Shtetet e Bashkuara regjistruan të martën më shumë se 512,000 raste të reja me koronavirus. Kjo është shifra njëditore më e lartë e infeksioneve, që nga fillimi i pandemisë, sipas të dhënave të publikuara nga Universiteti ‘Johns Hopkins’.
Rekordi njëditor përkon me një bazë të dhënash të njoftuara nga gazeta ‘New York Times’ sipas së cilës mesatarja një javorë e rasteve në SHBA, u rrit mbi 267,000 të martën. Rritja e fundit është nxitur nga një numër rekord i fëmijëve të infektuar dhe të shtruar në spital me COVID-19.
Ndërkohë Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, i ndryshoi shifrat lidhur me rastet e reja të infeksioneve të nxitura nga varianti Omicron, i cili po përhapet me shpejtësi në vend.
Agjencia federale njoftoi të martën se Omicron-i përbënte rreth 59 për qind të të gjitha infeksioneve të reja, një shifër më e ulët se rreth 73 për qind që njoftoi javën e kaluar.
Shtetet e Bashkura radhiten mes disa vendeve që po njoftojnë shifra rekord infeksionesh të reja. Dje Franca njoftoi një rekord të ri njëditor prej rreth 180 mijë rastesh, një nga shifrat më të larta njëditore në mbarë botën që nga fillimi i pandemisë.
Danimarka, e cila ka shkallën më të lartë të infeksioneve në botë, rreth 1600 infeksione për 100 mijë banorë, njoftoi të hënën një rekord njëditor prej mbi 16 mijë infeksionesh të reja.
Rekord infeksionesh njëditore njoftuan të martën Britania, Greqia, Italia, Portugalia e Spanja. Në mbarë botën, numri i rasteve të regjistruara u rrit me 11 për qind javën e kaluar, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Agjencia njoftoi të mërkurën se rreziku i paraqitur nga varianti Omicron mbetet "shumë i lartë".