Lidhje

Twitter heq llogarinë personale të ligjvënëses republikane Greene


Kompania e medias sociale Twitter bllokoi të dielën llogarinë personale të ligjvënëses republikane Marjorie Taylor Greene për shkak të shkelje të shumta të rregulloreve të saj mbi dezinformimin lidhur me COVID-19. Lajmi u njoftua nga vetë kompania nëpërmjet një deklarate.

Llogaria e ligjvënëses nga Xhorxhia u bllokua përgjithmonë nga një sistem që Twitter e vendosi në funksionim që në mars, i cili përdor inteligjencën artificiale për të identifikuar postimet në lidhje me koronavirusin që ofrojnë informacione false të cilat mund të dëmtojnë njerëzit. Sistemi punon në mënyrë të tillë që pasi identifikon pesë ose më shumë postime të kësaj natyre mund ta heqë përfundimisht një llogari nga Twitter-i.

Në një deklaratë në aplikacionin e mesazheve Telegram, zonja Greene e cilësoi lëvizjen e Twitter si jo-amerikane. Ajo shkruante se llogaria e saj u hoq pasi postoi statistika nga një bazë të dhënash qeveritare, ku përfshihen të dhëna të papërpunuara e të paverifikuara.

"Twitter-i është një armik i Amerikës dhe nuk mund ta përballojë të vërtetën", shkruante zonja Greene. "Nuk është problem fare, unë do t'i tregoj Amerikës se nuk kemi nevojë për ta dhe është koha për t'i mposhtur armiqtë tanë", shkruante ajo më tej.

Twitter e ka pezulluar edhe më parë llogarinë e zonjës Greene për periudha që varionin nga 12 orë deri në një javë.

Bllokimi ka ndodhur vetëm për llogarinë personale të zonjës Greene, @mtgreenee, por jo atë zyrtare në Twitter, @RepMTG.

Në një postim në Twitter, pak para se llogaria e saj të pezullohej për një javë në korrik, zonja Greene pretendonte se virusi "nuk është i rrezikshëm për njerëzit jo-obezë dhe ata nën 65 vjeç". Sipas Qendrës amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, nga fillimi i pandemisë deri më sot, 250 mijë persona nën 65 vjeç, kanë vdekur si pasojë e COVID-19. Zonja Greene e cilësoi në atë kohë vendimin si një "sulm të stilit komunist ndaj fjalës së lirë".

XS
SM
MD
LG