Presidenti Joe Biden thotë se "ka njëfarë përparimi" pas tetë raunde bisedimesh midis Iranit dhe gjashtë fuqive të mëdha botërore mbi programin bërthamor të Teheranit. Por, Rusia, anëtare e rëndësishme e grupit të gjashtëshes, po zhvillon bisedime dy palëshe me udhëheqjen e Iranit.
Fuqitë e mëdha botërore në muajt e fundit janë angazhuar në bisedime delikate me Iranin, me shpresën për të ringjallur marrëveshjen e vitit 2015 për të frenuar programin e armëve bërthamore të Teheranit.
Marrëveshja u prish në vitin 2018, kur ish-presidenti Donald Trump i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja. Gjashtë vendet që janë pjesë e marrëveshjes, të njohura si grupi P5+1, krijuan mundësinë që Uashingtoni dhe Teherani të zhvillojnë bisedime indirekte, që kur presidenti Joe Biden vendosi t'i bashkohej marrëveshjes vitin e kaluar.
Në vitin 2019, Irani filloi të shkelte gradualisht kufizimet, duke alarmuar Perëndimin.
Raundi i tetë i bisedimeve përfundoi këtë muaj pa përparim të rëndësishëm, por Presidenti Biden tha se është optimist.
"Nuk është koha për t'u dorëzuar. Po bëhet përparim në këto bisedime. Grupi P5+1 ka të njëjtin qëndrim, por mbetet për t'u parë", tha ai.
Por, një prej anëtarëve të grupit P5+1, Rusia, u takua veçmas me zyrtarët iranianë. Të mërkurën, presidenti rus Vladimir Putin priti presidentin e Iranit, i cili tha se gjashtë palët mund të mos jenë plotësisht dakord për të gjitha hapat që duhet të ndërmerren.
"Ne jemi në një situatë unike që ka krijuar një bashkëpunim të konsiderueshëm midis dy vendeve kundër unilateralizmit të Perëndimit dhe fuqisë amerikane", tha presidenti iranian.
Ata që kanë ndjekur nga afër zhvillimet në Iran thonë se mund të ketë arsye për shpresë.
“Unë mendoj se baza për vlerësimin që ka bërë Presidenti Biden është se, nga pikëpamja analitike, mund të arrihet një marrëveshje. Dhe kjo marrëveshje do të kërkonte që Irani të respektonte detyrimet e tij sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve dhe një zgjatje të dispozitave të perëndimit që do t’i jepnin fund kufizimeve ndaj programit iranian për pasurimin e uraniumit. Pra, nga pikëpamja analitike, ju mund të shihni strukturën e një marrëveshjeje. Por pyetja është nëse ka hapësirë politike në Teheran për të nënshkruar marrëveshjen”, thotë Robert Litwak nga Qendra Wilson.
Zëri i Amerikës i kërkoi zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, më shumë hollësi mbi optimizmin e Presidentit Biden.
“Jemi në negociata diplomatike. Ne i kemi shprehur në mënyrë të qartë qëndrimet dhe synimet tona mbi çështjet për të cilat mund të jemi dakord. Nuk kam asgjë tjetër për të shtuar në lidhje me atë se ku janë negociatat tani”, tha zëdhënësja Psaki.
A mund të ketë një përparim të madh tani, pas tetë raunde bisedimesh? Ndoshta. Të enjten, presidenti i Iranit u tha ligjvënësve rusë se regjimi nuk po kërkon armë bërthamore dhe "është serioz në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje, nëse palët e tjera janë serioze në heqjen reale dhe efektive të sanksioneve”.