Për herë të dytë brenda një muaji, Presidenti amerikan Joe Biden bisedoi drejtpërdrejt me homologun e tij rus dhe i kërkoi të ulë tensionet, pasi Presidenti Vladimir Putin vazhdon të grumbullojë ushtarë pranë kufirit me Ukrainën. Por zyrtarët e administratës thanë se Putini nuk dha asnjë garanci për synimet e tij. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, njofton nga Uashingtoni.
Ishte raundi i dytë. Presidenti Joe Biden foli për herë të fundit me presidentin rus Vladimir Putin më pak se një muaj më parë. Të dy folën përsëri të enjten. Presidenti Biden i kërkoi Putinit që të ulte tensionet me Ukrainën, tha Shtëpia e Bardhë pas përfundimit të telefonatës 50-minutëshe.
Telefonata e një rëndësie të lartë erdhi ndërsa udhëheqësi rus vazhdon të grumbullojë dhjetëra mijëra trupa përgjatë kufirit ukrainas, siç shihet në këtë video të publikuar javën e kaluar nga Ministria ruse e Mbrojtjes.
Zyrtarët e administratës Biden thanë se të dy udhëheqësit patën një diskutim "serioz dhe thelbësor". Por kur u pyet, një zyrtar i lartë i administratës, tha se presidenti rus nuk bëri "asnjë deklaratë në lidhje me synimet e tij". Zyrtarë të nivelit të lartë nga të dy vendet do të takohen sërish në fillim të janarit në Gjenevë, për të vazhduar bisedimet.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, shkroi të mërkurën në Twitter se Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u zotua për "mbështetje të plotë për Ukrainën për të përballuar agresionin rus”.
Më herët në dhjetor, ai vizitoi frontin e luftës dhe tha se ushtarët e tij ishin gati.
Edhe pse analistët duket se dyshojnë se Putini do të pushtojë Ukrainën, ata shqetësohen se dhjetëra mijëra trupa luftarake në rajon mund të ndezin aksidentalisht, ose qëllimisht një luftë.
“Nëse ai po bën bllof, ky është një shqetësim shumë serioz, me rreziqe për Putinin, sepse ai duhet të sigurohet që 100,000 trupat janë në gadishmëri për luftë, por që nuk do të ndpërmarrin vetë ndonjë iniciativë përpara se të jepet një urdhër. Është një situatë, që është e mbushur me rreziqe nga të dyja palët”, thotë Will Pomeranz me Qendrën “Wilson”.
Çfarë mund të ndodh më tej? Shtëpia e Bardhë ka thënë në mënyrë të përsëritur se do të ketë "pasoja të rënda" nëse Rusia sulmon Ukrainpën, duke përfshirë sanksione të ashpra ekonomike dhe shtim të ndihmave për sigurinë e Ukrainës. Por disa analistë thonë se Putini po luan një teatër politik.
“Putini krijoi me sukses një ndjenjë emergjence. Nëse vini re, gjuha është pothuajse e njëjtë. Ai është gati të fillojë luftë, është gati të pushtojë Ukrainën. Dhe, me sa duket, Shtëpia e Bardhë e merr seriozisht. Unë nuk e shoh kështu sepse, siç kam shkruar dhe folur për këtë, Putini nuk do të pushtojë Ukrainën në këtë moment. Ai po luan për audiencën e tij vendase. E gjithë kjo është një pjesë e lojës që Putini po luan dhe mendoj se do të vazhdojë ta luajë, të paktën deri në zgjedhjet e vitit 2024“, thotë Leon Aron me Institutin “American Enterprise”.
Raundi tjetër i bisedimeve dypalëshe fillon më 10 janar në Gjenevë, por pa pjesëmarrjen e presidentëve. Deri atëherë, mbetet për t’u parë në se situata do të jetë e njëjtë në frontin ukrainas.
Facebook Forum