Lidhje

PD, Basha në Kuvend, Berisha në referendum, kundër njëri tjetrit


Në Tiranë, Partia Demokratike e opozitës vendosi sot në Kuvendin Kombëtar të shpallë si të papajtueshëm me çdo funksion partiak të saj të gjithë ata persona, që shpallen non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vendimi mori shkas nga shpallja non grata e ish kryetarit Sali Berisha prej SHBA-ve, dhe sot u shtri për të gjithë anëtarësinë.

Ky vendim e përjashton zyrtarisht zotin Berisha nga Këshilli Kombëtar dhe nga Kuvendi i Partisë Demokratike.

Zoti Berisha organizoi sot një referendum me përkrahësit e tij për të shkarkuar kryetarin Basha, si pjesë e një aksioni, që ai quan rithemelim të partisë, pas një tjetër Kuvendi të thirrur nga anëtarësia dhe në mbrëmje, shpalli rezultatin nga selia e PD-së, ku ndërkohë, zoti Basha kishte mbledhur kryesinë.

Tiranë: Basha në kuvend, Berisha në referendum. Zhvillimet e fundit në PD
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:00 0:00


Kuvendi i sotëm i Partisë Demokratike vendosi të mbajë larg nga postet partiake të gjithë ata persona që shpallen non grata nga SHBA, një masë e përgjithësuar vetëpastrimi, që erdhi pas përcaktimit të ish kryetarit Sali Berisha dhe familjes së tij nga Departamenti Amerikan i Shtetit si person i papërshtatshëm për korrupsion dhe pengim të demokracisë.

Kuvendi me mbi 5 mijë delegatë nga 7 mijë gjithsej, vendosi të mbështesë nismën për dekomunistizimin si dhe të ndërtojë një partneritet me Aleancën Qytetare për Demokracinë, një organizatë intelektualësh, që ofrojnë mendime kritik ndaj politikave të saj dhe ndihmojnë dialogun e opozitës me shoqërinë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se PD aspiron “të bëhet partia më e pastër në Shqipëri”, se ajo “nuk do të lejojë në radhët e veta persona, që ka patur lidhje me diktaturën komuniste”, e “as persona me rekorde kriminale apo lidhje me botën e errët kriminale të biznesit”.

Zoti Basha theksoi se nuk do të lejohen në Partinë Demokratike njerëz që cenojnë orientimin perëndimor të Shqipërisë.

“Do të zgjedhim bashkudhëtimin tonë të pandalshëm e fatlum me aleatët dhe miqtë tanë të çmuar, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet e Bashkimit Europian, që si asnjëherë tjetër më parë kanë vendosur dhe po veprojnë për ta ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët, për t’i çliruar nga sundimi i tmerrshëm i oligarkëve politikë dhe ekonomikë dhe për të rimarrë, më hovshëm se kurrë, kursin e demokracisë normale të vlerave”, - tha zoti Basha.

Zoti Basha theksoi se PD është partia e idealeve të lëvizjes antikomuniste të dhjetorit 1990, që drejtoi Shqipërinë drejt familjet europiane dhe euroatlantike, në NATO dhe drejt BE-së.

Ai tha se as Sali Berisha dhe askush tjetër nuk mund ta konsiderojë atë si një pronë private dhe as demokratët e thjeshtë si kukulla për të mbrojtur interesat e hallet e tij personale.

"Kjo është një zgjedhje politike dhe atdhetare, një zgjedhje mençurie dhe largpamësie, një zgjedhje mirënjohje dhe besnikërie ndaj ëndrrës shekullore dhe popullore shqiptare për Shqipërinë si Europa, për Shipërinë në miqësi të përjetshme me SHBA”, - tha zoti Basha.

Kuvendi i Partisë rishpalli si të pavlefshëm të gjithë vendimet, që u morën një javë më parë nën logot e PD-së gjatë një tubimi të thirrur në stadium nga ish kryetari Sali Berisha.

Në krahun tjetër, përkundër kongresit të sotëm dhe në të njëjtën kohë me të, ish kryetari Sali Berisha ka organizuar sot një referendum me përkrahësit e tij për të shkarkuar kryetarin Basha, si pjesë e një aksioni, që ai quan rithemelim të partisë, pas një tjetër Kuvendi të thirrur nga anëtarësia.

Në orën 8 të mëngjesit, 106 qendra votimi të hapura në të gjithë vendin pritën demokratët, që ju përgjigjën thirrjes së ish kryetarit për referendumin.

Ndonëse zoti Berisha i kishte kërkuar drejtuesve të degëve të PD-së që t’i vinin selitë e partisë në dispozicion të procesit të votimit, duke u kujtuar atyre se zyrat e partisë nuk janë personale, në shumicën dërrmuese të rasteve, qendrat e votimit ishin ngritur në mjedise private.

