Një gjykatë ruse urdhëroi sot mbylljen e Qendrës për të Drejtat e Njeriut ‘Memorial’, njësia kryesore e grupit më të gjerë që mbron të drejtat e njeriut, me të njëjtin emër, të cilën Gjykata e Lartë e këtij vendi, vendosi ta mbyllë një ditë më parë. Ky zhvillim është në vazhdën e një goditjeje më të gjerë ndërmarrë nga autoritetet ruse, ndaj grupeve të angazhuara në fushën e të drejtave të njeriut, medias së pavarur e mbështetësve të opozitës.
Qendra për Drejtat e Njeriut “Memorial”, si dhe grupi më i gjerë i të drejtave “Memorial”, u etiketuan në vitin 2019 si ‘agjentë të huaj’. Një etiketim me nuanca negative dhe që sjell për pasojë një kontroll shtesë të qeverisë ndaj tyre.
Në argumentimet e tyre për mbylljen e të dy grupeve, të paraqitura në dy gjykata të ndryshme muajin e kaluar, prokurorët thanë se organizatat kishin shkelur në mënyrë të përsëritur rregulloret që i detyronin ato të caktoheshin si agjentë të huaj. Por të dyja organizatat i hodhën poshtë akuzat si të motivuara politikisht.
Drejtoresha ekzekutive e Qendrës ‘Memorial’ për të drejtat e njeriut, Anna Dobrovolskaya thotë se në Rusi ekziston një prirje për të sprastruar vendin nga organizatat që mbrojnë të drejtat e njeriut.
“Në këndvështrimin tonë, ne nuk e kishim shkelur ligjin në vitin 2019 kur u gjobitëm. Megjithatë u gjobitëm, u dënuam, paguam gjobat, dhe prapë po dënohemi. Ligji i agjentëve të huaj është ideuar në mënyrë të tillë, që të zbatohet nga autoritetet në një moment që u nevojitet", thotë ajo.
Vendimet shkaktuan zemërim të gjerë publik. Turma mbështetësish u shfaqën në dyert e gjykatave dje dhe sot, pavarësisht te ftohtit të madh.
"Kjo është një tragjedi, sepse shoh që Rusia po ndjek skenarin e Bjellorusisë, ku e gjithë opozita dënohet me shumë vite burg. Kjo është e tmerrshme", thotë Egor, banor i Moskës, i cili nuk pranoi të identifikohet me emrin e tij të plotë.
"Mendoj se është një tragjedi e madhe që nuk ka nisur sot apo dje. Ndonjëherë mendoj se situata nuk mund të ndreqet, pasi ata që bëjnë padrejtësi bëhen gjithnjë e më shumë dinak", thotë Volf Slobodkin, një tjetër banor i Moskës.
Në një reagim të martën grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe Departamenti amerikan i Shtetit dënuan vendimin kundër Memorial-it, dëshmi e një viti shtypjeje të pashembullt të disidencës në Rusi. Muajt e fundit autoritetet ruse kanë rritur trysninë ndaj grupeve të të drejtave të njeriut si dhe medias, duke caktuar me dhjetëra si agjentë të huaj. Disa u shpallën të padëshirueshme, një etiketim që i bën ato të paligjshme, ose u akuzuan për lidhje me grupe "të padëshirueshme". Të tjera janë detyruar të mbyllen apo të shpërbëhen për të parandaluar ndjekjen e mëtejshme penale.