Në Tiranë, Kryeministri shqiptar Edi Rama, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri maqedon Zoran Zaev zhvilluan sot Takimin e radhës të Nismës “Ballkani i Hapur”.
Ata i bënë thirrje 3 vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën, që t’i bashkohen kësaj nisme.
Gjatë Takimit u nënshkruan 5 marrëveshje mbi lëvizjen e lirë të punëtorëve, mbi identifikimin e udhëtarëve në kufi në sisteme të integruara, dhe mbi sigurinë ushqimore.
Komisioneri i BE-së për zgjerimin, Oliver Varhejli, i nxiti këto tre vende që ta vazhdojnë këtë nismë.
Një natë më parë përkrahës të ish kryetarit demokrat, Sali Berisha, zhvilluan një tubim proteste kundër nismës “Ballkani i Hapur” para selisë së qeverisë, duke e cilësuar atë si një nismë në dëm të Shqipërisë dhe Kosovës dhe i shërben vetëm mbizotërimit serb në rajon.
Në Takimin e radhës të Nismës “Ballkani i Hapur” mori pjesë me një fjalë online edhe komisioneri Bashkimit Europian për zgjerimin, Oliver Varhejli, i cili vlerësoi këtë bashkëpunim të tre politikanëve Rama, Vuçiç dhe Zaev dhe ftoi vendet e tjera të rajonit të përfshihen në nismën e tyre.
Komisioneri Varhejli theksoi se me nismën e tyre e kanë kuptuar rëndësinë e integrimit rajonal dhe kjo nismë mund të përshpejtojë integrimin ekonomik të rajonit me BE. Komisioneri Varhejli tha se kjo nismë është një tregon se rajoni është gati për integrimin dhe po e bën këtë.
“Mund të më përfshini si mbështetës për Ballkanin e Hapur. Ne mendojmë se çdo bashkëpunim rajonal është i mirëpritur në të mirë të Ballkanit dhe të BE-së. Ftoj edhe 3 partnerët e tjerë të bashkohen në këtë nismë, e cila shton punësimin, ekonominë dhe mirëqenien dhe mund të ndryshojë realitetet në terren” - tha zoti Varhejli.
Komisioneri Varhejli tha se vërtet nuk janë zhvilluar ende konferencat e para ndërqeveritare mes BE-së dhe Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, por ka ardhur koha që kjo të ndodhë dhe të sjellim në tryezë gjithë marrëveshjet.
Ai shtoi se vetëm nga ky bashkëpunim dhe përmes bërjes konkrete të tregut të përbashkët rajonal mund të rritet me 1/3 Prodhimi i Brendshëm Bruto për secilin vend.
Zoti Varhejli tha se janë mjaft të dobishme lehtësirat kufitare, njohjet e diplomave dhe dokumente të tjerë.
“Nuk ka kuptim që të lidheni me rrugë e trena dhe të ndaloni gjatë në çdo kufi. Ju nxis të vazhdoni dhe shpresoj që edhe të tre partnerët e tjerë t’iu bashkohen” - theksoi komisioneri Varhejli.
Në hapje të takimit kryeministri Edi Rama përsëriti thirrjen për tre vendet e tjera në këtë “nismë tërësisht përfshirëse”, sepse injekton dinamizëm në bashkëpunim rajonal.
“Ballkani i Hapur është një aspiratë më shumë se sa një nismë. Çdo marrëveshje këtu i afron vendet tona me BE, ndaj vendet e tjera të Ballkanit perëndimor duhet të na bashkohen” - tha zoti Rama.
Ai tha se marrëveshjet e sotme për lehtësimin e eksporteve, kafshëve të gjalla, shkëmbimin e lirë të punëtorëve dhe mallrave janë një tjetër hap do të garantojnë 4 liritë europiane.
Gjatë konferencës për shtypin zoti Rama tha se marrëveshjet e sotme për sistemin e integruar elektronik të të shërbimeve, shkëmbimin e lirë të punëtorëve dhe mallrave, lehtësimin e eksport importeve për kafshët e gjalla, janë hapa të tjerë që garantojnë 4 liritë europiane dhe do të zbatohen sapo të hyjë viti ri.
“Ballkani i Hapur është një njësi zbatuese e ideve dhe Procesit të Berlinit dhe e tregut të përbashkët rajonal, ndaj e përsërs thirrjen për tre vendet e tjera të Ballkanit perëndimor të bashkohen në këtë nismë” - tha zoti Rama.
Presidenti Aleksandër Vuçiç tha se marrëveshjet e nënshkruara sot janë fryt i një pune të gjerë prej dy vjet e gjysmë.
“Qëllimi i përbashkët është që qytetarët e këtij rajoni të jetojnë më mirë në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe në këtë bashkëpunim janë të mirëpritur të gjithë” - tha ai.
Zoti Vuçiç tha se kjo nismë është shumë më e madhe se tre politikanë së bashku.
“Kjo është një nismë, që do të përgatitë të ardhmen e fëmijëve tanë, të lidhim qytetarët tanë me njëri tjetrin, ata që deri dje kanë menduar më shumë për të shkuarën se sa për të ardhmen”.
Edhe ai theksoi se ky është një proces gjithëpërfshirës dhe vendet e tjera janë të mirëpritura.
“Nëse duan, ata janë të mirëpritur, por nuk kemi pse t’u kërkojmë ndjesë atyre pse ata nuk duan. Ata duhet t’u shpjegojnë qytetarëve të tyre pse nuk janë këtu. Kur të shohin përfitimet ata do të vijnë” - tha zoti Vuçiç.
Kryeministri Zoran Zaev tha se së bashku janë hedhur hapa të dukshëm, dhe se nisma është e hapur për të gjithë vendet në rajon.
“Duhet të tregojmë se ne në Ballkanin perëndimor dimë të punojmë së bashku dhe dimë të arrijmë suksese së bashku - tha ai.
Kosova refuzon të bëhet pjesë e Nismës “Ballkani i Hapur” meqë, siç thuhet, nuk mund të pajtohet të bëhet pjesë e nismave që mund të duken si zëvendësim i proceseve integruese evropiane.
Udhëheqësit e Kosovës thanë se nuk mund të bëhen pjesë e nismave që në themel nuk e kanë parimin e barazisë, meqë Serbia refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në disa raste ka theksuar se nisma më shumë i ngjan një Ballkani që është i hapur ndaj ndikimeve nga Lindja, veçmas nga Rusia dhe Kina dhe nuk është në pajtim me vlerat perëndimore të demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Një natë më parë ish kryetari demokrat Sali Berisha dhe mbështetës të tij zhvilluan në kryeqytetin shqiptar një tubim proteste kundër projektit “Ballkani i hapur” dhe vizitës në Tiranë të presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
Zoti Berisha dhe folës të tjerë në tubim theksuan se kjo nuk ishte një protest kundër bashkëpunimit rajonal, por një protestë kundër projektit serbomadh për mbizotërimin serb në rajon në kurriz të popujve të Ballkanit perëndimor dhe kundër përpjekjeve për të shndërruar Ballkanin në zonë influence të Rusisë dhe Putinit.
Manifestimi u zhvillua qetësisht, me përjashtim të djegies të disa flamujve serbë prej disa grupesh të vogla protestuesish.
Facebook Forum