Vetë zoti Berisha, votoi në një qendër të përshtatur në një Bar që jo rastësisht mbante emrin “Amerika” e që po ashtu, jo rastësisht, gjendej vetëm pak metra larg ambasadës së Shteteve të Bashkuara, vend të cilin ai dhe familja e tij nuk mund ta shkelin.

Pasi hodhi votën e tij zoti Berisha foli për “një ditë historike për lirinë dhe shpresën e PD, por dhe shoqërisë shqiptare”, duke qenë se, siç u shpreh ai, “ky është referendumi i parë i thirrur nga anëtarësia e një force politike” për të shkarkuar kryetarin.

Berisha në selinë e PD-së shpall rezultatin e referendumit

Në mbrëmje, ish kryetari demokrat, Sali Berisha, së bashku me mbështetësit e tij, u shfaq sërish në selinë e PD-së, për të shpallur rezultatet e referendumit që ata kishin organizuar gjatë ditës së sotme.

Në ndryshim nga pak ditë më parë kur zoti Berisha, hyri brenda në seli, këtë herë ai zgjodhi të qëndrojë jashtë.

Sipas asaj që u njoftua nga organizatorët e referendumit, afro 44 mijë demokratë kishin marrë pjesë në votim.

Një shumicë dërrmuese prej 43.385 votash, u deklarua se ishin shprehur në favor të shkarkimit të zotit Basha, dhe vetëm disa qindra vota kishin qenë kundër ose të shpallura të pavlefshme.

“Ky është ndëshkimi më i merituar që një person i padenjë për këtë detyrë, që detyrën më të lartë të kreut të opozitës e shfrytëzon për pazare personale dhe e trajton PD-në, si një pronë të tij”, - deklaroi zoti Berisha duke shtuar se “kjo dëshmon dhe një herë se deputeti Basha ka humbur çdo lloj besimi dhe është gjykuar ashpër nga PD, në referendumin e saj të parë të thirrur nga anëtarësia”.

Zoti Berisha iu drejtua deputetëve demokratë që mbështesin zotin Basha dhe kryetarëve të degëve të partisë, të cilët në shumicë nuk pranuan që selitë lokale të PD-së të përdoreshin si qendra votimi për referendumin, të reflektonin ndaj rezultatit të tij, duke përsëritur disa herë se nuk duhet të bëheshin pjesë e një skenari që sipas tij mund të ishte “destabilizues dhe për vendin”, por pa shpjeguar se për çfarë skenari bëhej fjalë.

“Ftoj çdo deputet të marrë listën, të kontrollojë një për një anëtarësinë që ka votuar dhe të nxjerrë konluzionet e duhura. PD kaloi krizën më të thellë. E kaloi duke rikthyer standartet e lirisë. Të mos sillen më si njerëz pa vizion politik. Ftoj kryetarët e degëve, si ata të emëruar dhe ata të zgjedhur, të vijnë të marrin procesverbalet e të heqin dorë, mos bashkëpunojnë me një skenar që në mënyrë absolute nuk do pengojnë dot kurrë këtë revolucion. Mund të krijojë situata të paparashikueshme, por revolucionin nuk e ndalin dot. Të mos bëhen instrumenta të një skenari, që është më i turpshmi, por jo dhe i parrezikshëm për stabilitetin e vendit”, - u shpreh zoti Berisha.

Ai ka paralajmëruar një protestë të hënën, të nxitur nga vizita në Tiranë e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, në kuadër të takimit të radhës së projektit “Open Balkan”.

“Sllobodani i ri, Gebelsi i Millosheviçit, do të pritet me protesta, pasi vjen këtu në kuadër të një projekti të aleancës trilaterale me dy vasalët e tij në rajon, në Shkup dhe në Tiranë. Kjo aleancë përbën kërcënim për shqiptarët, paqen e stabilitetin, vendosjen e hegjemonisë serbe në rajon dhe hapjen ndaj influencës ruse mbi këtë zonë. Ndaj dhe ne do qëndrojmë fuqishëm”, - theksoi zoti Berisha.

Basha u përgjigjet Berishës dhe mediave pas Kuvendit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim falenderoi sot delegatët e Kuvendit Kombëtar, të cilët, sipas tij, “vendosën me votën e tyre të mbyllin një kapitull të së shkuarës dhe zgjodhën të ardhmen”.

