Autoritetet në Kosovë thanë se dhjetë persona janë arrestuar në një operacion në rajonin e Shtërpces, një komunë në jug të Kosovës e banuar me shumicë serbe.
Prokurorët thanë se në mesin e të arrestuarve është edhe ish kryetari i kësaj komune, Bratislav Nikoliç, i cili dyshohet për dhënie lejesh ndërtimi të paligjshme në resortin turistik të Brezovicës.
Ai dhe nëntë të të tjerë u arrestuan nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ryshfet.
"Vetëm ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës dyshohet që ka marrë mbi një milion euro”, tha prokurori i çështjes, Rasim Maloku.
Autoritetet thanë se tetë nga të arrestuarit janë nga rajoni i Shtërpces dhe dy nga ai i Prishtinës.
Operacioni nxiti reagimin e përfaqësuesve të Listës Serbe dhe Beogradit.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zgjodhi qëllimisht ditën e sotme kur në Tiranë u mbajt takimi i nismës “Ballkani i hapur”.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se operacioni “nuk ka pasur cak persona të përveçëm apo të etnive të caktuara. Ky aksion, si çdo aksion tjetër i Policisë së Kosovës, ka pasur cak shkelësit e ligjit që në mënyrë të vazhdueshme, përmes formave të ndryshme kanë shkatërruar pasurinë publike për përfitime personale apo klanore”.