Roberta Metsola, një politikane kristiandemokrate nga Malta, u zgjodh sot në detyrën e Presidentes së Parlamentit Evropian.
Me një mandat prej 2 vitesh e gjysmë, ajo do të zëvendësojë në këtë post David Sassoli, i cili ndërroi jetë javën e kaluar.
Zonja Metsola e cila këtë të martë festoi ditëlindjen e saj të 43, është presidentja më e re e Parlamentit Evropian dhe e treta grua e zgjedhur në këtë post.
“Ndihem e nderuar nga kjo përgjegjësi që po më besoni. U premtoj se do të bëj çmos që në emër të këtij Parlamenti të punoj për të mirën e të gjithë qytetarëve të Bashkimit Evropian. Gjëja e parë që do të doja të bëja si presidente është të mendoj për trashëgiminë e David Sassoli-t. Ai ishte një luftëtar. Ai luftoi për Evropën, për ne, për këtë parlament. Ai besonte tek fuqia e Evropës dhe kapaciteti i saj për të ndjekur një rrugë të veçantë në këtë botë. Faleminderit shumë, David”, tha zonja Metsola, Presidente e Parlamentit Evropian.
Metsola ishte kandidatja e vetme e grupit më të madh të parlamentit. Ajo mori 458 vota nga 616 gjithsej. Prej 11 janarit, pas vdekjes së zoti Sassoli ajo ishte presidente në detyrë.
Politikania 43-vjeçare do të drejtojë një institucion të BE-së, i cili është bërë më i fuqishëm me kalimin e viteve dhe ka qenë vendimtar në hartimin e politikave të bllokut prej 27-vendesh për çështje të tilla si ekonomia dixhitale, ndryshimet klimatike dhe Brexit.
Parlamenti Evropian përfaqëson 450 milionë qytetarët e BE-së dhe shpesh cilësohet si “zemra e demokracisë evropiane”.