Pak pasi zoti Berisha u largua nga oborri i selisë së PD-së, zoti Basha tha se “rrugët e Berishës me PD janë ndarë, ai është e shkuara dhe ne jemi ndarë nga kjo e shkuar, ai është përjashtuar nga grupi parlamentar, nga Këshilli dhe Kuvendi Kombëtar, më saktë ai është vetëpërjashtuar me veprimet e tij dhe me sjelljet e tij qesharake”.

Zoti Basha tha se asnjë kryetar i PD-së nuk ka arsye të japë dorëheqje pse shpallet non grata Sali Berisha, por duhej të ishte ky i fundit që të jepte dorëheqjen dhe të mos u shtonte detyrimet demokratëve, që sakrifikuar shumë edhe për të.

“Nuk ka dy palë apo kampe, por ka vetëm një PD dhe ka vetëm një Kuvend dhe ajo është fokusuar përballë regjimit të Edi Ramës. Është edhe dikush që ka një hall më të madh se sa të heqë Ramën, sepse ka hallin e tij”, - tha zoti Basha, duke nënkuptuar ish kryetarin e partisë të shpallur non grata nga SHBA.

Zoti Basha theksoi se sot PD është pastruar nga hijet e të kaluarës dhe është më pranë qytetarëve.

“Duam të largojmë klikën, që rri në pushtet me votat e vjedhura, ndaj hapim luftën totale kundër korrupsionit qeveritar për të kthyer vendin në normalitet”, - u shpreh zoti Basha.

Ai theksoi se Rama e mori pushtetin me blerje votash dhe kërcënime mandatin e kaluar, siç provuan dosjet e Dibrës dhe Shijakut. Sipas tij, edhe rezultati i KQZ-së për zgjedhjet e 25 prillit nuk pasqyron rezultatin real të votimeve, ndaj pushteti nuk është legjitim kur Rama mbush kutitë me vota të vjedhura.

“Shqipëria ka qeverinë më të korruptuar të Europës. Në një vend normal, gjysma e qeverisë duhet të ishte në paraburgimin e SPAK-ut aferën korruptive të inceneratorëve. Duhet të përqëndrohemi tek ballafaqimi me regjimin që po ia bën ferr jetën shqiptarëve. T’i japim fund një orë e më parë gjendjes së rëndë ku ndodhet Shqipëria, me një ekonomi në krizë, me parlament të cunguar”, - tha zoti Basha.

Ai shtoi se për korrupsionin me inceneratorët kryeministri dhe disa ministra kryesorë duhej së paku të kishin dhënë dorëheqjet.

“Ne do ta çojmë këtë çështje deri në fund. Shprehim mbështetjen e plotë për hetimin e kësaj çështjeje. Ata kanë vjedhur paratë publike të shqiptarëve dhe ia kanë dhënë një grushti mafiozësh”, - theksoi zoti Basha.

Ai përmendi kërkesat për reformën kushtetuese për kontrollin dhe balancën e pushteteve të përqëndruara në një dorë, si dhe për reformën territoriale, që pengon zgjedhjet normale dhe ka larguar shërbimet ndaj qytetarëve.

“Nuk e kam ndërmend të tërhiqem asnjë milimetër nga detyrat e mia për të bërë Shqipërinë një vend normal dhe për të cilën më ka zgjedhur Partia Demokratike si drejtues me parimin “Një anëtar një votë”. Zgjedhjet e vjedhura nuk pranohen, por luftohet që demokracia të triumfojë”, - tha zoti Basha.

Ai përgënjeshtroi se në seli ka persona të armatosur apo forca shtetërore në mbrojtje të saj. “Selia e PD është shtëpia e lirisë dhe nuk ka nevojë për roje” - tha zoti Basha.

Përplasjet mes ish kryetarit dhe pasuesit të tij, janë bërë përditë e më të forta dhe ndarjet po bëhen përherë e më të pakthyeshme, nga koha kur SHBA e shpalli zotin Berisha non grata për korrupsion dhe kur zoti Basha e përjashtoi atë nga grupi parlamentar për këtë shkak.

Kryetari aktual Basha tha se e mori këtë vendim personal, sepse nuk do të lejojë që PD të votojë vendimet e SHBA-ve për luftën kundër korrupsionit dhe në mbrojtje të demokracisë.

Ish kryetari Berisha, e nisi reagimin e tij fillimisht "për të mbrojtur dinjitetin personal" dhe po e kulmon me një lëvizje "për rithemelimin e partisë".

Diplomatët amerikanë janë shprehur se nuk takohen me persona non grata si Sali Berisha dhe nuk do të komunikojnë me PD-në, nëse ai kthehet aty.

Dy rrymat brenda partisë provokuan reagime të ndryshme në radhët e anëtarëve të thjeshtë, që u përfshinë në këto zhvillime pas tre mandatesh në opozitë dhe në periudhën më të pafavorshme pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG