Lidhje

Kosovë, shqetësime për krizën energjetike për shkak të çmimit të lartë të importeve


Qeveria e Kosovës tha të hënën se është vënë në përpjekje për të gjetur rrugëdalje për të shmangur krizën energjetike në buzë të së cilës ndodhet vendi. Temperaturat e ulta kanë shtuar nevojën për importim të energjisë elektrike që Kosova nuk i përballon dot me prodhimin e saj.

Kompania e Kosovës për Shpërndarje të Energjisë Elektrike tha se gjatë muajve tetor dhe nëntor çmimi i importit është pesëfishuar në karahaism me një vit më parë dhe bëri thirrje për rishqyrtim të çmimit aktual për të siguruar furznimin e rregullt me energji elektrike.

Kosovë, shqetësime për krizën energjetike për shkak të çmimit të lartë të importeve
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:45 0:00

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot gjatë një debati në parlamentin e vendit se qeveria e tij është duke e trajtuar krizën e energjetike që sipas tij, po troket në derë.

“Çmimet e energjisë elektrike ne bursë janë shumëfishuar dhe nuk mund të ngelet as tek ne një situatë e favorshme derisa vazhdojmë të paguajmë vetëm 7 centë për kilovat orë. Pra është e vërtetë që po blejmë shtrentë e po shesim lirë energji elektrike edhe pa një afat të caktuar. Rrjeti i shpërndarjes dhe stabilimentet prodhuese në Kosovë edhe janë vjetruar edhe amortizuar ndërsa konsumi i energjisë është rritur”, tha ai.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se institucionet përgjegjëse për energji po përballen me humbje të mëdha për shkak të krizës energjetike, ndërsa kritikoi qeverinë për anulimin e projekteve të reja prodhuese me qymyr dhe gaz.

“Kush janë këta ministra e qeveri në energji për Kosovën? Pra çka është qëllimi juaj? A është qëllimi me lanë Kosovën pa kapacitete energjetike në vazhdimësi të qëndrueshme? Nëse po, në interes të kujt? Tani, pasi është kjo gjendje edhe që po e shohim që ky dimër do të jetë i vështirë, na tregoni ju lutem si do ta zgjidhim situatën sepse e dimë që një megavat tash paguhet deri 450 euro në këtë kohë dhe e dimë që janë humbje të mëdha financiare”, tha ai.

Ekspertë të sistemit energjetik thonë se Kosova do të jetë e detyruar të rrisë çmimin e energjisë, meqë situata aktuale do të jetë e papërballueshme.

Dardan Abazi hulumtues në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP) thotë se pasojat reale të krizës energjetike do të mund të shihen gjatë muajit mars kur do të përfundojë sezoni dimëror dhe kur të rishikohen tarifat e rregullta të energjisë.

“I bëjmë thirrje qeverisë që përtej thirrjeve për të mos përdorë energjinë për ngrohje, ata të kenë një plan të detajuar se si të themi t’i mitigojnë këto masa ose këto efekte që do të ketë kriza në tarifat e konsumatorëve të energjisë, kryesisht duke i ndihmuar ata në efiçencën e energjisë, në ndërrim të kaldajave të ngrohjes, në ndryshim të strukturës tarifore përmes bllok të tarifave ose edhe me masa tjera siç është themelimi i fondit për konsumatorët në nevojë, i cili fond do të mund të ndihmonte familjet të cilat më së shumti do të mund të preken nga ndonjë ngritje eventuale e rritjes së çmimit të energjisë”, tha ai.

Zoti Abazi thotë se Kosova lëngon nga një politikë 20 vjeçare që ka tentuar të ndërtojë termocentrale gjigante me qymyr pa asnjë logjikë ekonomike apo mjedisore dhe tani sipas tij ka mbetur në një situatë ku mungesa e investimeve rrezikon që të thellojë krizën energjetike. Ai thotë se qeveria duhet të rishqyrtojë edhe një herë projektin e termocentralit me gaz dhe të mbyllë ato me qymyr.

“Sistemi i ardhshëm energjetik duhet bazuar fillimisht në kapacitete të efiçiencës së energjisë pra në kursim të energjisë pastaj me kapacitete të reja të burimeve të ripërtërishme të energjisë dhe masave të tregut siç janë liberalizimi i tregut, integrimi i tregut me Shqipërinë apo bashkimi energjetik kombëtar, siç e quajmë ne pastaj edhe bashkimi i tregut me tregun rajonal. Të gjitha këto masa bashkë me një kapacitet me një bazë fillestare i cili do të na ndihmonte së paku në 10 apo 15 vite të ardhshme, janë të domosdoshme në mënyrë që të trasojmë këtë rrugë të tranzicionit energjetik”, tha ai.

Aktualisht Kosova është e varur nga termocentralet me qymyr të cilat prodhojnë rreth 95 për qind e energjisë së përgjithshme të vendit ndërsa llogariten si ndotës të mëdhenj të mjedisit në Kosovë.

XS
SM
MD
LG