Lidhje

Evropë, skanerat e sigurisë të lidhur me qeverinë kineze


Skanerat e firmës kineze Nuctech në terminalin e trenit Eurostar në Bruksel më 17 janar 2022.
Skanerat e firmës kineze Nuctech në terminalin e trenit Eurostar në Bruksel më 17 janar 2022.

Në disa nga pikat më të ndjeshme të botës, autoritetet kanë instaluar pajisje kontrolli të sigurisë të prodhuara nga një kompani kineze me lidhje të forta me ushtrinë e Kinës dhe nivelet më të larta të Partisë Komuniste në pushtet.

Mes këtyre pikave strategjike ku janë instaluar skanerat në fjalë janë edhe Forumi Ekonomik Botëror në Davos. Portet më të mëdha të Evropës. Aeroportet nga Amsterdami në Athinë. Kufijtë e NATO-s me Rusinë. Të gjitha varen nga pajisjet e prodhuara nga firma Nuctech, e cila është bërë me shpejtësi kompania kryesore në botë, për nga të ardhurat, për skanerët e ngarkesave dhe automjeteve.

Ka disa vite që pajisjet e firmës Nuctech nuk janë përdorur në Shtetet e Bashkuara për shkak të shqetësimeve të sigurisë kombëtare, ndërsa kompania ka bërë depërtime të thella në të gjithë Evropën, duke instaluar pajisjet e saj në 26 nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, sipas prokurimeve publike, të dhënave qeveritare dhe të korporatave, tregojnë hulumtimet e kryera nga agjencia e lajmeve Associated Press.

Kompleksiteti i strukturës së pronësisë së firmës Nuctech dhe shtrirja e saj globale kanë ngritur alarmin në të dy anët e Atlantikut.

Një numër në rritje zyrtarësh perëndimorë të sigurisë dhe politikëbërësish druhen se Kina mund të shfrytëzojë pajisjet Nuctech për të sabotuar pikat kryesore të tranzitit ose për të krijuar qasje të paligjshme tek të dhënat qeveritare, industriale ose personale nga artikujt që kalojnë përmes pajisjeve të saj të skanimit.

Kritikët e firmës Nuctech pretendojnë se qeveria kineze ka subvencionuar në mënyrë efektive kompaninë në mënyrë që të mund të ulë numrin e konkurrentëve dhe t'i japë Pekinit ndikim të mundshëm mbi infrastrukturën kritike në Perëndim, ndërsa Kina kërkon të pozicionohet si një superfuqi globale në fushën e teknologjisë.

“Të dhënat që përpunohen nga këto pajisje janë shumë sensitive. Janë të dhëna personale, ushtarake, informacione ngarkesash. Mund të rrezikohen sekretet tregtare. Duhet të sigurohemi që këto të dhëna janë në duar të sigurta”, tha Bart Groothuis, drejtor i sigurisë kibernetike në Ministrinë e Mbrojtjes së Holandës, para se të bëhej anëtar i Parlamentit Evropian. "Ju vareni nga një aktor i huaj, i cili është kundërshtar gjeopolitik dhe rival strategjik."

Ai dhe të tjerët thonë se Evropa nuk ka vënë në punë mjete për të monitoruar dhe bllokuar një shkelje të tillë të mundshme. Shtete të ndryshme anëtare kanë pikëpamje të kundërta mbi rreziqet e sigurisë që paraqet firma Nuctech.

Askush nuk ka qenë në gjendje ndonjëherë të përpilojë një raport publik gjithëpërfshirës, se ku dhe sa pajisje të firmës Nuctech janë instaluar në të gjithë kontinentin.

Kompania Nuctech i hedh poshtë këto shqetësime, duke thënë se veprimtaria e firmës Nuctech në Evropoë është në përputhje me ligjet lokale, duke përfshirë kontrollet e rrepta të sigurisë dhe rregullat e privatësisë së të dhënave.

“Janë pajisjet tona, por janë të dhënat tuaja. Klienti ynë vendos se çfarë ndodh me të dhënat”, tha Robert Bos, zëvendësmenaxher i përgjithshëm i firmës Nuctech në Holandë, ku kompania ka një qendër kërkimi dhe zhvillimi. Ai tha se firma Nuctech është viktimë e akuzave të pabaza që kanë çuar në pothuajse përgjysminin e tregut të saj në Evropë që nga viti 2019.

“Është mjaft zhgënjyese”, tha zoti Bos për Associated Press. “Në 20 vitet që kemi dorëzuar këtë pajisje, nuk kemi pasur kurrë probleme të shkeljeve apo rrjedhjeve të të dhënave. Deri më sot nuk kemi pasur asnjë provë për këtë.”

Në të vëretë nuk është kompani

Ndërsa kontrolli i sigurisë bëhet gjithnjë e më i ndërlidhur dhe i drejtuar nga të dhënat, firma Nuctech e ka gjetur veten në vijën e parë të betejës SHBA-Kinë për dominimin e teknologjisë, që po luhet tani në të gjithë Evropën.

Përveç sistemeve të skanimit për njerëzit, bagazhet dhe ngarkesat, kompania prodhon detektorë eksplozivësh dhe pajisje të ndërlidhura të afta për njohjen e fytyrës, matjen e temperaturës së trupit dhe identifikimin e kartës së identitetit ose identifikimin e biletave.

Në faqen e saj të internetit, kompania ombrellë spjegon se firma Nuctech bën më shumë sesa thjesht të sigurojë pajisjet kompjuterike duke integruar “renë kompjuterike, të dhënat kryesore dhe veprimet në internet me teknologjitë dhe produktet e inspektimit të sigurisë për t'i furnizuar klientët me zgjidhje të inspektimit të sigurisë përmes teknologjisë së lartë".

Kritikët druhen se sipas ligjeve të zbulimit kombëtar të Kinës, në bazë të cilave kompanitë kineze duhet të dorëzojnë të dhënat e kërkuara nga agjencitë shtetërore të sigurisë, Nuctech nuk do të jetë në gjendje t'u rezistojë thirrjeve nga Pekini për të dorëzuar të dhëna sensitive për ngarkesat, njerëzit dhe pajisjet që kalojnë nëpër skanerët e saj.

Ata thonë se ekziston rreziku që Pekini të përdorë praninë e firmës Nuctech në të gjithë Evropën për të mbledhur të dhëna të shumta në lidhje me flukset tregtare ndërkufitare, për të futur në dorë informacione nga rrjetet lokale, si proces verbalet e transportit ose të dhënat e pasagjerëve, ose për të sabotuar flukset tregtare në rast konflikti.

Në bazë të një vlerësimi të vitit 2020 nga qeveria kanadeze, lidhur me sigurinë e pajisjeve të firmës Nuctech, del në pah se skanerat e sigurisë me rreze X mund të përdoren fshehurazi për të mbledhur dhe transmetuar informacione, për të kompromentuar pajisje elektronike portative ndërsa kalojnë nëpër skaner ose për të ndryshuar rezultatet e skanimit dhe lejuar kalimin e pajisjeve të dëmshme.

Në fund të vitit 2020, Bashkimi Evropian vendosi masa që mund të përdoren për të verifikuar investimet direkte kineze. Por hartuesit e politikave në Bruksel thonë se aktualisht nuk ka sisteme në mbarë bllokun për të vlerësuar prokurimet kineze, pavarësisht shqetësimeve në rritje për subvencionet e padrejta shtetërore, mungesën e reciprocitetit, sigurinë kombëtare dhe të drejtat e njeriut.

“Po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme. Nuk do të më shqetësonte nëse një ose dy aeroporte do të kishin sisteme Nuctech, por me uljen e çmimit të pajisjes shumë rajone po e marrin atë”, tha gjermani Axel Voss, anëtar i Parlamentit Evropian që punon për mbrojtjen e të dhënave. “Kjo po bëhet gjithnjë e më shumë një pyetje sigurie. Ju mund të mendoni se është një investim strategjik i qeverisë kineze.”

Shtetet e Bashkuara, strehë e kompanisë OSI Systems, një nga rivalët më të rëndësishëm tregtarë të firmës Nuctech – është shprehur ashpër kundër firmës kineze Nuctech.

Komisioni i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Këshilli i Sigurisë Kombëtare, Administrata e Sigurisë së Transportit dhe Byroja e Industrisë dhe Sigurisë në Departamentin e Tregtisë, të gjithë kanë ngritur shqetësime për firmën Nuctech.

Agjencia amerikane që merret me çështje të sigurisë së transportit, TSA, thotë përmes një emaili të dërguar Associated Press se firma Nuctech nuk i plotësonte kushtet për të marrë informacione sensitive sigurie. Pajisjet e firmës Nuctech, tha TSA, "nuk janë të autorizuara për t'u përdorur në Shtetet e Bashkuara për kontrollin e pasagjerëve, bagazheve, objekteve vetjake ose ngarkesave ajrore”.

Në dhjetor të vitit 2020, Uashingtoni shtoi firmën Nuctech në listën e Byrosë së Industrisë dhe Enteve të Sigurisë, duke kufizuar eksportet për to për arsye të sigurisë kombëtare.

XS
SM
MD
LG