Lidhje

Pritshmëritë e qytetarëve të Kosovës për vitin 2022


Pritshmëritë e qytetarëve të Kosovës për vitin 2022
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:31 0:00

Kosova po e fillon vitin 2022 me shumë sfida të trashëguara dhe qytetarë të anketuar nga Zëri i Amerikës shfaqin shpresën që viti 2022 të sjellë më shumë mirëqenie, zhvillim ekonomik, një marrëveshje me Serbinë por edhe hapjen e vendeve të punës për të rinjtë, për të parandaluar siç thonë, ikjen e tyre nga vendi.

“Këtë vit që e lamë, pas ishte me COVID, me 100 telashe kështu që nuk ka qenë i mirë për popullatën e Kosovës, ndoshta viti tjetër vjen më i mirë. Kjo popullatë as liberalizim (të vizave), COVID, gjendja ekonomike shumë e rëndë, papunësia shumë e madhe e shumë telashe, shpresoj që vitit 2022 do të jetë më i mirë dhe më i mbarë për popullatën dhe rininë”, tha Sejdi Halimi.

“Ashtu siç po shihet si po vepron qeveria besoj që shumë gjëra do të eliminohen dhe jemi në rrugë të mbarë. Jo vetëm ne në Kosovë por të gjithë shtetet e rajonit kanë probleme të kësaj natyre, rasti i energjisë që unë besoj në Kosovë vitin e ardhshëm do të zgjidhet pak më mirë dhe menaxhimi i shumë institucioneve po funksionon më mirë”, tha Baki Koleci.

“Çështjet ekonomike, po dihet mirë që nuk jemi askund, rritje e çmimeve, jeta është bërë gati se e padurueshme, krizë energjetike, kriza tjera por mbi të gjitha duhet me qenë unikë në lidhje me dialogun me Serbinë, ajo është kryesore”, tha Daut Gashi.

“Po edhe ky vit si duket po fillon me pandemi por shpresojmë që do të jetë më i mirë se ky i kaluari, ne kemi shpresë, ne shqiptarët të fundit e humbim shpresën dhe besoj që do të jetë më i mirë”, tha Ismail Jakupi.

“Mirë është dhe mirë nuk është. Se gjendja ekonomike po dihet si është në Kosovë dhe për vitin 2022 besojmë me qenë shpresat më të mira, punësim për të rinjtë dhe jo të largohen sepse ne nuk jemi shumë banorë. Ne dëshirojmë një shpresë më të mirë që të jetojmë në vendin tonë. Ne mund të shkojmë atje, e dimë si është gjendja atje, është mirë Evropa, ke të ardhura, i ke të gjitha”, tha Ramë Musliu.

“Po don Zoti me na i dhanë vizat por me kusht që të mos shkojnë krejt jashtë, po me hap vende të punës, me mbete kuadri këtu, se po na i marrin kuadrot të gatshëm, po i shkollojmë, po studiojnë, po doktorojnë dhe po ikin jashtë. E di që janë kushtet më të mira, rrogat, por nuk duhet lëshuar atdheu, toka jote”, tha Shyqyri Nici.

“Mendoj se prioritet të parë, që ka Kosova, janë bisedimet me Serbinë, me pas një marrëveshje e mirë, me ardhë deri te njohja reciproke të cilën e presim me padurim, megjithatë janë edhe vizat por vizat pa gjetë diçka konkrete me Serbinë as viza nuk ka dhe asgjë. Kështu mbetemi me shpresë”, tha Fadil Ahmeti.

Mbajtja e gjendjes së qëndrueshme si pasojë e koronavirusit shihet si një nga sfidat e Vitit të Ri për shkak të shfaqjes së variantit të ri Omicron në Kosovë. Autoritetet shëndetësore kanë bërë thirrje për zbatim të masave aktuale kufizuese dhe për vaksinim në një kohë kur varianti Omicron mund të përkeqësojë situatën aktuale me COVID-19.

Kosova aktualisht ka shkallën më të ultë të infektimeve dhe vdekjeve nga COVID-19 në rajon, por vazhdon të mbajë kufizime të orarit të punës dhe të lëvizjes së qytetarëve.

Autoritetet thonë se këto masa kufizuese janë të domosdoshme pasi me rastin e festave të fundvitit, është rritur edhe numri i udhëtimeve. Kosova deri tani ka vaksinuar më shumë se 60 për qind të popullsisë mbi 18 vjeç.

XS
SM
MD
LG