Këshilltari kryesor shëndetësor i Shtëpisë së Bardhë, Anthony Fauci, u bëri thirrje të dielën amerikanëve që udhëtojnë gjatë festave të fundvitit që të bëjnë dozën përforcuese të vaksinës kundër COVID-19 dhe të mbajnë gjithmonë maska në hapësirat publike të mbushura me njerëz për të ndihmuar në ngadalësimin e përhapjes së variantit Omicron.
Varianti lehtësisht i transmetueshëm po "përhapet me shpejtësi nëpër botë" dhe udhëtimi do të rrisë rrezikun e infektimit edhe mes të vaksinuarve, tha Dr. Fauci në një intervistë me televizionin NBC.
"Nuk ka dyshim që do të shohim infeksione edhe mes të vaksinuarve," tha dr. Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive.
Omicron është identifikuar në më shumë se 20 shtete të SHBA-së dhe rreth 90 vende të botës deri tani, pasi u identifikua për herë të parë në Afrikën jugore dhe Hong Kong në fund të nëntorit.
Omicroni po shkakton një rritje të rasteve me COVID në mbarë botën.
Presidenti amerikan Joe Biden do t'i drejtohet vendit të martën për të njoftuar për masat që po merr qeveria po t'iu përgjigjur numrit në rritje të rasteve të shkaktuara nga varianti.
Pas rritjes së rasteve në SHBA, disa universitete njoftuan se po rikthehen tek mësimi virtual.
Një studim i kohëve të fundit ka zbuluar se rreziku i riinfeksionit me omicron është më shumë se pesë herë më i lartë në krahasim me variantin Delta.