Lidhje

Eksluzive -Kreu i Komandës amerikane flet për kërcënimet në Afrikë


U.S. Africa Command head Gen. Stephen Townsend
U.S. Africa Command head Gen. Stephen Townsend

Kreu i Komandës së Shteteve të Bashkuara në Afrikë thotë se kërcënimet e sigurisë po rriten në të gjithë kontinentin. Në intervistën e tij të parë para kamerave, që nga marrja e komandës dy vjet më parë, gjenerali Stephen Townsend foli me korrespondenten e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb rreth shqetësimeve të tij në rritje, për përhapjen e grupeve të dhunshme ekstremiste, rolin e mercenarëve rusë, sulmet ushtarake nga Kina dhe kërcënimet nga Irani.

Kreu i Komandës amerikane flet për kërcënimet në Afrikë
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:45 0:00


Ushtria amerikane ka konfirmuar tashmë njoftimet se mercenarët rusë të njohur si Grupi Wagner ndodhen në Mali. Gjenerali Stephen Townsend, kreu i Komandës amerikane në Afrikë, i tha Zërit të Amerikës të enjten se junta e Malit solli qindra luftëtarë të huaj për të mbrojtur regjimin e saj.

“Grupi Wagner është në Mali. Sipas llogaritjeve tona, ata janë atje me disa qindra trupa tani. Po vendosen atje të mbështetur nga ushtria ruse. Aeroplanët e Forcave Ajrore Ruse po i dislokojnë ata. Bota po e sheh këtë që ndodh. Ky është një shqetësim i madh për ne. Dhe arsyeja pse më shqetëson mua, dhe fqinjët atje, është se ne kemi parë Wagnerin, këtë grup mercenarësh, të punojë ngado në kontinentin afrikan. I kemi parë në Republikën e Afrikës Qendrore, Sudan, Libi. Ata nuk ndjekin rregullat e askujt, por të tyret. Ata janë aty për të shfrytëzuar vendin. Ata duan të krijojnë dhe thyejnë ligjet. Ata do të bëjnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Ata do të vrasin të pafajshëm dhe civilë. Edhe nëse populli i Malit do të lodhet prej tyre, ata nuk do të largohen”, thotë gjenerali Stephen Townsend.

Gjenerali Townsend, i cili mori komandën amerikane në Afrikë në vitin 2019, i tha gjithashtu Zërit të Amerikës se "konkurrenti global" më aktiv në Afrikë nuk është Rusia, por Kina. Pekini, thotë ai, ka derdhur miliarda dollarë investime ekonomike në kontinent dhe investime ushtarake të rrezikshme, të qëndrueshme dhe strategjike.

Në vitin 2017, ushtria e Kinës hapi një bazë në Xhibuti, vetëm disa kilometra larg nga Kampi Lemonnier, baza e vetme ushtarake e Shteteve të Bashkuara në Afrikë. Gjenerali thotë se Pekini tani i ka sytë në bregun perëndimor të Afrikës, me synimin për të ndërtuar një bazë ajrore ushtarake, ose një objekt detar në Guinenë Ekuatoriale.

“Ata po shprehin interesa në të gjitha këto vende në brigjet e Atlantikut. Ata e dinë se nuk do të marrin një përgjigje positive në shumë raste nga shumë prej atyre vendeve, por duke kërkuar dhe duke u përpjekur të marrin një bazë në të gjitha këto vende, një ose dy prej tyre mund të thonë 'po' dhe ne mendojmë se vendi ku ata kanë tërhequr interes tani është Guinea Ekuatoriale. // Ne nuk po u kërkojmë të zgjedhin midis nesh dhe Kinës. Ajo që ne po u kërkojmë të bëjnë është të marrin në konsideratë partnerët e tjerë ndërkombëtarë dhe shqetësimet e tyre, sepse një bazë ushtarake kineze në Guinenë Ekuatoriale është një shqetësim i madh për ne dhe të gjithë partnerët e tyre”, thotë gjenerali.

Përveç zgjerimit ushtarak kinez, gjenerali Townsend tha se ai po monitoron një kërcënim më pak të dukshëm për interesat amerikane në kontinent – atë nga Irani.

“I kemi parë të shprehin interes në rritje për Afrikën, duke filluar të bëjnë disa përparime atje. Mendoj se sulmet e tyre do të jenë shumë keqdashëse në natyrë. Kjo sapo ka filluar, po ndodh tani dhe ne po e vëzhgojmë”, thotë gjenerali.

