UASHINGTON - Në kuadrin e hetimeve të Kongresit për sulmin e dhunshëm të 6 janarit ndaj Kapitolit nga mbështetësit e ish-Presidentit Donald Trump do të fillojnë së shpejti dëgjesat publike që do të zgjasin disa javë dhe do ta zhvendosin hetimin në qendër të vëmendjes. Gjatë kësaj periudhe ndërkohë që do të jetë intensifikuar edhe fushata për zgjedhjet për Kongresin që mbahen në muajin nëntor.
Hetimi lidhur me sulmin më të rëndë ndaj Kongresit që nga periudha e Luftës së vitit 1812 deri më tani është zhvilluar përgjithësisht me dyer të mbyllura. Komisioni i posaçëm për 6 janarin i Dhomës së Përfaqësuesve ka intervistuar mbi 300 dëshmitarë për dhunën e ushtruar nga mbështetësit e ish-Presidentit Trump që kërkonin të përmbysnin rezultatin e zgjedhjeve që shpallte atë humbës të tyre.
Anëtarët e komisionit po shpejtojnë të përmbyllin punën e tyre përpara zgjedhjeve të 8 nëntorit. Shtatë anëtarët demokratë dhe dy republikanë janë të vetëdijshëm se procesi mund të ndalet nëse republikanët rifitojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, siç po tregojnë parashikimet. Mbulimi mediatik i seancave dëgjimore mund të shndërrohet në material për fushatë.
Drejtuesit e republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve refuzuan të marrin pjesë në procesin hetimor, ndërsa 55% e republikanëve u besojnë tashmë pretendimeve të ish-Presidentit Trump se humbja e tij ishte si rezultat i manipulimit të gjerë. Disa gjykata e kanë refuzuar këtë pretendim, që ka sjellë sidoqoftë një valë kufizimesh të reja nga shtetet për procesin e votimit.
Hetimi i Dhomës së Përfaqësuesve po zhvillohet paralelisht me hetimet e prokurorëve të Departamentit të Drejtësisë ndaj 725 pjesëmarrësve në trazira që akuzohen për sjellje të parregullt dhe deri për pjesëmarrje në konspiracion. Rreth 165 persona deri më tani janë vetëdeklaruar fajtorë për pjesëmarrjen në sulm dhe seancat e para gjyqësore mund të fillojnë muajin e ardhshëm.
Ligjvënësit e komisionit paralajmërojnë se pretendimet false për manipulime zgjedhore që frymëzuan dhunën, po dëmtojnë gjithashtu besimin tek sistemi demokratik amerikan.
"Demokracia jonë ishte fare pranë rrënimit", tha Kryetari i komisionit, Ligjvënësi Bennie Thompson, gjatë një dëgjese muajin e kaluar. "Duam të kuptojmë arsyet dhe ta ndajmë informacionin me popullin amerikan".
"Vajta në ferr dhe u ktheva prapë"
Komisioni i Posaçëm ka detyrën të hetojë dhe të raportojë për rrethanat që sollën sulmin, gjatë të cilit mbështetësit e ish-Presidentit Trump sulmuan policinë, thyen dritaret dhe detyruan ligjvënësit dhe ish-Nënpresidentin Mike Pence të largoheshin për të shpëtuar.
Komisioni synon të qarkullojë një raport paraprak në verë dhe një raport tjetër në vjeshtë, i tha agjensisë së lajmeve Reuters një person në dijeni të hetimeve.
"Do të zhvillojmë disa javë dëgjesash publike, duke ia paraqitur popullit amerikan me ngjyra të plota atë që saktësisht ndodhi, minutë pas minute më 6 janar, këtu në Kapitol dhe në Shtëpinë e Bardhë, dhe se çfarë shkaktoi sulmin e dhunshëm", tha muajin e kaluar Ligjvënësja republikane Liz Cheney.
E vetmja dëgjesë publike deri më tani, u mbajt në korrik, ku dëshmuan katër oficerë policie për sulmet fizike dhe verbale me të cilat u përballën gjatë trazirave në Kapitol.
"Kam ndjesinë se vajta në ferr dhe u ktheva prapë, për të mbrojtur personat në këtë sallë", iu drejtua ligjvënësve ish-oficeri i policisë së Uashingtonit, Michael Fanone. "Indiferenca ndaj kolegëve të mi është e turpshme", tha zoti Fanone, duke përplasur dorën mbi tavolinë.
Rreth 140 oficerë policie u sulmuan gjatë trazirave, sipas të dhënave të Departamentit të Drejtësisë. Njëri prej oficerëve që u përball me sulmuesit vdiq ditën pas sulmit dhe katër që ruanin Kapitolin vranë veten më vonë. Katër protestues gjithashtu vdiqën, ndër ta edhe një protestuese që u qëllua me armë nga policia ndërsa mundohej të hynte përmes një dritareje të thyer.
Akuzat penale
Emri i ish-Presidentit Trump ka qenë prezent gjatë punës së komisionit që në fillim, dhe përqendrimi është bërë edhe më i dukshëm gjatë javëve të fundit.
Gjatë një dëgjese më 13 dhjetor, Ligjvënësja Cheney lexoi mesazhe të dërguara nga mbështetësit e ish-Presidentit Trump shefit të tij të kabinetit, Mark Meadows, duke i bërë thirrje që ish-presidenti të fliste publikisht ndaj dhunës.
Ligjvënësja Cheney tha se komisioni kërkon ta pyesë zotin Meadows: "A u përpoq në mënyrë të paligjshme Donald Trump, nëpërmjet veprimit apo mosveprimit, të pengojë apo të ndalë zyrtarët e Kongresit që po bënin numërimin e votave elektorale?".
Ligjvënësja Cheney i referohej një parashikimi të posaçëm në kodin penal amerikan, duke sugjeruar se ish-Presidenti Trump mund ta ketë shkelur atë.
Mbetet përfundimisht në dorë të Departamentit të Drejtësisë nëse do të ngrejë akuza ndaj ish-Presidentit Trump, por komisioni mund të sugjerojë akuza penale, duke e shtuar kështu trysninë ndaj Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland që të veprojë.
Në nëntor, Departamenti i Drejtësisë ngriti akuza ndaj aleatit të ish-Presidentit Trump, Steve Bannon, për "shpërfillje të Kongresit", pasi ai sfidoi fletëthirrjen e Komisionit të Posaçëm Hetimor për të dëshmuar. Zoti Bannon është zotuar t'i sfidojë akuzat, duke thënë se gëzon të drejtë ligjore për të refuzuar të dëshmojë.
Komisioni ka rekomanduar akuza të ngjashme ndaj dy aleatëve të tjerë të ish-Presidentit Trump.
Ish-Presidenti Trump është aktualisht nën hetim nga prokurorët e shtetit Xhorxhia, nëse ka bërë presion të paligjshëm ndaj zyrtarëve zgjedhorë për të ndryshuar rezultatet në favor të tij.
Facebook Forum