Më shumë kompani dhe institucione të Afrikës së Jugut po e bëjnë të detyrueshëm vaksinimin kundër COVID-19, ndërsa vendi përballet me një valë të re infeksionesh, pas përhapjes së variantit Omicron. Për të ndihmuar me hezitimin e vaksinimit, Forumi Fetar i Afrikës së Jugut kundër COVID-19 ka organizuar fushatë për vaksinimin e besimtarëve.
Në tempullin Hindu “BAPS Shri Swaminarayan” në Johannesburg, vullnetarët mundësojnë vaksinimin e besimtarëve kundër COVID-19. Që nga shtatori aty janë vaksinuar rreth 3 mijë njerëz, ndërsa Afrika e Jugut po përjeton një valë të re infeksionesh, nxitur nga varianti Omicron.
“Donim të krijonim një pikë të rehatshme vaksinimi, ku njerëzit mund ta marrin vaksinën shpejt. Tani kemi vullnetarë me të kaluar dhe profesione të ndryshme”, thotë Birju Patel, vullnetare.
Afrika e Jugut është vendi më i goditur nga pandemia në gjithë kontinentin, me mbi tre milionë raste të konfirmuara dhe afër 90 mijë vdekje.
Njerëzit shqetësohen se variant Omicron mund të ndikojë në rritjen e këtyre shifrave. Forumi Fetar Kundër COVID-19 bashkoi besime të ndryshme fetare, për të ndihmuar rreth hezitimit të vaksinimit mes besimtarëve.
“Veprimet paralele të njerëzve krijojnë hezitimin për t’u vaksinuar. Ne nuk pajtohemi me ato situata. Prandaj kërkuam që të lejohemi të ndihmojmë”, thotë Moulana Ebrahim Bham nga ky forum.
Afrika e Jugut ende nuk e ka arritur qëllimin për vaksinimin e 70 për qind të të rriturve me të paktën një dozë deri në fund të vitit. Deri tani, vetëm 40 për qind e të rriturve janë vaksinuar me të paktën njërën dozë. Të dhënat tregojnë se të rinjtë kanë më pak të ngjarë të vaksinohen.
“Nuk ishte keq. Mendoj se më shumë njerëz duhet të vaksinohen në këtë qendër të pangarkuar. Vaksina nuk dhemb fare”, thotë Taylin Bechor.
Analistët thonë se bindja e të rinjve duhet të jetë përparësia kryesore.
“Nëse kishat dhe ky forum ndërfetar duan të jenë të efektshme, duhet të gjejnë një mënyrë për të inkurajuar të rinjtë të vaksinohen. Pastaj sigurisht të inkurajojnë njerëzit se nuk duhet të shpenzojnë duke udhëtuar për t’u vaksinuar dhe se me ato para mund të ushqejnë familjen e tyre”, thotë Maria Fragm-Arp nga Universiteti i Johanesburgut.
Forumi Fetar Kundër COVID-19 ende nuk ka shifra mbi shkallën e vaksinimit të besimtarëve. Por duket se vaksinimi në shtëpitë e lutjes po ndihmon. Tempulli BAPS Shri Swaminarayan thotë se 90 për qind e ndjekësve të saj tashmë janë vaksinuar.