Lidhje

Carpenter: Është e drejtë sovrane e Kosovës të lejojë apo jo zgjedhjet e shteteve tjera në territorin e saj


Michael Carpenter, Ambasadori amerikan në OSBE
Michael Carpenter, Ambasadori amerikan në OSBE

Ambasadori amerikan në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Michael Carpenter, tha se Kosova dhe Serbia duhet të sigurojnë që qytetarët e të dyja vendeve të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, ndërsa nënvizoi se është e drejtë sovrane e Kosovës të përcaktojë kushtet në të cilat shtete tjera sovrane mund të organizojnë zgjedhje në territorin e saj.

Ambasadori Carpenter i bëri këto komente duke folur rreth referendumit për ndryshimet kushtetuese që u zhvillua në Serbi më 16 janar, por i cili nuk u lejua të mbahej në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara e mirëpresin referendumin në Serbi në të cilin u miratuan ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me reformën në sistemin e drejtësisë.

Para referendumit, Shtetet e Bashkuara iu bashkuan partnerëve evropianë duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve serbë që të marrin pjesë, tha ai.

“Le të jemi të qartë për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara për të drejtën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran që të përcaktojë kushtet me të cilat do të zhvilloheshin zgjedhjet e shteteve të tjera sovrane në territorin e saj. Ne kishim shpresuar se qeveria e Kosovës do të vazhdonte praktikën e mëhershme të lejimit të OSBE-së për të grumbulluar fletëvotimet e votuesve që jetojnë në Kosovë, por ajo zgjodhi të mos e bëjë këtë”, tha ambasadori Carpenter.

Ambasadori amerikan tha se do të diskutohet me qeverinë e Kosovës dhe qeverinë e Serbisë për t'u siguruar që “qytetarët, të cilët banojnë në Kosovë dhe Serbi, të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhjet e vendit të tyre dhe duke vepruar kështu, të jenë në gjendje të përcaktojnë të ardhmen e tyre evropiane”.

Ai tha se është për keqardhje që Kosova nuk është anëtare e OSBE-së “dhe për këtë arsye nuk është në gjendje të flasë vetë sot. Mezi presim ditën kur Kosova të jetë shtet pjesëmarrës i kësaj organizate dhe kjo mund të ndodhë”, tha ai, duke nënvizuar thirrjet që qeveritë e të dyja vendeve “të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë përparim drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që rrit qëndrueshmërinë rajonale”, tha ambasadori amerikan.

Autoritetet në Kosovë nuk lejuan mbajtjen e referendumit të Serbisë me gjithë thirrjet e diplomatëve perëndimorë, duke theksuar se ai bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Autoritetet thanë se qytetarët serbë, me shtetësi të dyfishtë, mund të votojnë përmes postës apo zyrës ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë.

Kosova, nuk e ka penguar pjesëmarrjen e serbëve lokal në zgjedhjet e Serbisë, por autoritetet thonë se ka dallim ndërmjet zgjedhjeve dhe çështjeve të brendshme të një vendi, siç është referendumi i së dielës në Serbi.

Në fillim të muajit prill Serbia pritet të mbajë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë mbajtjen e tyre brenda territorit të Kosovës.

Beogradi vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të integrimeve evropiane.

XS
SM
MD
LG