Një person që u arrestua të martën në aeroportin Charles de Gaulle të Parisit në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi u lirua nga paraburgimi pasi u verifikua se ai nuk ishte personi në kërkim, thanë prokurorët të mërkurën.
Jamal Khashoggi, i cili jetonte në mërgim në Shtetet e Bashkuara, u vra brenda konsullatës saudite në Stamboll në vitin 2018 përpara se trupi i tij të copëtohej. Ai ishte një analist i gazetës The Washington Post dhe një kritik i sundimtarit de fakto të Arabisë Saudite, Princit të Kurorës Mohammed bin Salman.
Policia franceze e identifikoi personin menjëherë pas arrestimit të tij si Khaled Aedh al-Otaibi, një ish-anëtar i gardës mbretërore të Arabisë Saudite, i cili ishte në listën franceze të personave në kërkim. Policia tha se ai u arrestua sepse Turqia kishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar për të në vitin 2019.
Ndaj një personi me të njëjtin emër u vendosën sanksione nga qeveria britanike, e cila tha në një raport se "ai ishte i përfshirë në vrasjen e paligjshme të Jamal Khashoggit, si anëtarë i ekipit prej 15 personash të dërguar në Turqi nga autoritetet saudite".
Por prokurorët thanë në një deklaratë të martën vonë se urdhri i Turqisë, i cili shkaktoi arrestimin e personit gjatë një kontrolli të pasaportës në aeroport, nuk vlente për personin në fjalë.
“Verifikimet e thelluara për të përcaktuar identitetin e këtij personi na kanë mundësuar të vërtetojmë se urdhri nuk ishte i zbatueshëm për të”, thuhet në deklaratë.
Ambasada saudite në Paris tha të martën vonë se i arrestuari “nuk kishte të bënte me rastin në fjalë”.
Njëzet e gjashtë sauditë po përballen me akuzat turke për vrasjen e gazetarit Khashoggi në një gjyq që filloi në tetor të vitit 2020.
Një raport i zbulimit amerikan, i publikuar në mars thotë se Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman autorizoi planin për të vrarë ose kapur gazetarin Khashoggi dhe se një ekip prej 15 anëtarësh ishte i përfshirë në vrasjen e tij.
Qeveria saudite ka hedhur poshtë gjetjet e raportit dhe ka mohuar çdo përfshirje të princit të kurorës në këtë vrasje.
Facebook Forum