë të afërmit e tyre, pasi ata kanë frikë nga rreziku i shpërthimit të një lufte.
Shumica e banorëve kanë lënë shtëpitë e tyre në fshatin Katerinivka, që ndodhet rreth 800 metra larg vijës së frontit, por ata që vendosën të qëndrojnë ende shpresojnë për paqe.
Zonja Liubov, një banore e fshatit tha se është shumë e rrezikshme për nipin e saj që të udhëtonte për ta vizituar atë.
"As fëmijët tanë dhe as nipërit nuk mund të na vizitojnë. Nipi im është tashmë 13 vjeç. Unë dua ta shoh atë dhe ai dëshiron të vijë këtu, por ata nuk vijnë dot", thotë ajo.
Qendra e fshatit ka pak më shumë njerëz në mëngjes, kur një dyqan ushqimor lokal hap dyert dhe njerëzit shkojnë për të blerë bukë.
Por rrugët në periferi të fshatit, që ndodhen më afër vijës së frontit, janë bosh.
Ushtarët në vijën e frontit thonë se ende kanë shpresë për një të ardhme më të mirë për Ukrainën.
"Unë mendoj se ne do t'i bashkohemi NATO-s dhe Amerika do të na ndihmojë", tha ushtari ukrainas Serhii Ushakov.
Volodymyr, një tjetër ushtar ukrainas, tha se nuk e kuptonte pse Ukraina nuk ishte pjesë e diskutimeve për çështjen nëse ajo duhet të lejohet të anëtarësohet në NATO.
Kjo shihet si një çështje kyçe pas grumbullimit të trupave ushtarake të Rusisë në kufirin e saj me Ukrainën.
“Është gabim kur dy vende diskutojnë të ardhmen e një vendi tjetër. Edhe ne duhet të marrim pjesë në bisedime dhe të japim mendimin dhe vizionin tonë për këtë situatë”, tha ai
Duke marrë parasysh grumbullimin e rreth 100,000 trupave ruse afër kufirit të Rusisë me Ukrainën, shumë vende perëndimore kanë frikë se Moska po përgatit një pushtim, megjithëse Rusia e ka mohuar këtë.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre po përpiqen të paraqesin një front të bashkuar për të parandaluar një pushtim, ose të koordinojnë një përgjigje të ashpër, nëse Rusia ndërmerr një sulm ndaj Ukrainës.
Presidenti rus Vladimir Putin mori kontrollin e gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014 dhe mbështeti një kryengritje separatiste në Ukrainën lindore, në të cilën u vranë më shumë se 14,000 njerëz.
Zoti Putin u përball me pasoja të kufizuara ndërkombëtare për këto veprime, por Perëndimi thotë se përgjigja këtë herë do të ishte më e fortë.