Zëri i Amerikës: "A mund të na jepni disa shembuj?"

"Unë thjesht mund t’ju them se ato kanë lidhje me inteligjencën dhe krahu i aparatit iranian të sigurisë që angazhohet në aktivitete keqdashëse në Lindjen e Mesme është i njëjti krah që është i angazhuar tani në kontinentin afrikan".

Një zyrtar amerikan konfirmoi për Zërin e Amerikës se pas një sulmi me dron nga Shtetet e Bashkuara që vrau udhëheqësin e forcave speciale Quds të Iranit, Qassim Soleimanin, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit organizoi një atentat ndaj diplomatëve amerikanë në Afrikë dhe është ende në kërkim të objektivave të hakmarrjes atje. Irani i ka hedhur poshtë akuzat si të pabaza.

Për shkak të shqetësimeve për kërcënimet në rritje, zyrtarët thonë se vitin e kaluar, ushtria amerikane ka dislokuar sisteme të reja dhe të përmirësuara të mbrojtjes dhe armë anti-dronë në kampin Lemonnier.

Pentagoni sapo ka përfunduar një rishikim të pozicionit global të forcave dhe burimeve ushtarake amerikane në mbarë botën, një përmbledhje që gjenerali Townsend thotë se "ratifikoi" qëndrimin aktual të komandës së tij.

Komanda megjithatë humbi disa fonde për stërvitjet ushtarake me partnerët afrikanë dhe vitin e fundit Townsend thotë se ka dërguar trupa brenda dhe jashtë Somalisë. Ish presidenti Donald Trumpi urdhëroi shumicën e 800 trupave amerikane të largoheshin nga vendi i shkatërruar nga lufta në vitin 2020, në një nga lëvizjet e tij të fundit të politikës së jashtme si president amerikan.

Trupat amerikane janë në baza në rajon. Kështu që, kush është në Somali? Çdo ditë janë më pak se 100 trupa”. YZ;

Zëri i Amerikës: Si po ndikon kjo në mision?

“Ne po punojmë shumë për të kryer detyrat tona. Mendoj se ka mënyra më efikase për ta bërë këtë. Ne i japim rekomandime Sekretarit të Mbrojtjes dhe presim vendimet e tij”, thotë gjenerali Townsend.

Por ndërsa gjenerali Townsend pret vendimet nga Pentagoni, luftimet e brendshme politike vazhdojnë në Mogadishu, ku grupi i al-Kaidës, al-Shabab po shton ndikimin.

“Kërcënimi i al-Shabab-it po rritet. Dhe nëse nuk ushtrohet presion ndaj al-Shababit, jam i shqetësuar se do të ketë një sulm madhor. Sapo kemi parë bomba vetëvrasëse që shpërthyen në Mogadishu gjatë dy javëve të fundit kështu që mendoj se ata po zgjerohen dhe përbëjnë një kërcënim në rritje.”

Sulmi i 12 janarit në kryeqytetin solamez vrau të paktën tetë persona.



Kush është Grupi Wagner?


Sipas faqes foreignpolicy.com grupi wagner është një rrjet biznesesh dhe grupesh mercenarësh të lidhur me rrjetet e pronësisë dhe logjistikës. Subjektet e këtij rrjeti janë vënë nën sanksionet e Departamentit të Thesarit Amerikan si të përfshirë në një gamë të gjerë aktivitetesh, duke përfshirë punën për të shtypur protestat pro-demokracisë, përhapjen e dezinformatave, nxjerrjen e arit dhe diamanteve dhe përfshirjen në aktivitete paraushtarake.

Grupi, u shfaq për herë të parë në Ukrainë në vitin 2014, ku ndihmoi ushtrinë ruse në aneksimin e Krimesë. "Ukraina ishte në thelb fillimi, pika e nisjes për Grupin Wagner," thotë Sergey Sukhankin, një studiues i lartë në Fondacionin Jamestown. Qysh atëherë, një rrjet i ndërthurrur paraushtarakësh dhe biznesesh është përhapur në Siri - ku ata kanë luftuar në mbështetje të presidentit Bashar al-Assad duke siguruar një terren në sektorin energjetik të vendit - si dhe në Libi, Sudan, Madagaskar, Mozambik, dhe Republika e Afrikës Qendrore.


XS
SM
MD
LG