Ndërsa Kosova përballet me krizën më të rëndë energjetike në dekada, Xhelal Gashi po shqyrton mundësinë e mbylljes së furrës së tij në Prishtinë ku punësohen 10 persona, pasi, siç thotë ai, çmimi i naftës për gjeneratorin është i papërballueshëm.
“Zakonisht paguaj 300 euro në muaj për faturën e energjisë elektrike, por tani jam duke shpenzuar 100-110 euro në ditë për të blerë naftë për gjeneratorin”, thotë zoti Gashi.
Me të njëjtin problem po përballen edhe shumë biznese dhe familje në Kosovë që kur KEDS, kompania e shpërndarjes së energjisë, njoftoi për ndërprerje dy orëshe të energjisë elektrike gjatë ditës.
Vendet në të gjithë Evropën po përballen me rritje të çmimeve të gazit dhe energjisë elektrike, kryesisht për shkak të shtimit të kërkesës.
Kjo ka ndikuar negativisht në Kosovë, një vend me prodhim të ulët të brendshëm të eneregjisë. Për shkak të defekteve teknike dhe motit të ftohtë, prodhimi është pakësuar edhe më tej, duke detyruar vendin të importojë energji më shumë se zakonisht.
Shumica e energjisë në Kosovë prodhohet nga dy termocentrale të vjetra me qymyr, ndërsa normalisht vendi importon 10 deri 15 për qind të energjisë, shifër kjo që në këtë periudhë krize është rritur në 40 për qind.
“Për pasojë, Kosova po importon energji që nuk ishte planifikuar nga tregjet”, i tha agjencisë së lajmeve Reuters, Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmesionit, që përfaqëson operatorët e shpërndarjes së energjisë elektrike në mbarë Evropën, duke shtuar, se kërkesa e tepërt nga Kosova kërcënon furnizimin në gjithë Evropën.
Termocentralet e Kosovës punojnë me linjit, një qymyr që prodhon ndotje të mëdha toksike.
Të dhënat zyrtare tregojnë se Kosova është vendi i pestë në botë me rezervat më të mëdha të linjitit, 12 deri 14 miliardë tonë.
Por vartësia e saj nga qymyri dhe paqëndrueshmëria politike, ka mbajtur larg vendit investitorët e huaj, duke e vështirësuar përmirësimin e infrastrukturës energjetike.
"Për çdo vendim të qeverisë, qoftë për riparimin e njësive ekzistuese të termocentraleve ose ndërtimin e termocentraleve të reja, mund të duhen të paktën pesë vite. Pyetja ime është se çfarë do të ndodhë gjatë pesë viteve të ardhshme kur nuk i kemi kapacitetet e reja?”, thotë Trim Tërnava, ekspert i energjisë .
Ndërsa kriza energjitike në Kosovë nuk duket të jetë afër fundit, Gani Fazlia, mjeshtër gjeneratorësh, po përjeton rritje të kërkesës për punën e tij.
"Po më duhet të rregullojë nga 15 gjeneratorë në ditë. Për një njeri kjo është e pamundur. Unë i vetëm mund t’i rregullojë 5 ose 6”, thotë zoti Fazlia, ndërsa dy klientë prisnin jashtë dyqanit për të rregulluar gjeneratorët e tyre të vjetër.
Facebook Forum